Të ulur përballë në tryezën e gjerë të dhomës së ngrënies, nënë e bir rrinin të heshtur. Nga dhoma - studio vinin lehtë tingujt e një muzike e cila të krijonte një gjendje shlodhëse, nga ato që të nxisin dëshirën për të çliruar nga vetja tërë atë që ti përsjell në mendje e shpirt.
Jashtë kishte marrë shtruar një shi i dendur, i imët, që të fuste ftohtësirën. Kishte ca kohë që nënë e bir komunikonin me copa mes tyre. Nëna, piktore e njohur, një grua e mbajtur me sqimë, ndaj së cilës s’mund të rrije indiferent kur e ndeshje, rrinte me orë në studion e saj dhe punonte. Ekspozita do të hapej së shpejti dhe portreti duhej përfunduar. Por puna nuk e kënaqte siç donte. Ajo e shihte, e ndiente se diçka mungonte, ndaj ishte disi e shqetësuar. I dukej se nuk kishte arritur të fiksonte në telajo, siç donte, karakterin e personazhit, megjithëse puna akoma s’kishte përfunduar dhe, qejprishur, mendohej e fiksonte hapësirën e ujshme përtej qelqnajës së dhomës. Djali vërente i heshtur të ëmën. Sa herë, së vogli, kishte qenë modeli i së ëmës. E kujtonte si e vinte e ëma të pozonte dhe ai rrinte e lëvizte, ngrihej e dilte nga studioja e kthehej përsëri e thërriste : “Unë s’jam ky këtu! Është një tjetër, një tjetër!”
E ëma s’e kishte qortuar kurrë për padurimin fëmijëror.Tani ishte i rritur. Ndiqte universitetin në degën e filozofisë. Ndjekja e kursit, studimi dhe shoqëria i zinin një pjesë të mirë të kohës. Pas leksioneve, vinte në shtëpi, drekonte, studionte dhe dilte përseri në mbasditen e shtyrë. Kur e ëma ndodhej në studio, si për të kryer një rit, fuste kokën dhe përshndeste nxitimthi.
Atë mbasdite s’kishte lënë asnje takim e, për më tepër, e ndinte veten të lodhur. Në këtë ditë shiu kishte pëlqyer më mirë të rrinte në shtëpi. Kishte disa minuta që e vërente të ëmën, ia ndiente shqetësimin, por mosbesues në aftësitë e tij për të shtendosur një ngërç, nuk fliste. Kujtonte kohën kur e ëma kishte qenë si një frymëmarrje për të, kur ndalej e shihte i mrekulluar çdo punim të saj dhe me entusiazëm i thoshte edhe ndonjë mendim të tijin. E ëma gjithnjë ia kishte mirëpritur fjalën dhe, së bashku, kishin fjalosur, njëlloj sikur të ishte një diskutim ndërmjet kolegësh. Ai ishte rritur me artin e saj. Ku ishte tretur dialogu ndërmjet tyre? Nuk e ndjeu veten mirë prandaj dhe nxitoi të ndërhynte. “Nënë, - theu heshtjen djali, - ç’ka ndodhur me punën?” Ai e dinte sa kërkuese dhe e përkushtuar ishte e ëma me artin e saj. Kjo kishte bërë të gëzonte emër mes kolegësh.
Nga ana tjetër e tryezës nëna fiksoi për një kohë të gjatë të birin, pastaj foli. “ Ç’ka ngjarë sonte që je në shtëpi? - iu përgjigj pyetjes me pyetje. Dhe duke mos e fshehur shqetësimin, që iu drodh fytyrës, shtoi: “ Kur ke parë për herë të fundit se çfarë kam në duar? Ti s’je futur prej kohe në studion time ose, më saktë, sa ke hedhur shkarazi vështrimin e me një përshëndetje vetëtimë, ke mbyllur derën e je larguar. Ti e di se unë i kam mirëpritur gjithnjë fantazitë e tua, se sa shumë do t’i jepje edhe me ndalesën tënde pak minutëshe, frymëzimit tim. Ti ke qenë kurdoherë muza ime”. Heshti një hop e mandej shtoi: “Ç’ka ndodhur me ty? Më ke vendosur një pengesë përpara e s’më le kohë as të të afrohem, a thua se jam tjetërsuar e s’më njeh më. Ç’ka ndodhur me ty, a mund të më shpjegohesh?” Nuk kishte menduar kurrë se do te kishte nje bisede të tillë,me të birin, i cili shpejtoi të fliste: ”Nënë, përse nuk arrin të mirkuptosh ndryshimin e moshës? Të tjera interesa, të tjera dëshira, tjetër botkuptim. Unë arrij të të kuptoj ty, jetën tënde, mbyllur në studio, pjesën më të mirë të kohës, ankthin tënd të krijimit artistik, ndërsa ti e ke më të vështirë të futesh në botën time sepse, tashmë, je larg rendjes së të riut, dëshirave, ambicieve, mendjeçartjeve të mia. Veçuar në studion tënde, ti s’mund të futesh në hapësirën time, me tërë njohjet e kontaktet e vazhdueshme që unë kam çdo ditë. Ti s’mund të më ndjekësh më në rrugëtimin tim”.
E ëma e dëgjonte thuajse e hutuar nga ajo breshëri fjalësh, që i erdhen të largëta, por gjithsesi krejt të qarta. Përse duhej të ishte kaq i nxituar dhe i ftohte në tëre ato që i biri thoshte? Nuk e ndërpreu për asnje çast dhe kur pa se ai kishte mbaruar së foluri, nisi fjalën. “Ti harron se njëherësh unë jam grua, nënë dhe artiste. Si grua, kam intuitën; si nënë, kam dashurinë; si artiste kam ndjeshmërinë. Mbledhur së toku më aftësojnë të shoh, të ndiej e të kuptoj shumë. Ndaj, për mua s’ka barriera, që më pengojnë për të të kuptuar ty, me tërë hovet dhe thirrjet e moshës. Je ti që nuk arrin dot tek unë”, - shtoi ajo me një frymë. Ndaloi pak e mandej vazhdoi. “A i njeh ti vorbullat e shpirtit tim? Ku je ti kur jam e kapërthyer nga shqetësimi i ëndrrave, i lëkundjes, i thirrjes së turbullt të brendësisë, i vuajtjes së mënjanimit? Ku ishe ti kur së vogli u enda nëpër njerëz, për arsyet që i di? Ku ishe kur pamundësia më zvogëlonte? Ku ke qenë ti kur përjetova dhimbjen më të rëndë të jetës time e cila më tjetërsoi? Po, ti ke ke qenë kur fizikisht përballa dhimbjet për të te dhuruar dritën, por atëherë ishe një vogëlimë dhe, i pasigurtë e i hutuar nga kontakti i parë me realitetin, dite vetëm të ankohesh. Qave fort dhe unë të qetova. Që nga ai çast unë kam qenë gjithnjë me ty, dite pas dite e, kur u rrite, të ndoqa në heshtje për të të dhuruar mvehtësinë. Unë e kuptoj harenë kur të rrëmben, shqetësimin kur të vogëlon, luhatjen kur ndesh në pasigurinë. Unë jam gjithnjë pranë teje e lëshoj e fal, sepse kam dashurinë për ty, që s'lëkundet asnjëherë. Mundohu sadopak të më kuptosh. Do të ndihesh më mirë, jam e sigurtë".
I biri s'e kishte ndërprerë për asnjë çast. Kishte dëgjuar tregimin e tërë një jete të së ëmës. Pati shtysën të shkonte drejt saj për ta shtrënguar fort në krahëror, si për të shlyer mangësite e tij si bir, por nuk e kuptoi as vetë ngurrimin. Ndoshta deshi të përjetonte në distancë, në brendësine e tij, tërësinë e pendesës. E fiksoi gjatë të ëmën, më i qetë se kurrë dhe duke u kthyer nga qelqnaja,foli: "Paska pushuar shiu".
k.d.
Comments