top of page

Te drejtat e njeriut ne Shqiperi ballafaquar me ligjin ndërkombëtar, nga Francesca Kubati

Updated: Mar 27, 2022



Tema e te drejtave te njeriut ështe një fushe shumë e gjerë. Në këtë shkrim tentohet të trajtohet kryesisht zbatimi nga Shqipëria i tre çështjeve te legjislacionit ndërkombëtar (të ratifikuar nga Shqipëria) mbi të drejtat e njeriut:

  1. E drejta për një gjykim të drejtë

  2. Ndalimi i dhunës e torturës

  3. E drejta e opinionit te lirë

Janë lënë pa trajtuar disa çështje te rëndësishme si a) e drejta e pronës, që është e drejtë e njeriut, b) e drejta e votës se emigrantëve, që është e drejtë e njeriut dhe c) ndëshkimet në ditët tona të aktruesve të torturës gjatë regjimit komunist.


Për afro 50 vjet, Shqipëria përjetoi një regjim komunist të ndryshëm nga të tjerët e Evropës Lindore në atë kohë. Regjimi izolues i diktatorit Enver Hoxha e shndërroi vendin ballkanik në një nga kombet më të varfër dhe më te shtypur në Evropë.


Gjatë sundimit të Hoxhës, Partia e Punës i ndaloi të dyja, Ministrinë e Drejtësisë dhe praktikën private të ligjit. Kjo e lejoi regjimin komunist të shtrëngonte në skaj kontrollin e tij mbi kombin, pasi shpalleshin të paligjshme sjelljet e papëlqyera nga regjimi, sipas dëshirës, përfshirë krimet kapitale për “agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor” dhe “veprimtari kundër lëvizjes revolucionare të klasës punëtore”, të cilat përbëjnë shkelje të qarta të standardit aktual të të drejtave të njeriut.


Me rënien e Partisë Komuniste më 1992, vendi ka përparuar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Shqipëria është tani një shtet anëtar i Këshillit të Evropës dhe i Kombeve të Bashkuara e ka marrë përsipër detyrime për të drejtat e njeriut në nivel rajonal dhe universal, duke ratifikuar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Kartën Sociale Evropiane dhe Komitetin Kundër Torturës.


Megjithatë, për momentin, Shqipëria nuk e ka autorizuar Komitetin Evropian të të Drejtave Sociale për të paraqitur ankesa kolektive.


Edhe pse Shqipëria ka filluar të mbyllë boshllëqet në detyrimet e saj për të Drejtat e Njeriut, ajo ende ka ka një rrugë të gjatë për të bërë derisa të përfundojë misionin e saj.


E drejta për një gjykim të drejtë


Sipas Nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, "E drejta për një gjykim të drejtë" thekson se çdokush ka të drejtë për një seancë të përkorë dhe publike, brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e paanshme e krijuar me ligj.


Në lidhje me zbatimin nga Shqiperia të kësaj të drejte, në Raportin e të Drejtave të Njeriut për Shqipërinë 2020 (2020 Country Reports on Human Rights Practices: Albania), thuhet se ka ankesa te shumta. Vonesat në procesin gjyqësor dukej se ishin faji kryesor.


Eshtë vërejtur se objektet e paraburgimit janë të mbipopulluara, për shkak të rritjes së numrit të arrestimeve, për veprat penale të shtuara së fundmi, si dhe për mungesë koordinimi me Ministrinë e Drejtësisë. Kjo mund të jetë një çështje shqetësuese, pasi Parimi i Retroaktivitetit thotë se një individ nuk mund të dënohet për sjellje që nuk ka qenë kriminale në kohën kur janë kryer.


Kjo konfirmohet më tej në Nenin 15 të Konventës Ndërkombëtare Për Të Drejtat Civile dhe Politike, i cili thotë se askush nuk duhet të dënohet për një vepër penale e cila nuk përbënte vepër penale në momentin e kryerjes. Prandaj rritja e numrit të të burgosurve, e cila mendihet se mund të jetë për shkak të këtij efekti, është një realitet alarmant.


Përveç kësaj, kushdo i akuzuar për një vepër penale duhet të prezumohet i pafajshëm deri në momentin që provohet fajtor ne gjyq dhe ka të drejtën të informohet menjëherë për akuzën dhe të ketë kohën dhe mjetet e duhura për përgatitjen e mbrojtjes së vet.


Për më tepër, të drejtat e të paraburgosurve shkelen lehtësisht në Shqipëri. Për shkak të mbipopullimit në sistemin e burgjeve, të paraburgosurit, përfshirë të miturit, herë pas here qëndrojnë në qendrat e ndalimit të policisë për më shumë se maksimumi ligjor prej 10 orësh.


Paraburgimi i zgjatur shpesh ndodh për shkak të hetimeve të vonuara, gabimeve të mbrojtjes, ose dështimit te qëllimshëm të avokatit mbrojtës (2020 Country Reports

on Human Rights Practices: Albania). Sipas te njëjtit raport, në gusht 2020, 47 % e popullsis se burgjeve dhe qendrave të paraburgimit ishte në paraburgim. Për më tepër, Kushtetuta kërkon qe autoritetet të informojnë menjëherë të paraburgosurit për të drejtat e tyre dhe për akuzat ndaj tyre, por autoritetet përmbarimore nuk e kanë respektuar gjithmonë këtë kërkesë.

OJQ-të raportojnë gjithashtu se marrja në pyetje shpesh bëhet pa praninë e avokatit, gjë që ilustron më tej mungesën e pajtueshmërisë me Konventën.


Gjykatat gjithashtu janë të prekshme ndaj joefikasitetit për shkak të korrupsionit, frikësimit dhe ndërhyrjes politike. Këta faktorë kanë minuar autoritetin e gjyqësorit, kanë kontribuar kundrejt vendimeve të diskutueshme të gjykatave dhe kanë rezultuar në një zbatim jokonsistent të ligjit civil.


Komiteti i të Drejtave Ekonomike, Sociale dhe Kulturore e çoi më tej këtë sentiment duke ngritur shqetësimin për mungesën e vazhdueshme të pavarësisë së gjyqësorit si dhe të trajnimit të pamjaftueshëm të organeve të prokurorise. Komiteti eshte gjithashtu i shqetësuar për efektivitetin e kufizuar të masave për të luftuar korrupsionin, duke deklaruar se shteti palë duhet të miratojë politika ligjore dhe strukturore për të mbështetur procesin e vendimmarrjes dhe administratën publike në përgjithësi. Kjo përfshin mekanizma për vendimmarrje transparente në të gjitha nivelet, duke perfshirë mekanizmat e mbikqyrjes dhe të hetimit të veprimeve të paligjshme.


Komisioneri Nils Muižnieks ka deklaruar se drejtësia dhe zbatimi i ligjit në Shqipëri është karakterizuar nga probleme të mëdha strukturore që kanë çuar në pothuajse një mungesë të plote besimi nga publiku. Ai vëren mungesën e mbikqyrjes së pavarur të agjencive të zbatimit të ligjit, në disa raste të veçanta të keqtrajtimit dhe korrupsionit. Për të ndihmuar në përmirësimin e kësaj gjendjeje, ai sugjeron procedura meritokratike në emërimin dhe vlerësimin e gjyqtarëve.


Komisioneri gjithashtu rekomandon depolitizimin e funksionimit të gjyqësorit, duke filluar nga forcimi i pavarësisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili eshte organi që garanton integritetin e pushtetit gjyqësor. Çdo ndërhyrje politike në funksionimin e gjyqësorit duhet të shmanget, që përfshin heqjen e përfshirjes së Ministrit të Drejtësisë në procedimin disiplinor ndaj gjyqtarëve.


Në shqyrtimin e respektimit të së drejtës për gjykim të drejtë nga Shqipëria, duket ka ende shumë për të bërë deri në përmbushjen e detyrimeve të gjykatës evropiane.


Kjo situate eshte nje trashigimi e kulturës së kontrollit të drejtesise prej ish-diktatorit Enver Hoxha gjatë sundimit të tij 40-vjeçar, siç ilustrohet nga ekzekutimi i tij i 22 intelektualëve pa gjyq më 26 shkurt 1951, të cilët u akuzuan për bombën në ambasadës sovjetike në Tiranë. Sipas Nenit 55 të Kodit Penal të miratuar gjatë enverizmit, për “propagandë dhe agjitacion që bënte thirrje për të përmbysur ose minuar pushtetin popullor” dënimi ishte të paktën 6 muaj burg e deri në dënimin me vdekje në periudhat e luftës ose trazirave.


Në të njëjtën tradite te injorimit te ligjit nga organet e represionit, është e dukshme që burgimi i paligjshëm vazhdon të ndodhë, për aresye të korrupsionit, sistemeve gjyqësore të trajnuara dobët dhe vonesave në dënime.


Ndalimi i Tortures


Si anëtare e Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ka ratifikuar Konventën Kundër Torturës dhe Trajtimeve apo Ndëshkimeve të Tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese. (The Convention Against Torture and Other Cruel, Inhuman or Degrading Treatment or Punishment - CAT).


Në Komentin e Përgjithshëm Nr. 2 të Komitetit Kundër Torturës (të ngritur ne bazë të Konventës ne fjalë, deklarohet se ndalimi i torturës është absolut dhe i paderogueshëm dhe duhet të konsiderohet si një çështje e së drejtës zakonore ndërkombëtare. Për më tepër, ekzistojnë kushte që shkaktojnë keqtrajtime, ai psh dhuna policore, që shpesh arrijnë nivelin e torturës dhe për këtë arsye Komiteti e konsideron ndalimin e keqtrajtimit si të paderogueshëm, në perputhje me Konventën Kundër Tortures. Natyra absolute e këtij statuti theksohet shumë dhe nuk ka asnjë rrethane të jashtëzakonshme që të mund të justifikojë aktet e keqtrajtimit ose torturës nga ana e një shteti palë në Konventë. Kjo përfshin gjithashtu gjendjen e luftës ose kërcënimin e saj.


Vemendje: Sipas ligjit ndërkombëtar të pranuar nga Shqipëria tortura, si dhe keqtrajtimi që shkakton gjendje torture, janë te paderogueshme, dmth ndëshkimi tyre nuk skadon në kohë në asnjë rast. Kjo vlen edhe për aktet e torturës gjatë komunizmit, pavarësisht sa përpara në kohe mund të kenë ndodhur.


Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic, ka shprehur shqetësimin për shkallëzimin e përplasjeve mes policisë dhe protestuesve në vijim të vrasjes së një të riu nga policia gjatë natës së shtetrrethimit te COVID-19 më 6 dhjetor 2020.


Komiteti mbetet thellësisht i shqetësuar për çdo përpjekje të shteteve për të justifikuar torturën dhe keqtrajtimin si një mjet për të mbrojtur sigurinë publike dhe për të parandaluar emergjencat.


“Përdorim joproporcional i forcës është raportuar edhe në raport me protesta të tjera që u zhvilluan në Shqipëri në fillim të këtij viti", - shton komisionerja Mijatovic - "dhe, ndërsa e drejta për tubim paqësor mund të kufizohet për të mbrojtur shëndetin publik, autoritetet duhet të respektojnë parimet e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit në të gjitha rrethanat.”

Edhe pse policia e justifikon abuzimin e vet në emër të shëndetit publik gjatë epokës së COVID, Mijatovic dënon abuzimin në marrjen e jetës së një njeriu të pafajshëm dhe i kërkon policisë të përmbahet nga përdorimi i rëndë i forcës.


Komiteti kunder Tortures përshkruan detyrimet e shtetit për të parandaluar torturën. Neni 2, paragrafi 1, informon shtetet palë për përgjegjësinë e tyre për të përforcuar ndalimin e torturës nëpërmjet veprimeve legjislative, administrative, gjyqësore, etj., që duhet të jenë efikase në parandalimin e saj. Legjislativisht, shtetet palë duhet të rishikojnë vazhdimisht dhe përmirësojnë ligjet e tyre kombëtare në përputhje me vëzhgimet dhe konkluzionet e Komitetit.


Ligji kombëtar i Shqipërisë e ka përcaktuar torturën në përputhje të plotë me Nenin 1 të Konventës Kunder Tortures. Kodi Penal i Shqipërise e ka përcaktuar dhunën si vepër penale dhe ndryshimi i këtij kodi në mars 2012 ka përfshirë një paragraf të tërë për sanksionet me burgim me gjatësi të ndryshme.


Megjithatë, aktualisht nuk ka një juridiksion specifik për çështjen e keqtrajtimit nga kuadrot politike.


Komiteti vazhdon që çdo shtet palë duhet të monitorojë nga afër zyrtarët e tij dhe ata që veprojnë në emër të tij. Ekziston një përgjegjësi ligjore e përbashket, si e autorëve te keqbërjes, edhe e zyrtarëve në hierarline komanduese, qoftë me akte nxitjeje, pëlqimi ose pajtueshmërie.


Vemendje: Dmth, ajo që thotë shpesh Kryeministri, se ai nuk mban përgjegjësi, qofte legale, politike, apo morale, për keqveprimet e ministrave, është në mospërputhje me kërkesat e ligjit ndërkombëtar.


Është thelbësore të hetohet çdo incident dhe të përcaktohet përgjegjësia e personave në zinxhirin komandues, bashkë me përgjegjesinë e kryesit të drejtpërdrejtë të keqveprimit.


Identifikimi dhe kodifikimi i krimit të torturës thekson gjithashtu nevojën për të percaktuar dënimin përkatës që merr parasysh peshën e veprës penale. Në këtë mënyre forcohet efekti parandalues ​​i vetë masës ndëshkuese, rritet aftësia e zyrtarëve përgjegjës për të gjurmuar krimin specifik të torturës dhe mundësohet e fuqizohet publiku per të monitoruar dhe, kur kërkohet, për të kundërshtuar veprimin e shtetit si dhe mosveprimin e shtetit, në shkelje te Konventës. Kështu, Komiteti ka arritur në përfundimin se shtetet palë janë në shkelje të Konventës kur nuk i përmbushin këto detyrime.


Në Raportin e të Drejtave të Njeriut për Shqipërinë 2020, shënohej se “gardianët e burgut ndonjëherë rrahin dhe abuzojne të dyshuarit dhe të burgosurit, zakonisht në stacionet e policisë.” Për më tepër, ka pasur “përdorim të forcës së tepruar gjatë ose menjëherë pas kapjes.” Kjo mund te ndodhë për të nxjerrë një rrëfim, për të marrë informacion ose për të ndëshkuar. Shuplaka, grushta, shkelma, goditje me objekte të forta dhe pranga tepër të shtrënguara janë shembuj të keqtrajtimit nga efektivët e policisë. Sjelljet e ilustruara janë qartazi në mospërputhje me standardet e përcaktuara nga Konventa Kundër Torturës, pasi të paraburgosurit keqtrajtohen si haptas në publik ashtu edhe në situata të cënueshme, private.


Fakti që keqtrajtimi është një çështje e vazhdueshme brenda burgjeve, në përputhje me vdekjen e paligjshme të protestuesit në dhjetor 2020 (Semini), dëshmon se aktualisht nuk po bëhet aq sa duhet për të zbatuar në mënyrë efektive ndalimin e torturës ne Shqipëri. Sjellja e rojeve të burgut nuk është në proporcion me qëllimin legjitim të monitorimit të shëndetit dhe sigurisë publike brenda burgjeve dhe duket sikur i kryejnë këto akte të rënda thjesht për qejfin e vet.


Këto sjellje duhet të jenë rreptësisht te monitoruara dhe të nxirren jashtë ligjit brenda sistemit legjislativ, për të ecur përpara.


Liria e Opinionit


Komenti i Përgjithshëm Nr. 34, Neni 19 mbi lirinë e mendimit dhe të shprehjes thekson se komunikimi dhe transmetimi i lirë i mendimeve është kusht i domosdoshëm si për individin ashtu edhe për shoqërinë në tërësi. Është gjithashtu nje pjesë përbërëse e gëzimit të së drejtave të lirisë së tubimit dhe organizimit dhe ushtrimit të së drejtës së votës.


Ngjashëm me Ndalimin e Torturës, Liria e Opinionit nuk mund të shmanget kurrë me justifikimin e një gjendje të jashtëzakonshme. Të gjitha format e opinionit janë të mbrojtura, duke përfshirë opinione të natyrës politike, shkencore, historike, morale ose fetare. Mjetet shprehëse përfshijnë libra, gazeta, pamflete, postera, banderola, veshje dhe parashtresa ligjore.


Vemendje: Përdorimi i "patronazhisteve" të partise-shtet, për të supresuar në çfarëdo mënyrë, të hapët apo të kamufluar, shprehejn e lirë të opinioneve, bie në kundershtim me ligjin ndërkombetar.


Për më tepër, përhapja e informacionit dhe ideve ndërmjet qytetarëve, kandidatëve dhe përfaqësuesve të zgjedhur, për çështjet politike, është thelbësore.


Lejohen dy fusha kufizimi per të drejtën e opinionit, të cilat kanë për qëllim, ose a) për të respektuar të drejtat apo reputacionin e të tjerëve, ose b) për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, rendit publik, shëndetit apo moralit publik.


Këto kufizime mund të percaktohen vetëm me ligj, dhe duhet të jetë në përputhje me kriteret strikte të domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit.


Shteti palë duhet të japë detaje të ligjit dhe të veprimeve që perfshihen në objektin e ligjit. Për shembull, ndalimet e përgjithësuara për funksionimin e faqeve-web dhe sistemeve të caktuara nuk janë në përputhje me këto kufizime të lejuara.


Për sa i përket pajtueshmërisë së Shqipërisë, komisioneri Nils Muižnieks ndoqi zhvillimet në lidhje me dy projektligje, të njohura si "Paketa Anti-Shpifje". Ligji i propozuar do të lejonte rregullatorin e medias në Shqipëri, Autoriteti i Medias Audio-Vizuale (AMA), të vendosë sanksione disproporcionale në faqet e lajmeve dhe do të nxiste autocensurën. Shqetësimet kryesore të Muižniek përfshijne diskrecionin dhe kompetencat e organeve rregullatore, mundësine për të imponuar gjoba të tepruara dhe për të bllokuar faqet e mediave pa vendim gjykate, si dhe futjen e rregulloreve shtetërore në mediat online.


Projektligji qartazi nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare të shtypit te lirë dhe nuk duhet të vazhdohet.


Shtetet palë duhet të kenë kujdes të veçantë për të inkurajuar media të pavarura dhe diverse, të lira nga kontrolli i shtetit. Një shtyp i lirë dhe i pacensuruar është komponent thelbësor i gëzimit të të Drejtave te Njeriut në një shoqëri të caktuar. Shtypi duhet të ketë mundësinë të komentojë mbi çështjet publike, pa censurë apo kufizime.


Në të Drejtat e Njeriut 2020 Raporti për Shqipërinë, pati kallzime se qeveria, bizneset, dhe grupet kriminale përpiqen të ndikojnë në media në mënyra të papërshtatshme.


Sindikata e Gazetarëve Shqiptarë (AJU) vazhdoi të raportonte vonesa të konsiderueshme në pagesat e rrogave për gazetarët në shumë media, në disa raste deri në 10 muaj, duke vënë në pikepyetje integritetin në punë. Në këtë mënyrë, forca të jashtme janë në gjendje të ndikojne mbi gazetarët në lidhje me raportimin e të dhënave faktike.


Brenda vetë sistemit, rreth 78 për qind e profesionistëve të medias mendojnë se ka kolegë gazetarë që përfshihen në praktika korruptive për të keqraportuar. (Raporti për të Drejtat e Njeriut 2020: Shqipëri). Për më tepër, OJQ-të pohojnë se etika profesionale ështe një prioritet i ulët për disa nga gazetarët e shqyrtuar.


Ka mbi 900 portale të lajmeve në vend, duke ngritur shqetësimin për përhapjen e lajmeve të rreme, nga ku perfitojne interesa të veçanta financiare, politike dhe kriminale.


Ekzistojne përpjekje të drejtpërdrejta dhe të tërthorta per te ushtruar presion politik dhe ekonomik në media, duke përfshirë kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve që perpiqen të hetojne krimin dhe korrupsionin (Raporti për të Drejtat e Njeriut 2020: Shqipëri).


Komiteti thekson se të gjitha personazhet publike, duke përfshirë edhe ata që ushtrojnë funksionet më të larta politike, si krerët e shteteve dhe qeverive, janë legjitimisht subjekte të kritikave dhe të opozites politike, ndaj nje censure e tille nuk mund të pajtohet me Konventën.


Ndalimi ndaj shpifjes


Sipas Seksionit 9 të Komentit të Përgjithshëm Nr. 34, Konventa është e papajtueshme me statute për të kriminalizuar mbajtjen e një opinioni. Kjo përfshin ngacmimin, frikësimin ose stigmatizimin e një personi.


Shqipëria përjeton shkelje të sanksioneve në lidhje me shpifjet me goje dhe shpifjet me shkrim. Siç thuhet në seksionin 47 të Komentit të Përgjithshëm, ligjet për shpifjen duhet të hartohen me kujdes për të siguruar që ato të mos mbysin lirinë e shprehjes. Përsa i përket komenteve për personazhet publike, duhet pasur parasysh shmangia e penalizimit të deklaratave të pavërteta që janë publikuar gabimisht, por pa ligësi. Duhet të merret parasysh interesi publik në cështjen e kritikes, në mbrojtje të publikuesit të informacionit në fjalë. Në trajtimin e këtyre rasteve, shtetet palë duhet të shmangin masat e tepërta ndëshkuese.


Shtetet palë duhet të shqyrtojnë më tej dekriminalizimin e shpifjes në tërësi, se burgimi nuk është kurrë një dënim i përshtatshëm në këtë fushë.


Ngritja e akt-akuzës ndaj një personi për një krim të shpifjes, por më pas mosvazhdimi i gjykimit me shpejtësi, do të kishte një efekt rrëqethës që mund të kufizojë më tej ushtrimin e lirisë së shprehjes.


Në shqyrtimin e ligjit shqiptar u konstatuan disa nuanca. Këtu përfshihen sanksione penale dhe nje maksimum me dy vjet burgim për fyerje kriminale dhe shpifje me shkrim (Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë). Siç thuhet në Komentin e Përgjithshëm, vetë kriminalizimi i shpifjes është një masë e panevojshme dhe joproporcionale që cenon premisën e lirisë së shprehjes. Nuk i shërben asnjë qëllimi legjitim që nuk mundet të mbrohet nga zgjidhjet në praktikat e së drejtës per te hedhur ne gjyq privatisht.


Për më tepër, është e qartë se veprat penale për shpifje janë jashtëzakonisht të papërcaktuara dhe të paqarta. Pesë dispozitat që mund të konsiderohen të paligjshme janë, “fyerje e thjeshte, shpifje e thjeshtë, fyerje (e funksionarëve publikë) lidhur me funksionin e tyre publik, shpifje (ndaj zyrtarëve publikë) lidhur me funksionin e tyre publik, dhe shpifje ndaj presidentit të republikës” (Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë).


Jo vetëm që kjo është problematike sepse përqendrohet rreth kritikave të zyrtarëve publikë, por edhe se paqartësitë e saj lejojnë mundësinë e sanksioneve penale kundër fjalës së ligjshme.


Kodi Penal Shqiptar vijon në qëndrimin e tij për fyerjen, duke thënë: “E njëjta vepër, kur kryhet publikisht, në dëm të disa (më shumë se një) personave ose më shumë se një herë, do të jetë kundërvajtje penale e dënueshme me gjobë ose deri në një vit burgim” (Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë).


Jo vetëm që kodi nuk e përkufizon "fyerjen", por gjithashtu nuk arrin të sqarojë se çfarë është gjithashtu një fyerje "e kryer publikisht". Kjo paqartësi e dëmshme u lejon gjykatave shqiptare të përdorin këtë diskrecion të pakufizuar për të ndrydhur padrejtësisht lirinë e shprehjes.


Duhet t'i kushtohet vëmendje edhe dispozitave që ofrojnë mbrojtje te ekzagjeruar ndaj zyrtarëve publikë. Qytetaret e akuzuar për shpifje janë përgjegjës privatisht për trajtimin e mbrojtjeve të veta, ndërkohë që zyrtarët shtetërorë përdorin me lehtësi prokurorët publikë lidhur me pretendimet e tyre për shpifje.


Përfshirja aktive në nivele të shumta e qeverisë shqiptare sjell një efekt seriozisht rrëqethës në lidhje me lirinë e shprehjes, pasi qytetari mbetet gojëmbyllur dhe i pambrojtur. Gazetarët nuk janë në gjendje të hetojnë rastet e korrupsionit, duke i lënë kështu zyrtarët shtetërorë në një gjendje të privilegjuar imuniteti ndaj kontrollit. Kjo qartazi bie ndesh me standardet ndërkombëtare të ligjit për të drejtat e njeriut dhe e heq fuqinë nga njerëzit, për të komentuar për sjelljen e qeverisë së tyre.


Paqartësitë në ligjet penale në lidhje me shpifjen minojnë barrën e provës, përgjegjësinë dhe kompensimet monetare për çështjet civile. Dështime si këto, shtuar gjobave e ndëshkimeve disproporcionale ndaj gazetarëve, mbysin shumë lirinë e shtypit e shprehjes në Shqipëri dhe duhet të reformohen menjëherë.


Gazetarët, jo vetëm që i nënshtrohen censurës, por edhe kanë përjetuar nivele joproporcionale të kërcënimeve me dhunë. Prej disa vitesh gazetarët bëhen objekte të dhunës policore gjatë raportimit për demonstratat në Shqipëri (Mijatovic).


Më 19 janar 2022 u shtrua në spital Ledio Guni nga kanali Fax News pasi u sulmua nga oficerët e policisë gjatë filmimit të një proteste (International Press Institute). Më 12 Prill 2021, Isa Myzyraj i Ora News u frenua fizikisht, u tërhoq me forcë dhe u ndalua për një periudhë kohore se u përpoq t'i bënte pyetje kryebashkiakut të Tiranës (International Press Institute).


Siç është ilustruar në këto raste, është e qartë se dhuna ndaj gazetarëve nuk është vetëm e pranishme në Shqipëri, por edhe shkon pothuajse e pandëshkuar; asnjë polic i vetëm i detajuar në raporte nuk dihet të jetë disiplinuar ose ndjekur penalisht. Duke marrë parasysh mënyrën publike të sulmeve, përgjegjësia parësore e shtetit është të hetojë incidente të papranueshme si këto dhe të mbajë përgjegjes autorët. Megjithatë, duket sikur Ministria e Brendshme dhe sistemi i prokurorisë publike ka dështuar në lidhje me këtë cështje. Është thelbësore që këto institucione te përmbushin përgjegjësitë e tyre për të hetuar sjelljet e pahijshme, për të mos vazhduar më tej kultivimin e një kulturë të mosndëshkimit.


Konkluzion


Si përfundim, Republika e Shqipërisë ka një histori të gjatë të korrupsionit dhe abuzimit te pushtetit, për shkak të një prej regjimeve më të rrepta totalitare në Evropën Lindore deri në vitin 1990.


Pavarësisht synimit per t'u anëtaresuar në Bashkimin Evropian, politika dhe qëndrimet e regjimeve te njëpasnjëshme e kane penguar përparimin e duhur të Shqipërisë drejt standardeve aktuale të të Drejtave të Njeriut.


Edhe pse ligjet përpiqen te jene në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, shumë prej tyre janë të paqarta dhe lejojnë keqtrajtim të hapur nga përfaqësuesit e pushtetit ndaj qytetarëve.


Duhet të bëhen përpjekje më të mëdha për të hetuar dhe dënuar këto kundërvajtje, pasi qytetarët vazhdojnë të mbeten të pafuqishëm, nën një dorë autoritare, dekada pas vdekjes së diktatorit Hoxha.




310 views0 comments

Comments


bottom of page