GIULIO ANDREOTTI KRYEMINISTËR (1972–1973, 1976–79, 1989–92) DHE MINISTER NË SHTATË QEVERITË ITALIANE QË U NDËRRUAN NGA VITI 1972 DERI MË 1992
ORIANA FALLACI: FILLIMI I INTERVISTËS SË GIULIO ANDREOTTI - t
Zgjodhi dhe perktheu Keti Dibra
Ai fliste me zërin e tij të ulët, të edukuar, si të një prifti, që jep mësime pendestarie, me pesë Ati ynë (Pater noster), pesë lutje Të falem Zonjë (Salve Regina), dhjetë Rekuiem i Përjetësisë (Requiem Aeternam) e une perceptoja një shqetësim. Ishte frikë. Ky burrë më fuste frikë. Po përse? Më kishte pritur me mirësjellje të përkryer, të përzemërt.
Më kishte bërë të qeshja me tërë fuqinë e fytit: i mprehtë dhe pamja e tij nuk ishte aspak kërcënuese. Ato shpatulla të ngushta, sa shpatullat e një fëmije dhe të kurbuara .Ajo mungesë, gati mallëngjyese e qafës. Ajo fytyrë e lëmuar në të cilën nuk arrin të përfytyrosh mjekër. Ato duar delikate, me gishta të gjatë dhe të bardhë si qirinj. Ajo sjellje e një mbrojtjeje të përhershme. Rrinte i tëri i gëlltitur në veten e tij, me kokën të zhytur brenda këmishës e ngjante si një shëndetlig që mbrohej nga një uturimë shiu duke u mbledhur ndën ombrellë, o si një breshkë që shfaqet nga zhgualli tërë drojë.
Kë frikëson një i sëmurë, kë frikëson një breshkë? Kujt i bëjnë keq? Vetëm më vonë do të realizoja që frika vinte krejt nga këto gjëra, nga forca që fshihej pas këtyre gjërave. Pushteti i vërtetë nuk ka nevojë për arrogancë, mjekër të gjatë, zë që leh. Pushteti të mbyt me fjongo mëndafshi, mirësjellje, inteligjencë. Inteligjencën, për fat, e kishte. Deri në atë shkallë sa të kishte luksin të mos e shfaqte. Për çdo pyetje rrëshqiste si një peshk, rrotullohej në nje mijë përkulje, spirale, kështu që kthehej për të të ofruar një bisedë modeste e plot konkretësi.
Humori i tij ishte i hollë, i mbrapshtë, si shpime të një gjilpëre. Aty për aty nuk i ndjeje shpimet, por mbrapa rridhnin gjak e të dhimbnin. E fiksova me zemërim. Ishte ulur në një skrivani varrosur ndën letrat dhe mbrapa, mbi faqen e murit me shkëlqim ngjyrë lajthije, mbante Madonën më Krishtin fëmijë. Dora e djathtë e Madonës zbriste drejt kokës së tij për ta bekuar. Jo, asnjë nuk do ta kishte shkatërruar kurrë. Do të ishte gjithnjë ai që do të shkatërronte të tjerët. Me qetësi, me kohën, me sigurinë e bindjeve të veta. O të dogmave të tij? Beson në parajsën dhe ferrin. Në agim shkon në meshë dhe shërben më mirë se një shërbestar i kishës. Frekuenton papët me lehtësinë e një sekretari të Shtetit dhe është fatkeqësi, vë bast, të zgjosh inatin e tij të heshtur. Kur e provokova me një pyetje të paedukatë, trupi i tij nuk lëvizi dhe fytyra e tij ndenji e mermertë. Por sytë e tij flakëruan si rrufe e akullt që ende sot më mpijnë. Thuhet se në shkollë kishte dhjetë në sjellje. Por poshtë bankës , vë bast, hidhte shkelma që linin mavijosje blu.
(Shenim i PT: Andreotti me rivalin e vet ne partine demokristiane, Aldo Moro, i cili me pas u rrembue dhe u vra nga Bridade Rosse. E shoqja e Moros e akuzoi Andreottin per moshpetim te qellimshem te Moros. Ajo ishte me origjine shqiptare, shkodrane. I beri Andreottit zakonin shqiptar qe nuk e qasi ne varrimin e te shoqit.)
Comments