top of page

Lojërat e Dashurisë



LUIS SEPÚLVEDA

Kur u pamë për herë të parë, reflektuar në pasqyrat e sallonit të madh të banketeve të Qendrës Katalane të Santiagos, ishim të dy katërmbëdhjetë vjeç. Ishim në ceremoninë e mbylljes se kursit të mirësjelljes ku qytetarët e shtresës së mesme regjistronin fëmijët për të mësuar të uleshin në tryezë, të përdornin siç duhet pirunjtë dhe thikat dhe të mos ngatërronim gotën e ujit me atë të verës së kuqe, të verës së bardhë dhe të verës së gazuar. Na mësonin edhe të kërcenim valcer, pasodoble, cueca, por nga të gjitha unë parapëlqeja hapat e guximshme të tangos, sepse gugatjet e bandoneon-it(instrument muzikor),më bënin të ndihesha më shumë burrë.

Mjeshtri i ceremonive na uli përballë dhe brenda meje e mallkova sepse nuk na kishte sistemuar pranë duke më penguar kështu të nxirrja në pah mënyrat e mia si kavalier, tashmë perfekte e që donin të thoshin të spostoja karriken e damës duke e mbajtur te shpinorja dhe duke e shtyrë lehtë përpara, ndërsa vajza rehatohej. Duhej të kënaqesha me një perkulje të lehtë, së cilës ajo iu përgjigj me një përkulje të sjellshme të kokës.

Ajo, ah,Ajo! Kishte flokë gështenjë të lidhura bisht, që i zbriste deri në gjysmë të shpinës e që dukej si një aksesor i ngrohtë i fustanit prej museline të bardhë. Unë me smoking, një këmishë mbrëmje dhe papionin, kisha si të gjithë djemtë një ajër të freskët prej pinguinësh me artrozë.

Kur sytë e saj të mëdhenj u drejtuan tek unë, ndjeva që po fillonin të më djersiteshin duart, që papioni po më merrte frymën e që duhej patjetër të bëja diçka. Atëherë mora pecetën dhe, besnik i mësimeve të profesorit të sjelljeve të mira, e shkunda që të shpalosej dhe e vura mbi këmbën e djathtë.

“Çfarë ka, do të kërcesh një cueca, një samba, një chamame(valle argjentinase)”? pyeti nga kreu i tavolinës mjeshtri i ceremonive.

Vajzat kukurisën mbyturazi dhe u skuqën, djemtë qeshën hapur, unë u ndjeva i vdekur por ajo, pa më hequr sytë që m’i kish ngulur, mori pecetën, e shkundi dhe e la t’i rrëshqiste në prehër. Mjeshtri i ceremonive e anashkaloi këtë thyerje të protokollit dhe tringëlloi një zile duke i dhënë nxitje fillimit të prezantimeve. Kur qe turni ynë, shtyva mbrapsht karrigen me këmbë, u ngrita, thashë emrin tim dhe mandej shtova që ndiqja Liceun Shtetëror e që ishte një kënaqësi njohja me të. Ajo, mbas një përkulje të lehtë të kokës, tha që quhej Marly, që ishte nxënëse e Kolegjit Santiago dhe që ishte shumë e gëzuar të njihej me mua.

Shqiptimi i Kolegjit Santiago më shqetësoi. Ishte një shkollë që ndiqej nga vajzat e borgjezisë, ndërsa Liceu Shtetëror ishte i njohur për karakterin rrebel dhe prirjet rvolucionare të studentëve të tij.

Ajo parodi e darkës u shty përpara pa trazira të mëdha. Asnjë nuk bëri zhurmë duke ngrënë supën dhe askush s’e përplasi pirunin mbi pjatë në çastin e prerjes së asparagusit në copa. Asnjë nuk gaboi me takëmet e ngrënies së peshkut o mishit dhe asnjë nuk ngatërroi gotat. E njëjta gjë ndodhi edhe me bashkëbisedën. Marly tha që asparagët iu dukën të shijshëm dhe unë u përgjigja që ndaja të njejtin mendim. Unë i thashë që pasqyrat e bënin sallën te dukej më e madhe dhe Marly tha se ndante të njejtin mendim me këndvështrimin tim interesant. Çdo kopje shkëmbeu mijëra fjalë, por asnjë nuk tha absolutisht asgjë komprometuese o që të stononte. Për kënaqësinë e mjeshtrit të ceremonive, u sollëm si cinikë të mëdhenj o si idiotë të pakrahasueshëm.

Mbas deserit lajmëruan që mund të shkonim në sallën e ballos e kësaj here pata shtysën të vë në praktikë rregullat që më kishin mësuar: spostova karrigen, prita që Marly të vendoste pecetën mbi tavolinë dhe i afrova krahun. Me shpresën për t’i ndenjur ne krah për orë, e çova në sallonin pranë. Natyrisht të gjithë do të kishim pëlqyer të kërcenim muzikën rock, por ishin të pranishëm edhe prindët që donin të shihnin përparimet e bëra nga bijtë, kështu që mjeshtri urdhëroi të vihej një vals dhe këcyem me trupat drejt e të ndarë. Dora ime e djathtë i prekte sapo vithet, por ndjeja një të nxehtë të vrullshëm të lëkurës poshtë muselinës. Mbaruam valsin, vazhduam me një pasodople, por kur po lajmëronin një cueca, kërcimi ynë popullor, Marly, për habinë e të gjithëve, iu afrua personit që vinte disqet, i tha diçka në vesh dhe shpejt salla u përmbyt nga notat e një kënge të Leonardo Favio-s. Mjeshtri i ceremonive, i zemëruar, dha urdhër të hiqej ajo muzikë vulgare, por nga radha e prindëve u ngrit zëri i gjyshit të Marly-t.

“Unë paguaj për të financuar këtë qendër dhe mbesa ime mund të kërcejë çfarë të dojë”.

Din dan din don, janë lojërat e dashurisë, këndonte Leonardo Favio dhe çiftet afroheshin, prekeshin, shtrëngoheshin me gjithë dëshpërimin e mjeshtrit të ceremonive, që parapëlqente të shihte diku tjetër kur vajzat rroknin qafën e shokut të tyre dhe ne djemtë i përqafonim duke lidhur duart pas shpinës. Din dan din don, janë lojërat e dashurisë, më këndonte Marly në vesh dhe unë djersija, ndërsa duart preknin fillimin e vitheve të saj. Ndërsa kërcenim thamë moshën tonë, ndamë pasionin për Bitëllsat, për Pieron, për Leo Dan e natyrisht për Leonardo Favio-n. Unë e gënjeva kur e sigurova se mua nuk më interesonte futbolli. Dhe nuk e di nëse ajo ishte e sinqertë kur më tha se i pëlqente era e kolonjës qe kisha vënë dhe filmat me Stanio e Olio. Treguam aq sa për të fiksuar një takim të nesërmen, në kopshtet e Bibliotekës Shtetërore dhe kuptova se ia vlente të ndjekësh tridhjetë leksionet e mërzitshme të kursit të përshpejtuar të mirësjelljes.

Kur erdha në vete, me rrobën e pinguinit të palosur me kujdes në një valixhe të vogël, dola në rrugë me një buzëqeshje vesh më vesh dhe me dëshirën për t’u hedhur, për të bërtitur, për të kënduar din dan din don, janë lojërat e dashurisë.

Takimi ishte në pesë pasdite, një orë fatale, siç njihet. Marly nuk erdhi. Numërova palmat, zambakët, koshat e hedhurinave, stolat me hekur bojë bari, njerëzit që dilnin nga biblioteka, karrocat e shitësve të lajthive, i tambores( kontenitorë tipikë të ngjyrosur ngjashëm me daullet e shitësve të kuleçëve) dhe pëllumbat që glaconin mbi statujën e Benjamin Vicuna Mackenna ( ish pjesëtar i Dhomës së Deputetëve). Në tetë të mbrëmjes nuk dija më ç’të numëroja. Ajo kafshatë e hidhur më mbushi me pasiguri dhe zemërim. Gjëja e parë që mendova qe: qartë, një vajzë e përkëdhelur e Kolegjit Santiago nuk bëhet me një të kuq të Liceut Shtetëror. Vaftë në të s’ëmës. Por pastaj e përfytyrova në lot, mbyllur në shtëpi, e vëzhguar nga një familje e urryer dhe nga një ushtarak në pension, në shërbim si portier ruajtës. Din dan din don, janë lojërat e dashurisë, me siguri duhet të qe me grip, e shkreta dhe duhet të qe në shtrat me hundët e buhavitura dhe me djegie fyti. Ditën tjetër ika nga leksioni dhe shkova në Kolegjin Santiago, në orën e hyrjes. Por qe e kotë, Marly nuk u pa.

Mbas një jave që përsërisja çdo ditë skenën e shfaqjes para portës së shkollës, u kujtova që nxënëset dhe ata që i prisnin në dalje kishin filluar të më shihnin me dyshim. Kështu, për të shmangur që të dëbohesha me forcë, vendosa të kryeja një gjest të guximshëm dhe hyra për të marrë lajme nga e munguara.

“Dhe përse do ta shohësh këtë zonjushë Marly së cilës nuk i di as mbiemrin?” më pyeti një grua që qelbej tmerrësisht prej autoritetit.

“Është që kjo zonjushë ka humbur një objekt me vlerë dhe dua t’ia kthej. E kam njohur në kursin e mirësjelljes të Qendres Katalano”.

Gruaja kontrolloi një listë të gjatë dhe përfundoi që nuk kishte asnjë nxënëse me emrin Marly.

E harrova. Jo, nuk e harrova, por as nuk lashë që të më shkatërronte jetën. Çdoherë që shihja tim atë tek dëgjonte programin e tij të tangos, me sy ëndërrues, thosha që dashuria nuk duhej të ofronte mundësi të tjera përveç vuajtjes. Nuk e harrova dhe emri i saj më shërbeu të shpikja një histori dashurie me një vajzë babai, të Kolegjit Santiago, që miqtë e mi e merrnin për të vërtetë.

Kaluan katërmbëdhjetë vite dhe jeta ime dalngadalë mori tiparet e një aventure të mrekullueshme sepse ishte nje

botë që kërkonte ndryshime sociale. Kujtoj që e pashë një mëngjes dimri. Isha tetëmbëdhjetë vjeç dhe isha një drejtues i lëvizjes studentore i angazhuar me kohë të plotë në barrikadat tona të 68-ës. Kërkonim një reformë që ta bënte universitetin një qendër të vërtetë agjitacioni social, që t’i hapej punëtorëve , që të bëhej zemra e ndryshimeve të mëdha dhe e revolucionit. Tërë kjo natyrisht nuk i pëlqente dhe aq qeverisë dhe policia punonte fort që tërë pesha e ligjit të binte mbi kokat e studentëve . Dimrat në Santiago janë të tmerrshëm dhe ai i ‘68-ës qe akoma dhe më, sepse ndotjes së zakonshme i shtohej gazi lotsjellës dhe plumbat.

Isha duke kënduar me tërë fuqinë “Internacionalen” bashkë me një grup shokësh kur një zë gruaje filloi të këndojë një këngë tjetër. “Din dan din don, janë lojërat e dashurisë”.

Ishte ajo. Edhe pse nuk kishte të veshur fustanin prej museline të bardhë, por xhinse, një xhaketë dhe kishte gjysmën e fytyrës mbuluar nga një shami për të pakësuar efektin e lothedhësve, njoha menjëherë sytë e saj. Më përqafoi sikur të ishim parë dy ditë më parë dhe unë iu përgjigja përqafimit të saj. Policia mbushi armët, ne mbaruam gurët, fuguam për të shmangur shkopinjtë dhe u gjendëm të ulur ballë për ballë në tavolinën e një bari.

“Din dan din don, janë lojërat e dashurisë”, këndoi me gjysmë zëri, ndërsa rrotullonte lugën e vogël.

“Vajza e Kolegjit Santiago. Më fal, shoqja e Kolegjit Santiago”, i thashë.

“Tani bëj pjesë te komunistët e rinj”, u pergjigj.

“Të quajnë përsëri Marly?”.

Per përgjigje u ngrit nga karrigia, u përkul mbi mua dhe më dha një puthje të gjatë në gojë. Dolëm të përqafuar Çdo dy tre hapa ndalonim dhe putheshim me ankth. Nuk bëri asnjë vërejtje kur duart e mia kaluan nën xheketë për të palpuar fortësinë e gjinjve të saj, as kur zbritën mbi vithe duke kujtuar fortësinë e tyre. Folëm për kauzën, për luftën, për asamblenë në të cilën kishim marrë pjesë në pasdite.

“Shkove në takim?” pyeti papritur. Iu përgjigja po, por nuk fola për javën që kisha kaluar i ulur përballë Kolegjit Santiago dhe për dëshpërimin që kisha ndjerë kur kisha zbuluar që nuk kishte mësuar kurrë aty.

Në asamblenë që mbahej në fakultetin e pedagogjisë, u ulëm në rreshtin e fundit. Aty, mes një puthjeje e një tjetre, duartrokitëm delegatët e MIR, komunistët e socialistët, fishkëllyem filokinezët dhe ngritëm duart kur u votua për të vazhduar grevën dhe luftën në rrugë. Atë natë vendosëm të flinim në akademi. Si shumë të tjerë edhe unë shkoja gjithkund i shoqëruar me një sacco a pelo( thes prej lëkure) sepse ne udhëheqësit kishim detyrën të ishim gjithkund në çdo orë. U sistemuam në sallën e provave të shkollës së artit dramatik. E zeza e kuintave i jepte një dozë romantiçizmi qiriut që kishim ndezur. Pimë disa gllënjka verë, u përkëdhelëm, u puthëm, e zhvesha, më zhveshi dhe vazhduam me përkëdhelje, “din dan din don, janë lojërat e dashurisë”, në ngrohtësinë e thesit prej lëkure.

“ Të quajnë Marly, e mandej?” e pyeta duke i kafshuar veshin. Gjuha e saj u kap me timen. Ishin puthje të shtriguara, siç e thotë një tango. E mandej? Dua të di emrin tënd, këmbëngula , por tamam në këtë çast hynë të më kërkonin dy delegatë.

“ Më vjen keq por janë probleme më të rëndësishme se dashuria”, tha njëri prej tyre.

“Mos e pi tërë verën. Dhe mos fli”, i thashë ndërsa vishesha. “Din dan din don, janë lojërat e dashurisë”, u përgjigj ajo.

Problemet do të diskutoheshin në sallën e skulpturës. Ndërsa po shkonim, një nga delegatët komentoi: “ Është tamam një kafshatë e bukur, shoqja. Një bukuri e vërtetë.

“ Çfarë studion? pyeti tjetri. Nuk dita t’i përgjigjesha. Vetëm atëherë u kujtova se nuk e kisha pyetur se çfarë bënte e as ku jetonte.

Mbledhja zgjati disa orë. Grevës studentore do t’i bashkoheshin punëtorët e lëkurës, të këpucëve dhe pastruesit e bashkisë do të ndalnin punën për 24 orë në shenjë solidariteti me studentët. Problemi më i madh ishin prokinezët e fakultetit të filozofisë, që vazhdonin ta dënonin grevën si borgjeze. Diskutuam dhe ramë dakord të falenderonim kush ishte solidar me asamblenë dhe të forconim punën e vullnetarëve në kuzhina për t’i gatuar punëtorëve që do na bashkoheshin. Sa për prokinezët, vendosëm të linim të hapur mundësinë që t’i fusnim një drumtë mirë në prapanicë a ndonjë gjë tjetër. U ktheva në sallën e provave. Qiriu tashmë ishte përgjysmuar. E njejta gjë me shishen e verës, por thesi prej lëkure ishte bosh dhe rrobat e Marly-t ishin zhdukur. E prita, e kërkova në tërë akademinë, por asgjë. Në ditët në vijim, për ta gjetur, mbajta një sy mbi policinë e tjetrin nga ana ime e barrikadës. Përsërisja qindra herë të njejtën pyetje: ndokush ka parë shoqen që ishte me mua? Por përgjigja ishte gjithnjë kjo: “ Jo, nuk e kam parë. Me të vërtetë e lezetshme shoqja, nuk e kisha parë kurrë më parë”.

Greva triumfoi. U bë reforma. Viktor Jara kompozoi një himn që thoshte: “ Tërë reformistët janë revolucionarë”.Të rinjtë qenë protagonistët e ditëve të veshtira që sollën në fitoren e madhe elektorale te Salvador Allende-s, etapa e dytë e revolucionit tonë dhe unë e harrova Marly-n.

Jo, nuk e harrova. Kisha shumë detyra për të zhvilluar që t’i lejoja vetes që një histori konfuze dhe pa epilog të më shpërqëndronte nga angazhimet e mia. Por çdo herë që futesha në thes, ndjeja erën e saj dhe dëgjoja zërin e saj duke kënduar: “din dan din don, janë lojërat e dashurisë”.

Njëmijë ditët e qeverisë së Allende-s kaluan shumë shpejt. Mandej nata e gjatë e terrorit dhe e vdekjes. Lamtumira përfundimtare dhe e forcuar e shumë shokëve të barrikadave dhe ëndrrave. Bëra njëzetepesë vite në një burg të jugut, shumë larg nga Santiago. Vinin të më shihnin pak persona dhe duhej të kënaqesha me letrat e prindëve të mi dhe të një numëri të pakët miqsh që kishin mbijetuar o që gjendeshin në ekzil, kështu që m’u bë qejfi kur një mëngjes shiu më lajmëruan që kisha një vizitë.

Foltorja ishte një barakë ku të burgosur e vizitorë duhet të uleshin në banka druri, ballë për ballë me dy ushtarë gjithnjë aty për të çensuruar bisedën. Marly ishte ende shumë e bukur. Tani i kishte flokët të shkurtra dhe njëzet e pesë vitet e saj ia kishin modeluar përfundimisht trupin.

“Din dan din don, janë lojërat e dashurisë”, më përshëndeti duke më mbajtur krahun.

“Është i ndaluar të prekurit”, bërtiti një ushtar. U pamë gjatë. Pashë lot në sytë e saj, por jo dhimbje. Ishin mënyrat e saj të të thënit që koha na kishte luajtur një lojë të keqe dhe edhe pse s’e dija mbiemrin e saj o emrin e saj të vërtetë, në një libër të sigurtë nga çdo djegie ishin shkruar emrat tanë dhe historia jonë e dashurisë. Pa i dhënë rëndësi lehjeve të ushtarëve, Marly zgjati duart dhe më përkëdheli fytyrën. Hoqi një morr që po kalonte pa u ndëshkuar në kokën time të qethur zero dhe tha: “Kur të dalësh, do të të pres. Nuk e di ku, por do të të pres.

Dy vjet më vonë dola nga burgu dhe një përzierje ndrojtjeje e dëshire më bëri të ngurroja para pragut të lirisë. E nëse Marly të kishte qenë vdekja? Vdekja e dashuruar me mua dhe unë i dashuruar me të. Nuk ishte asnjë duke më pritur dhe kështu, në mëdyshjen mes gëzimit dhe trishtimit, u nisa.

Jeta ka shumë vende, njëri quhet vendi yt, një tjetër quhet mërgim, një tjetër quhet ku dreqin jam.

E harrove? Jo. Desha ndershmërisht gra të tjera që më deshën në të njejtën mënyrë. Nganjëherë dashuria shuhet dhe nuk mund ta rindezësh. Kaluan vite. Këngët e Leo Dan, të Bitëllsave, të Piero dhe Leonardo Favio i bënin jehonë pjesës së lumtur të kujtesës. Rruga e vetmisë m’u hap para si një ftesë, në plot bare, ku vera është falas dhe gratë bëhen patericë për një shpirt që çalon. Njëzet e katër vite pas takimit të parë me Marly-n ruaja ende sjelljet e mira te marra në Qendrën Katalane dhe ndoshta për këtë, gjatë një udhëtimi në Santiago, u ktheva të kërkoja atë pallat të vjetër për t’ia shtuar, në një ceremoni plot nostalgji intime , inventarit tim të humbjeve.

Në sallën e banketeve ishte një dyqan me paisje elektroshtëpiake dhe në sallën e balos një lokal i zymtë me vajza në topless. Hyra, iu afrova banakut dhe i kërkova një whisky me akull banakieres me gjoksin e varur, që mundohej të dukej tërheqëse.

“ Më ofroni të pi?”, më propozoi një grua tjetër me cica të stërmëdha. “Tani jo, më fal. Ndoshta më vonë”, iu pëgjigja me mënyrat e mirësjelljes së një kohe të shkuar.

Pija ngadalë whisky-n tim. Një sipërfaqe e butë poshtë këmbëve më bëri me dije që parketi i patëmetë i dyshemesë ishte zëvendësuar me një moket. Sytë, duke u orientuar në gjysmëterr më zbuluan se portretet e muzikantëve të famshëm katalanas ishin zëvendësuar me foto të playboy-ve. Tamam atë çast më kaloi një dorë mbi shpatull dhe kur u ktheva me mendimin për të thënë jo, më vjen keq, ndoshta më vonë, dëgjova të pangatërrueshmin zë të Marly-t. “Din dan din don, janë lojërat e dashurisë”.

Dolëm që aty me vrap. Jashtë drita e ditës gati më qorroi , por qeshë i lumtur sepse kështu pata mundësinë ta zbuloja ngadalë. Ndërsa pupilat mësoheshin me shkëlqimin e diellit, unë mësohesha me prezencën e saj. Vitet kishin ecur edhe për të. Prekëm ndonjë rrudhë, ndonjë flok të bardhë, ndonjë plagë e të kapur dorë për dore u nisëm në atë qytet që një kohë kishte qenë yni.

“ Të pëlqen ende Leo Dan?” më pyeti ndërsa po blinim kartolina për miqtë. “ Po, edhe Leonardo Favio,

“Po poetët? Mua më pëlqen Benedetti”, tha.

“Edhe mua.Edhe Gelman. Edhe Atxoga, shtova unë.

“Edhe mua”, shtoi ajo duke iu afruar një shitësi ambulant të karafilave.

Hoteli na priste si një tempull, prej kohe i gatshëm. U zhveshëm me qetësi dhe jo për të treguar muskujt o linjat perfekte, por sepse të dy kishim kuptuar se me tërë shenjat e tyre, këto trupa ishin mbështetja e një historie që po fillonte vetëm tani. U deshëm ngadalë e jo për mënyrat e bukura të marra në Qendën Katalane, por sepse kërkonim në kënaqësi rrugën për të gjetur lodhjen më të mirë. E mandej biseduam duke harruar të djeshmen e të nesërmen, meqë fjalët janë si vera: kanë nevojë për frymëmarrje e për kohë që kadifeja e zërit të nxjerrë shijen e vet përfundimtare.

Tani, afër detit e shoh. Di gjithçka për të, por e harroj për kënaqësinë e kthimit për ta njohur, të vërtetë mbi të vërtetë, dyshim mbi dyshim, qartësi mbi qartësi dhe ndrojtje mbi ndrojtje sepse, djall, kështu, din dan din don, janë lojërat e dashurisë.


Perktheu Keti Dibra

71 views0 comments
bottom of page