top of page

STATUTI I ORGANIZATES JOFITIMPRURESE "ORGANIZATA E QENDRES" (OQ)


STATUTI I ORGANIZATËS JOFITIMPRURËSE

"ORGANIZATA E QENDRËS"



Parathënie


Mbështetur në ligjet e mëposhtme të Republikës së Shqipërisë:

Ligji nr. 7850, datë 29.7.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”;

Ligji nr. 8788, datë 7.5.2001 "Për Organizatat Jofitimprurëse";

Ligji nr. 80/2021 "Për Regjistrimin e Organizatave Jofitimprurëse".


Ne, themeluesit e kësaj organizate, hartojmë këtë statut për rregullimin e hollësishëm të çështjeve të organizimit, funksionimit dhe veprimtarisë së kësaj organizate.



Neni 1

Përkufizime


Në kuadrin e këtij dokumenti, termat e mëposhtme kanë këto kuptime:


Ojf = Organizatë jofitimprurëse

Organizata = ojf “Organizata e Qendrës”

OQ = Akronim i emrit “Organizata e Qendrës”

Themeluesit = Anëtarët themelues të ojf “Organizata e Qendrës”

Statuti = Statuti i ojf “Organizata e Qendrës”

Bordi = Bordi i drejtorëve i ojf “Organizata e Qendrës”

Kryetari = Kryetari i Bordit të ojf “Organizata e Qendrës”

Sekretari = Sekretari i Bordit të ojf “Organizata e Qendrës”

Administratori = Drejtuesi administrativ i ojf “Organizata e Qendrës”

Arkëtari = Drejtuesi financiar i ojf “Organizata e Qendrës”

Shumicë e cilësuar = 2/3 (dy të tretat) e votave të votuesve


Neni 2

Lloji i organizatës


Neni 4 i Ligjit Nr. 8788, datë 7.5.2001 sanksionon të drejtën e themelimit dhe pjesëmarrjes në organizatë jofitimprurëse: “Çdo person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, ka të drejtë të themelojë një organizatë jofitimprurëse, të jetë anëtar i saj ose të marrë pjesë në organet drejtuese ose në personelin administrativ të organizatës jofitimprurëse.”


Neni 11.1 i Ligjit Nr. 8788, datë 7.5.2001 përcakton mënyrën e organizimit "qendër" për ojf:

“Qendra është person juridik pa anëtarësi, që ka për objekt të veprimtarisë së saj kryerjen e shërbimeve dhe realizimin e projekteve për qëllime në të mirë dhe në interes të publikut, me fonde dhe të ardhura të siguruara sipas ligjit. Nuk lejohet që qendra të kryejë veprimtari fitimprurëse.”


Mbështetur në sa më lart, ojf e themeluar nga ne, e quajtur "Organizata e Qendrës", me akronim "OQ", ka mënyrën ligjore të organizimit si ojf vendase e llojit qendër dhe është një organizatë sociale që zhvillon veprimtarinë e saj në Republikën e Shqipërise, në përputhje me statutin, aktin e themelimit dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore të zbatueshme për organizatat jofitimprurëse.



Neni 3

Emri, sigla, slogani dhe simboli i OQ


Organizata jofitimprurëse "Organizata e Qendrës", me akronim "OQ", ka shenjat e saj të njohjes, duke përfshire Emrin, Akronimin, Siglën, Sloganin, Simbolin, që identifikojnë dokumentat, produktet, shërbimet dhe aktivitetet e saj.


Emri: Organizata e Qendrës


Akronimi dhe sigla: OQ


Slogani: Ne jemi shumica


Simboli: Fushë e bardhë me një pemë të gjelbër ulliri me rrënjë, ku ngjyra e bardhë e fushës përfaqëson pastërtinë e qëllimeve dhe ulliri i gjelbër përfaqëson forcën, paqen, ambientin, traditën, begatinë, Shqipërinë.



Neni 4

Themeluesit


Themeluesit e Organizatës së Qendrës janë 8 persona, te diversifikuar per nga gjinia, mosha, krahina dhe origjina fetare.



Neni 5

Statuti


Statuti i Organizatës së Qendrës hartohet nga Themeluesit dhe miratohet në mbledhjen themeluese të Organizatës, me shumicë të cilësuar të të gjithë Themeluesve. Lejohet miratimi i Statutit me postë elektronike.



Neni 6

Qëllimi dhe fusha e veprimtarisë


Vlerat themelore të OQ janë:


Besojmë se të gjithë njerëzit lindin me të drejta të barabarta, ndërmjet të cilave liria, drejtësia, oportuniteti dhe solidariteti.


Besojmë se demokracia është rendi që, më mirë se cilido rend tjetër, siguron mbrojtjen dhe zgjerimin e këtyre të drejtave.


Besojmë se demokracia forcohet kur rritet pjesëmarrja parimore, jo tribale, jopartiake, e njerëzve në jetën sociale e politike të shoqërisë.


Bota është e organizuar në kombe. Besojmë se, detyra e shqiptareve, ndaj vetes dhe njerëzimit, është që, në radhë të parë, të rregullojnë vendin e vet.


Misioni ose fusha e veprimit e OQ:


Të rrisë pjesëmarrjen parimore, jopartiake, konstruktive, në jetën social-politike të vendit, të shqiptarëve të paangazhuar, ndenjës dhe të diasporës, nëpërmjet aktivizmit social dhe aksionit juridik me impakt të lartë.


Vizioni ose qëllimi i OQ:


Një Shqipëri ku çdo shqiptar të gëzojë të drejtën reale dhe mundësinë praktike të marrë pjesë lirisht në të gjitha fushat e zhvillimit të vendit, pa u penguar nga tribalizmi e korrupsioni, për të arritur potencialin e plotë të fatit, vullnetit e talentit te vet.



Neni 7

Paanësia politike


Aktiviteti i OQ nuk ka ngjyrë partiake apo politike, në kuptimin e përkrahjes apo refuzimit të ndonjë partie politike. OQ mbështet projektet konkrete që përputhen me vlerat e veta, apo distancohet nga projektet që janë në kundërshtim me vlerat e veta, në mënyrë parimore, pa anësi e paragjykim.


Neni 8

Përgjegjësia ligjore


OQ fiton personalitetin juridik ditën që vendimi i gjykatës për regjistrimin e saj ka marrë formë të prerë. OQ, pasi të ketë fituar personalitetin juridik, është përgjegjëse si organizatë ndaj të tretëve për detyrimet dhe dëmet e shkaktuara gjatë veprimtarisë së saj. Drejtuesit apo Themeluesit e OQ nuk janë individualisht përgjegjës për aktet e kryera në kuadrin e veprimtarisë së organizatës, përveç rasteve të parashikuara nga ligji të dëmtimeve me dashje, apo nga pakujdesia e rëndë.



Neni 9

Bordi i OQ


Organi më i lartë vendimmarrës i OQ është Bordi. Bordi zgjidhet nga Themeluesit e OQ.

Videokonferencat kualifikohen si mbledhje te Bordit. Komunikimet me postë elektronike kualifikohen si komunikime zyrtare ndërmjet anëtarëve të Bordit. Për çështje të veçanta, Kryetari i Bordit mund t'u kërkojë anëtarëve të Bordit të kryejnë votim me email kolektiv, rezultati i të cilit regjistrohet nga Sekretari i Bordit.


Bordi mblidhet jo më pak se një herë në vit. Mbledhja e Bordit thirret nga Kryetari i Bordit, Administratori, ose dy anëtarë të Bordit.


Çdo anëtar i Bordit ka një votë. Si rregull, Bordi mblidhet me pjesëmarrjen e më shumë se gjysmës së anëtarëve të tij dhe vendos me shumicë të anëtarëve të pranishëm, përveç rasteve ku Statuti kërkon shumicë të cilësuar.



Neni 10

Kompetencat e Bordit


Bordi, ndërmjet të tjerave, përcakton fushat dhe programet e veprimtarise; mbikqyr realizimin e programeve, mbikqyr çështjet e financave e të administrimit; miraton buxhetin, nxjerr norma për strukturën organizative, emëron e shkarkon drejtuesit me funksione të veçanta, krijon e shpërndan komitete të posaçme. Bordi ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet e Organizatës, në përputhje me ligjin dhe Statutin.


Bordi fillestar i OQ përbëhet nga gjashtë themelues, të zgjedhur nga të gjithë Themeluesit me shumicë të cilësuar. Numri i lejuar i anëtarëve të Bordit është i papërcaktuar; mund të jetë 1 ose më shumë. Bordi, me shumicë të cilësuar të të gjithë anëtarëve të tij, ka të drejtën të kooptojë anëtarë të rinj të Bordit.


Bordi, me shumice të cilësuar të të gjithë anëtarëve të tij, ka të drejtën të përjashtojë nga Bordi anëtarë për mospjesëmarrje, shkelje të statutit, veprimtari kundër Organizatës, prishje të imazhit etiko-moral të Organizatës. Kryetari, së bashku me Sekretarin e Bordit, mund të deklarojë të larguar nga Bordi një anëtar kur vdes, apo kur jep dorëheqjen.


Bordi, me shumicë të cilesuar të të gjithë anëtarëve të tij, ka të drejtë të ndryshojë Statutin.


Bordi, me shumicë të cilësuar të të gjithë anëtarëve të tij, zgjedh Kryetarin e Bordit, për një kohëzgjatje 2 vjeçare.


Bordi, me propozim të Kryetarit, miraton Sekretarin e Bordit, Administratorin e OQ dhe Arkëtarin e OQ për një kohëzgjatje 2 vjeçare. Administratori dhe Arkëtari nuk mund të jenë anëtarë të Bordit.


Nqs Kryetari, Sekretari, Administratori, Arkëtari nuk janë zëvendësuar nga Bordi në mbarim të kohëzgjatjes së tyre 2 vjeçare, vazhdojnë në detyrë deri sa Bordi të marrë vendim për t’i zëvendësuar.



Neni 11

Kryetari i Bordit


Kryetari i Bordit mban titullin "Kryetari i Organizatës së Qendrës". Funksioni i tij kryesor është puna me njerëzit dhe idetë: kryeson mbledhjet e Bordit, koordinon komunikimin me anëtarët e Bordit, flet në emër të Bordit brenda dhe jashtë Organizatës, përfaqëson Organizatën në bisedime programatike me bashkëpunëtorë të jashtëm, koordinon rrahjen e mendimeve në lidhje me planet dhe veprimet, frymëzon fushatat e marketingut dhe financimit, udhëheq politikën e kuadrit, mbikqyr punën e aparatit ekzekutiv të Organizatës, në emër të Bordit.



Neni 12

Sekretari i Bordit


Sekretari i Bordit mban arkivin e Organizatës, që përfshin dokumentat e themelimit, procesverbalet e mbledhjeve të Bordit, regjistrin e vendimeve të Bordit, regjistrin e anëtarëve dhe drejtuesve, kopjet e kontratave dhe marrëveshjeve si dhe të gjitha dokumentat e rëndësishme të Organizatës. Në rast mungese të Kryetarit, Sekretari luan përkohësisht rolin e tij.


Neni 13

Administratori


Administratori është kreu i aparatit administrativ të Organizatës. Harton buxhetin për t'u miratuar nga Bordi, drejton operacionet e përditshme, punëson dhe pushon stafin administrativ, përgjigjet për zbatimin në praktikë të vendimeve të Bordit, përfaqëson Organizatën në marrëdhëniet ligjore dhe financiare me subjekte publike e private, donatorë, klientë, furnizues, si dhe me të gjitha hallkat e pushtetit që rregullojnë veprimtarinë e Organizatës.


Neni 14

Arkëtari


Arkëtari mbikqyr menaxhimin e financave të Organizatës prej aparatit administrativ, zgjedh bankën, kontrollon pasqyrat e lëvizjeve të llogarive bankare, shërben si firmë e dytë e detyrueshme në çeqet e pagesave, menaxhon investimet e Organizatës, organizon auditin vjetor të kontabilitetit të Organizatës dhe ia paraqet Bordit.


Neni 15

Këshilli Ekzekutiv Kolegjial


Kryetari, Administratori dhe Arkëtari përbëjnë Këshillin Ekzekutiv Kolegjial, i cili është organi i lartë ekzekutiv i Organizatës, përgjegjës para Bordit për veprimtarinë e përditshme dhe ekzekutimin e programeve të Organizatës.



Neni 16

Konflikti i interesave


Nuk lejohet konflikti i interesave. Marrëveshjet ndërmjet Organizatës dhe një drejtuesi, anëtari apo punonjësi të saj mund të lejohen vetëm nqs lidhen për të përmbushur një qëllim të veprimtarisë së Organizatës, vetëm nqs janë të drejta, transparente dhe në përputhje me çmimin e tregut. Këto marrëveshje kërkojnë miratimin e Bordit, ku personat e interesuar duhet ta përjashtojnë veten nga diskutimet dhe votimi. Në rast se konflikti i interesit është konsumuar në kundërshtim me procedurën e mësipërme, Bordi mund ta anulojë këtë marrëveshje dhe të ngrejë padi në Gjykatë për shpërblim dëmi.


Neni 17

Punonjësit e paguar


Punonjësit e paguar të Organizatës nuk mund të jenë anëtarë të Bordit. Ata mund të marrin pjesë në mbledhjet e Bordit, të ftuar nga Kryetari, por pa të drejtë vote.


Neni 18

Burimet e të ardhurave


Burimet e të ardhurave të Organizatës përfshijne kuotizacionin, donacione, fonde, grante nga subjekte private ose publike, vendas ose të huaj, të ardhura nga veprimtaria ekonomike dhe pasuri në pronësi të Organizatës, si dhe çdo lloj tjetër veprimtarie të ligjshme. Mënyra parësore e financimit është mbledhja publike e fondeve, me anë të fushatave sensibilizuese publike në shkallë të gjërë.



Neni 19

Shpenzimet


OQ bën shpenzime vetëm për realizimin e qëllimeve të veprimtarisë së saj, si dhe për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e pasurisë së saj. Nuk lejohet asnjë formë përfitimi financiar apo material nga të ardhurat e Organizatës, prej personave që janë subjektë të Statutit ose Aktit të Themelimit, përveç detyrimeve në formën e pagave, rrogave, pagesave, shpërblimeve e kompensimeve që rrjedhin nga kontrata e punës, ose kontrata të tjera të ngjashme, ose për mbulimin e shpenzimeve të kryera me porosi dhe për llogari të Organizatës.



Neni 20

Shpërblimet


Anëtarët e Bordit dhe drejtuesit e Organizatës të ngarkuar me funksione të veçanta, fillimisht do ta ushtrojnë detyrën e tyre pa shpërblim, si kontribut vullnetar në të mirë dhe interes të publikut. Me rritjen eventuale të Organizatës, barrës së punës dhe fuqisë ekonomike të Organizatës, Bordi do shikojë mundësinë e rimbursimit dhe shpërblimit të arsyeshëm të anëtarëve të Bordit e të drejtuesve ekzekutivë të Organizatës, në përputhje me ligjin dhe me parimin e interesit më të mirë të Organizatës.


Neni 20

Kohëzgjatja


Kohëzgjatja e aktivitëtit të OQ është pa afat.



Neni 21

Ndërprerja


Kohëzgjatja e OQ mund të ndërpritet përfundimisht me vendim të shumices së cilësuar të të gjithë anëtarëve të Bordit.


Në rastin e ndërprerjes përfundimtare, Bordi, me propozimin e Kryetarit, miraton emërimin e një ose më shumë likuidatorëve të aseteve financiare të Organizatës, të cilët përgatisin, për miratimin e Bordit, bilancin e likuidimit të Organizatës.


Në rast të mbetjes së një pasurie, Bordi, me shumicë të cilësuar të të gjithë anëtarëve të tij, ia dhuron këtë mbetje një organizate jofitimprurëse tjetër, me mision të ngjashëm me OQ.



Neni 24

Bashkimi, Ndarja


Bordi, me shumicë të cilësuar të të gjithë anëtarëve të tij mund të vendosë bashkimin e Organizatës me organizata të tjera, ose ndarjen e organizatës në disa persona juridike.



Neni 25

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve


Për mosmarrëveshjet që mund të lindin midis anëtarëve të Bordit, apo në struktura të tjera të Organizatës, duhet të bëhen përpjekje që të zgjidhen me mirëkuptim. Në të kundërt, mund t’i shtrohen për zgjidhje Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.



Neni 26

Dokumentacioni


Ky statut është hartuar në gjuhën shqipe. Për përmbajtjen e këtij statuti Themeluesit kanë rënë dakort, siç vërtetohen nga nënshkrimet e tyre.


Ky statut përgatitet në katër kopje origjinale me vlerë të njëjtë; njëra kopje depozitohet në gjykatë; një tjetër e mban noteri, një tjetër e mban Kryetari, një tjetër e mban Sekretari i Bordit.




22 views0 comments

Recent Posts

See All

Ducja

Situata politike ne Itali para Luftes se Pare Boterore (L1B) Me 29 korrik 1900, nje anarkist i quajtur Gaetano Bresci vrau me arme zjarri ne Monza te Italise gjate nje aktiviteti sportiv, mbretin Umbe

bottom of page