Nga Keti Dibra
Sigmund Bauman thotë: ”Rrënjët e pasigurisë janë shumë të thella. Janë në thellësi të mënyrës tonë të jetesës, janë të ndihmuara nga dobësimi i lidhjeve ndërnjerëzore, nga zbërthimi i bashkësisë, nga zëvendësimi i solidaritetit njerëzor në një garë pa limite, nga prirja e të besuarit në dorën e individit të zgjidhjeve të problemeve të një rëndësie sociale. Frika që rrjedh nga kjo gjendje paqartësie, në një botë, subjekt i tekave të fuqive ekonomike të parregulluara dhe pa kontroll politik, shtohet e shperndahet mbi të gjitha aspektet e jetës sonë.”
Tërësia e jetës sonë duhet pare tamam siç shihet aisbergu, ku nje e shtata e masës së tij qëndron mbi siperfaqe dhe pjesa tjetër është e zhytur në ujë e nuk shihet. Ne lundrojmë në një pasiguri që ka emrin JETË, - jeta me tre përbërësit e saj: lindja, rritja, vdekja. Pasiguria në jetën tonë fillon që në çastin kur foshnja shkëputet nga trupi i nënës dhe dalëngadalë nis të ecë drejt fëmijërisë. Fëmijëria është periudha më delikate e jetës, ku pasiguria mund të shenjojë jetën e tij në vazhdim. Në këtë hapsirë kohore fëmija nuk ka asistencën e duhur të prindit. Në kushtet e një përpjekjeje të pandalshme për të jetuar fëmija në më të shumtën e kohërritjes gjendet i vetëm, me një kujdestare a babysitter, por pa prindin që e ka parë që në fillimet e tij si Zot. Këtu fillon e lind mangësia, herë-herë me pasoja vraglënëse për tërë jetën. Mungesa e afërsisë, lidhjes me prindin , shkakton traumë në psikën e tij. Mllefe e patologji e kanë zanafillën në këtë boshësi. Me këto mungesa në rritje, ka shumë mundesi që fëmia të bëhet kontingjent i një jete të rrugës me pasoja per atë vetë dhe tërë komunitetin bashkëjetues. Këtu e kanë zanafillën dhuna, hajdutëria, kriminaliteti, prostitucioni. 1 - Lind pasiguria e rrugës!
Sa mund të fajësohet prindi? Po menaxhimi i pushtetit të politikës?
2 - Pasiguria e të riut, i cili edhe pse kërkon të jetë i pavarur, nuk mund të çlirohet nga tentakulat e sistemit “të përpunuar” ekonomik. Të ardhurat e tij, në më të shumtën e rasteve, nuk mbulojnë tërë shpenzimet e tij të jetesës e kështu ai rëndon në kurrizin e prindëve, që mirë apo keq arritën të krijonin diçka të tyren. Njeriu pa pronë është njeri pa identitet. Dhe kjo dukuri në rritje eshtë e frikshme.
3 - Pasiguria ekonomike, e shtrirë në jetën e tërë shtetasve. A mund të ketë një jetë të qetë kur kostoja e jetesës shtrëngohet në vazhdimësi, kur vlerat monetare të mallrave bazikë ngrihen gjithnjë dhe pagat e pensionet rrinë në vend?
4 - Pasiguria sanitare. Është një paradoks. Nga një anë janë arritjet e perditshme në fushën e shkencës së mjekësisë dhe teknologjisë, nga ana tjetër ka një mungesë të asistencës sanitare shtetërore. Rasti i kësaj pandemie qe po jetojmë flet shumë për këtë mospërputhje. Këtu duhet parë edhe pasiguria e moshës së tretë e cila, falë shkencës, ka jetëzgjatjen, por nuk ka mbështetjen e shërbimit sanitar shtetëror.
5 - Pasiguria e vetmisë së detyruar. Eshtë e frikshme zbrazja frenetike e vendit tonë nga të rinjtë. Është i frikshëm tërë ky migrim popujsh sot ne botë. Familje të reja që marrin rrugët dhe të vjetrit që dënohen me vetmi! Në tërë këtë anormalitet shohim një të vërtetë që nxin: shumica që rropaten e vuajnë varfërinë dhe një pakicë,që vazhdon të pasurohet. Nxjerrë nga statistika të pathëna me zë të lartë, del se 80% të pasurisë së këtij globi, e gëzojnë 2% e njerëzve të kësaj bashkësie 8-miliardëshe.
6 - Pasiguria politike. Pasiguri që vjen nga zgjedhjet dhe zgjidhjet e politikbërësve, figura të ngritura në ato pozicione në mënyra të dyshimta e shpesh jashtë cdo merite intelektuale. Se sa punojnë e shqetësohen për jetën e shtetasve të tyre, e tregon ankthi, pasiguria dhe protestat e shumta qe kanë perfshire sot popujt në mbarë botën. Pasiguria cënon mendimin, deri në shtrembërim të tij dhe duke cënuar mendimin redukton lirinë e individit. Kështuqë njeriu kthehet në një automat. Sot, a punohet nga politika per të cënuar mendimin e lirë? ERICH FROMM thote: "Shndërrimi i individit në një automat në shoqërinë moderne e ka shtuar ndjenjën e pasigurisë së njeriut, prandaj ky eshtë gati për t’iu nënshtruar autoriteteve të reja që i premtojnë sigurinë dhe lirinë”. Më pas shton: "Metodat e topitjes së aftësisë për refleksion kritik janë shumë më të rrezikshme për demokracinë tonë sesa shumë sulme të hapura kundër saj”.
A do t’i kthehemi edhe njëherë diktaturës?
Keti Dibra, Tiranë
Ne foto: Sir Oswald E Mosley (1896 - 1980) ishte nje aristrokrat britanik, qe u be i njohur ne vitet 1920 si anetar i parlamentit dhe me pas, ne vitet 30, kur i zhgenjyer nga demokracia udhehoqi partine fashiste britanike (British Union of Fascists)
Comments