top of page

Make Argentina great again

Updated: Nov 22, 2023

Argjentina ka zgjedhur libertarianin kontrovers Javier Milei për të shërbyer si president i vendit për katër vitet e ardhshme. Milei fitoi popullaritet me shfaqjet flakëruese dhe idetë radikale se si do e trajtojë inflacionin vrapues të Argjentinës dhe nivelet në rritje të varfërisë e papunësisë. Stili i tij shpesh abraziv i fushatës ka mbledhur krahasime me ish-presidentin brazilian Jair Bolsonaro dhe ish-SH.B.A. Presidenti Donald Trump.


I lindur në Buenos Aires në vitin 1970, Milei u rrit gjatë Luftës së Pistë (Guerra Sucia) - fushatës së diktaturës ushtarake për të asgjësuar kundërshtarët majtistë. Nga viti 1976 deri në 1983 vlerësohet të jenë vrarë ndëmjet 10,000 dhe 30,000 njerëz.


Gjatë krizës më të keqe ekonomike të Argjentinës në vitin 1989, Milei studionte ekonomi dhe ndërkohë ishte këngëtari kryesor i një grupi rock të quajtur "Everest", i cili ka hapur shfaqje per the Rolling Stones. Në dy dekadat e fundit, ai ka dhënë leksione në universitete të ndryshme për ekonomi dhe ka drejtuar një emision radiofonik. S komentator televiziv fitoi famë për veprimet groteske, si psh pretendimi që qeni i tij i vdekur i komunikoi idenë të kandidonte për president.


Ai iu bashkua partisë politike të krahut të djathtë, La Libertad Avanza (Liria Marshon), në vitin 2020 dhe gradualisht u bë i preferuari i publikut, pasi inflacioni po shkonte mbi 100%. Në tubimet e fushatës presidenciale dilte ne tribune me një sharrë elektrike - për te ilustruar qëllimin për te prerë fryrjen e shtetit dhe duke thyer një piñata (kuti karamelesh) e cila përfaqësonte Bankën Qendrore te Argjentinës.


Milei siguroi 55.69% të votave të së dielës, krahasuar me 44.3% që mori kundërshtari i tij i qendrës së majtë, Sergio Massa. "Sot fillon rindërtimi i Argjentinës," u tha Milei mbështetësve në selinë e tij të fushatës. “Sot është një natë historike për Argjentinën." Milei i premtoi publikut argjentinas se "ndryshime drastike na presin" për të rregulluar realitetin tragjik të varfërisë së gjëre dhe i tha komunitetit ndërkombëtar se "Argjentina do të kthehet në vendin e vet në botë, të cilin kurrë nuk duhej ta kishte humbur".


I vetëquajturi "anarko-kapitalist" ka premtuar se do mbyllë Banken Qendrore; do heqë peson dhe do e zëvendesojë me dollarin amerikan për të eliminuar hiperinflacionin që sivjet ka arritur 140%; do mbyllë gjysmën e ministrive dhe do ulë shpenzimet e shtetit me 15%, për te fshirë deficitin e buxhetit.


Ai ka thënë se do të privatizojë kompanitë shtetërore duke përfshirë naftën, radion dhe televizionin shtetëror. Shëndetsinë do e bëjë me pagesë.


Argjentina e ka provuar edhe më parë derregullimin dhe clirimin e kapitalizmit nga shteti.


Përpara vitit 1989, politika argjentinase karakterizohej nga liderë populistë, herë të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe nganjëherë jo, të cilët qeverisnin me mbështetjen e hapur të ushtrisë. Grushtet e shtetit dhe sundimi i plotë ushtarak nuk ishin të rralla. Politikat ekonomike ishin shumë proteksioniste, me barriera dhe kufizime të konsiderueshme në tregtinë dhe investimet e jashtme. Tregjet ishin shumë të rregulluara dhe shteti ishte tepër i përfshirë në industritë e mëdha. Inflacioni ishte vazhdimisht i lartë dhe rritja ekonomike në stanjacion.


Fërkimet e vazhdueshme me ushtrinë, dështimi për të zgjidhur problemet endemike ekonomike dhe paaftësia për të ruajtur besimin e publikut minuan efektivitetin e qeverisë liberal-centriste te presidentit Raul Alfonsin. Zgjedhjet presidenciale të vitit 1989 i fitoi kandidati peronist Carlos Saul Menem, i cili filloi një rishikim të thellë të politikës së brendshme, per reforma të gjera strukturore qo do te përmbysnin rolin e shtetit në jetën ekonomike të Argjentinës.


Pasi paraardhësit e tyre kishin hezituar për vite me radhë, qeveritë e Carlos Saul Menem në Argjentinë (1989-99), Fernando Collor de Mello në Brazil (1990-92), Alberto Fujimori në Peru (1990-2000) dhe Carlos Andrés Pérez në Venezuelë (1989-93), zbatuan plane drastike stabilizimi te ekonomise menjëherë pas marrjes së detyrës. Këto politika të dhimbshme zgjuan pak protesta dhe shumë mbështetje, ose të paktën pranim, në Argjentinë, Brazil dhe Peru, ndërsa shkaktuan trazira të paprecedentë në Venezuelë.


Presidenti Menem ndërmori një program të derregullimit, privatizimit dhe reformës makroekonomike gjatë viteve 1990. Qeveria e tij synonte të liberalizonte ekonominë, të zvogëlonte ndërhyrjen e shtetit dhe të tërhiqte investime të huaja. Kthesa kryesore e politikave ekonomike të Menemit ishte Planifikimi i Konvertueshëm, i cili lidhte në mënyre te ngurtë peson argjentinase me dollarin amerikan, 1 peso = 1 dollar.


Masat e liberalizimit përfshinin privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore, hapjen e industrive ndaj konkurrencës ndërkombëtare dhe relaksimin e rregullave të tregut të punës. Ndërkohë që këto reforma gjeneruan rritje ekonomike dhe të investimeve të huaja, shkaktuan edhe pasoja sociale negative dhe perfundimisht një kolaps ekonomik pas 10 vjitesh.


Privatizimi i kompanive në pronësi të shtetit, si telekomunikacionet dhe shërbimet komunale, synonte të përmirësonte efikasitetin dhe të reduktonte shpenzimet e qeverisë. Megjithatë, kritikët argumentojnë se ndërmarrjet u privatizuan tepër lirë, me klentelizëm, në favor te korruptëve; procesi mungonte transparencë dhe rezultoi në koncentrimin e pasurisë në duart e të paktëve, duke ndikuar në thellimin e pabarazisë sociale.


Gjithashtu, kursi i fiksuar i këmbimit me dollarin amerikan bëhej burim ngurtësie ekonomike. Ndërsa kjo masë kontrollonte inflacionin dhe tërhiqte kapital të huaj, gjithashtu e bënte Argjentinën të prekshme nga krizat e jashtme. Ndryshimi i kushteve ekonomike globale e bëri gjithnjë e më të vështirë mbajtjen e kursit të pesos të lidhur me dollarin.


Pasojat e dështimit të politikave të liberalizimit u ndjenë haptas në fund të viteve 1990. Një kombinim i faktorëve të jashtëm, përfshirë krizën financiare aziatike dhe rënien e çmimeve të lëndëve te para dhee bujqësore, në të cilat Argjentina eshtë eskportuese, e zhyti vendin në një situatë të vështirë. Kursi i lidhur i monedhës e bëri të pamundur të reagohej në mënyre fleksibël ndaj këtyre sfidave.


Në fillim të viteve 2000, dështimi i Planifikimit të Konvertueshëm u bë i qartë, duke çuar në një krizë ekonomike të rëndë. Qeveria hasi vështirësi në shlyerjen e borxheve të jashme, papunësia u rrit dhe u shoqërua me tension social. Në vitin 2001, Argjentina përjetoi një rrëzim ekonomik të plotë, me një falimentim në borxhin e saj sovran dhe një zhvleftesim të thellë të pesos.


Për të evituar falimentimin e bankave, në fund te vitit 2001, ministri i ekonomise Cavallo urdhëroi kufizimin e tërheqjes nga depozitat bankare në 250 peso në jave ($250). Ekonomia stopoi. Kjo periudhe ka hyre ne histori si El Corralito (Kafazi).


Banka qendrore nuk kishte dollarë për t't konvertuar në peso, i cili u zhvleftesua nga 1:1 ne 1:3. Papritmas argjentinasit u bënë 3 herë më të varfër. Cmimet ne dollarë, 3 herë më të lira. hap fjala se Arghentina ishte shumë lirë. Unë vetë shkova në Buenos Aires për herë të parë më 2006. Me habiti qe per $1 blije një akullore 5 dollarshe. Bleva nga rruga, me impuls, një apartament $50 mijë te cilin e shita pas 3-4 vjetësh $100 mijë.


Trashëgimia e përpjekjeve të Menemit për liberalizim përbën një kombinim kompleks të rritjes ekonomike në afat të shkurtër dhe pasigurisë ekonomike në afat më të gjatë. Ndërsa reforma tërhoqi investime të huaja dhe modernizoi disa sektore, ajo gjithashtu krijoi bazën për probleme sistematike që kulmuan në një krizë ekonomike shkatërruese. Përvoja menemiste shërben si një mësim rreth sfidave të zbatimit të liberalizimit të shpejtë pa pasur parasysh kontekstin ekonomik të dhe rreziqet potenciale.


Neoliberalizmi i Menem u zëvendesua në vitin 2003 me kirchnerizmin (presidentët Nestor dhe Christina Kirchner) - nje kthesë mbrapsht drejt shtetit social të mbirregulluar, burokratik e korrupt, dështimi i të cilit solli zgjedhjen e Mileit te djelën, një neoliberal akoma më ekstrem se Menem.


Tregjet financiare patën një reagim inicial shumë pozitiv ndaj Mileit. Bonot argjentinase, të cfilitura, u ngritën 6-7% ne 30 cent për dollar (!) Kompania shtetrore e naftës dhe disa banka të mëdha u ngritën 20-25% në bursë. Por keshtu u ngrit fillimisht edhe ekonomia e presidentit Menem.


Disa ekonomiste mendojne se do të jetë një përsëritje e asaj që ndodhi në vitet '90. Do zgjidhin problemin e inflacionit, por thjesht to te krijojnë një problem tjetër. Në vitet '90, ky problem ishte bilanci tregtar. Ajo politikë i bëri eksportet masivisht jo-konkurruese. Argjentina nuk mund të eksportonte më asgjë.


Disa nga idetë e Mileit janë shkurtimi i shpenzimeve sociale, ndërprerja e lidhjeve me vendet komuniste – përfshirë Kinën – dhe legalizimi i shitjes së organeve njerëzore. Milei, i quajtur gjithashtu si "El Loco" (i çmenduri) nga mbështetësit e tij, është kundër abortit dhe ka bërë thirrje që edukimi seksual të hiqet nga shkollat. Ai ka sulmuar Papa Françeskun, i cili është nga Argjentina, duke e quajtur një "të majtë të neveritshëm që promovon komunizmin". Ka lavderuar ish-kryeministren britanike Margaret Thatcher, një figurë që mbetet thellësisht e papëlqyeshme në Argjentinë për shkak të Luftës së Falklands dhe është tallur me futbollistin e vdekur ikonë Diego Maradona.


Argjentina ka kaluar dekada në një cikël te ekzagjeruar poshte e lart dhe ka falimentuar në borxhin e saj te jashtem nëntë herë. Një ekonomi tashmë e dështuar u acarua nga pandemia, duke bërë që ekonomia të bjerë më thellë në recesion. Një ekonomi e çekuilibruar u bë edhe më e çekuilibruar, me nje inflacion mbi 100% gjatë dy viteve të fundit.


Ky është konteksti në të cilin u zgjodh Milei. Argjentinasi mesatar është në fund të durimit të tij. Janë të lodhur. Shumë nga mbështetësit e tij janë të rinj që nuk shohin të ardhme.


"Si mendon se do shkojë Milei?" - më pyeti ne Whatsapp Carla, një e njohur argjentinase. Nuk desha të shprehja pesimizëm dhe i thashë, "do jetë interesante". Nuk gjeta fjalë tjetër. "Eshtë si Hunger Games" - tha ajo - "interesante për spektatorët dhe tragjike për pjesëmarrësit".


Lexova qortim. "Oh ok sure, edhe këtë rradhe e ka fajin USA" - mendova.


"Nuk kam shumë shpresë" - tha Pablo. "Më mirë një përpjekje e re e dështuar, se një vazhdim i dështimit të vjetër" - tha Matias.


A i duhet Shqiperise nje Milei?


Reformat që propozon Milei janë si Thatcher. Imazhi tij publik është si Trump, por akoma më i ekzagjeruar. Si Trump ka disa ide të mira, për kohen e re, por të shoqeruara me sjellje e fjalë jashtë menteshave.


Ekonomia argjentinase eshtë teper e mbrojtur nga bota dhe tepër e rregulluar nga shteti. Politika është nepotiste e korrupte. Politikanet blejnë vota me subvencione sociale për të varfërit, që vendi nuk i përballon dot. Në fillim duhet krijuar pasuria, që pastaj të shpërndahet. Argjentina nuk ka rritje ekonomike, nuk po krijon dot pasuri.


Argjentina ka nevoje për derregullim dhe kapitalizëm anarkik, të cliruar nga prangat e shtetit.


Shqipëria e kaloi fazën e kapitalizmit anarkik me Pashkon, Nanon dhe Berishen, me shumë dhimbje. Tani ndodhet në fazen e oligarkise monopoliste të regjimit Rama.


Kapitalizmi ne Shqiperi ështe i lirë për oligarkët dhe bandat, te cilët bashkëpunojne me krerët e politikës dhe lejohen të bëjnë c'te duan. Eshtë shfrytzues, mbytës, pa hapsirë e frymëmarrje, për njeriun e mesëm i cili emigron per ta kërkuar mobilitetin social jashte vendit.


Shqipërise nuk i duhet derregullim i mëtejshëm, se eshte e derregulluar - ku ta vesh gishtin, ka paligjësi flagrante - por i duhet demokratizimi dhe futja në ligj e kapitalizmit.


Derregullimi ekstrem është kaos, xhungël. Pika e arte është centrizmi: një liri e mjaftueshme por edhe rregullim i mjaftueshëm, nëpërmjet demokracise dhe ligjit.


Vendet më të mira te Perëndimit qendrojnë në mes, me luhatje të vogla djathtas / majtas. Vende si Argjentina dhe Shqiperia bëjne kthesa drastike nga komumizmi në kapitalizem, nga diktatura në anarki, nga autarkia në hapje totale.


Shqiperisë i duhet një sharrë elektrike per te shrrënjosur korrupsionin e politikës. Rolin e Mileit shqiptar po e luan pjesërisht SPAK-u, krijesë e amerikanëve. Por situata në Shqipëri është shume konfuze. Krahas mbështetjes së antikorrupsionit (SPAK) amerikanët nuk ia kanë hequr mbështetjen organizatës gjigante kriminale, regjimit Rama. Duket sikur po thone, le të lulëzojne te gjitha lulet, korrupte dhe jo korrupte, dhe me shpresë të Zotit në fund do të dale dicka e mire (!)


Vetë shqiptarët e nuk kanë më forcën e argjentinasve për ta ndryshuar vendin e vet (qoftë edhe me budallik), bile as besojnë te vendi i vet. Rregullimin e vendit ua kanë lënë të huajve. Shqiptaret zgjedhin të ndryshojnë jetën e vet duke ikur.


Une vetë nuk besoj në zgjidhjet drastike populiste, me shkop magjik. Per mua permiresimi duhet te jete gradual dhe serioz, por kjo kërkon një popull serioz.


Milei ka me vete vetëm 14% te kongresit te Argjentinës. Si do i detyrojë deputetët te votojnë për reformat e tij? Do tentojë të bëjë fashizëm, apo do i harrojë reformat? Kjo ngelet per t'u parë.


Parid Turdiu

bottom of page