top of page

Eshtë Liz Truss një ambicioze pa substancë, por me një instinkt të thellë për vetë-promovim?


Liz Truss, 47 vjec, i fitoi çelësat e të Numrit 10 (selia e kryeministrit të UK). Sot u shpall rezultati i zgjedhjeve në partinë konservatore, të cilat zgjaten dy muaj. Truss fitoi 80 mijë vota, Sunak 60 mijë.


Partia Konservatore e Anglise ka një histori të mosdiskriminimit ndaj grave dhe pakicave etnike. Kjo është gruaja e tretë kryeministre, - të treja konservatore; Thatcher, May dhe kjo. Gjithashtu Anglia ka pasur një kryeministër hebre, Benjamin Disraeli, në shek. 19 nën mbretereshën Victoria.



Truss fitoi me një rezultat më te ngushtë se c'pritej. Për më tepër shumica e MP (deputetëve) të partisë konservatore preferuan Sunak, që dmth se Truss do të kryesojë mbi një parti të percarë. Ka perpara një thes të rëndë të mbushur me detyra të veshtira; krahas bashkimit te partisë do përballet me një ekonomi në tkurrje dhe inflacion të lartë 10% - stërlina ka rënë në $1.15, një nivel që nuk ishte parë që më 1985, bile pritet pariteti i stërlines me dollarin. Dimri do të jetë i veshtirë, për shkak të krizës energjetike; duhet qartësuar cështja e Irlandës së Veriut, e komplikuar nga fakti se presidenti i USA është irlandez dhe ngul këmbë që Irlanda të mos dëmtohet, përndryshe do bllokojë marrëveshjen tregtare të USA me UK. Duhet përcaktuar marrëdhënia e UK me Europen dhe roli post-Brexit i UK në botë. Duhet mbështetur Ukraina kundër Rusisë dhe duhet përballuar agresiviteti kinez ne Azinë juglindore. Aq sa mendohet se Boris Johnson e dha dorëheqjen me kënaqesi, që të vrasë veten Truss me këto cështje te pamundura dhe ai të rikthehet ne pushtet pas 2 vjetësh.


Anëtarët e partisë së saj kujtojnë një mbledhje ku çështja e hyrjes së saj në parlament mbeti pezull, pasi ajo u akuzua për një lidhje të fshehtë jashtëmartesore me deputetin konservator Mark Field.



Ishte viti 2009 dhe ajo ishte në prag të bëhej, më në fund deputete, pasi u zgjodh si kandidate konservatore në distriktin e sigurt të South West Norfolk.


Dhjetra aktivistë konservatorë të linjës së ashpër, të quajtur “Turnip Taliban", kishin thirrur një takim urgjent, të zemëruar që një aferë 18-mujore e saj me Mark Field nuk ishte zbuluar kur ajo u miratua si kandidate. Disa donin që ajo të tërhiqej sepse besonin se ajo po katapultohej nga krahu i moderuar i David Cameron.


Shënim: "Turnip Talipan" dmth "Talibani i Panxharit"; quhet kështu se mbështetesit e këtij krahu janë fondamentalistë fetarë nga fshati.


Roy Brame, një anëtar e vetëshpallur i Talibanëve të Panxharit, kishte shkuar në kete mbledhje i bindur se Truss duhej te hiqej nga posti. Por, në vend të kësaj, ai kujton triumfin e Truss mbi një audiencën skeptike, me një përzierje sharmi dhe paturpësie.


Ai votoi kundër saj atë mbrëmje, por tha se ishte impresionuar nga përgjigjet e saj, duke komentuar: “Sapo pamë Thatcher-in e re”.


Rivali i saj, Rishi Sunak, është një teknokrat i kopsitur dhe i disiplinuar, me një listë të gjatë propozimesh të menduara mire. Liz Truss, siç mund të shihet edhe nga fotot e saj, është e hapur ndaj improvizimit dhe kreativitetit. Mund të jetë e rrepte dhe uthullore, por edhe mund të shkrihet gazit si një gjimnaziste. Ka natyrën e nje true British girl; i ngjan disi Boros Johnson-it. Këtë baza e partisë e ndjen dhe prandaj e zgjodhi.



Nuk është një femër e bukur, por burrin dhe dashnorin i ka të bukur, që mund te deshmoje për ambicje, dinakëri dhe mungesë skrupujsh.


Trembëdhjetë vjet pasi u zgjodh për herë të parë në parlament, Truss ka mbajtur gjashtë poste ministrore nën tre kryeministra të ndryshëm dhe në vitin 2016 u bë Lord-Kancelari i parë femër, një karrierë qe kulminon nesër në keshtjellën Balmoral në Skoci, ku mbretëresha do e ngarkojë te formojë qeverine e re.


Shenim: Lord Chancellor është një nga ofiqet më të lashta të shtetit, që daton shumë shekuj më parë. Emërohet nga Monarku me këshillën e Kryeministrit dhe është një anëtar i lartë i kabinetit. Drejton Ministrinë e Drejtësisë si Sekretar i Shtetit për Drejtësinë.


Krahasimi i saj me Margaret Thatcher është promovuar fort nga ekipi i saj: që nga veshja me bluzë me fjongo, te ngarja e tankeve dhe duke u fotografuar me një kapelë-peliçe në Sheshin e Kuq të Moskës, ata pretendojnë se Truss është gati ta shkundë partinë konservatore, ashtu siç bëri heroina e saj.


Në Angli, në percaktimin e mendësisë socialpolitike, i japin shumë rëndesi shkollave që ke ndjekur. Ajo ndoqi një gjimnaz që ajo e përshkruan si një shkollë inkluzive "woke" në veri të Anglisë, cilesi populiste qe ajo nuk ka ngurruar ta promovonte kundër kredencialeve internacionaliste, te privilegjuara, te stilit all-boy finest boarding school, të Rishi Sunak.


Kritikët – qe janë të shumtë brenda partisë së saj – thonë se asaj i mungojnë disa nga aftësitë e Thatcher. Ajo nuk arrin të shfaqë gravitas intelektuale, thonë ata, përdor cheap slogans dhe përpëlitet për të hartuar fjalime bindëse, një dobësi që mund të ekspozohet shpejt nën vëzhgimin intensiv të cilit i nënshtrohet figura e kryeministrit.


Dominic Cummings, ish-këshilltari kryesor i Boris Johnson, tha në një intervistë në maj se Truss ështe "aq afër një fyçke-mburravece sa çdokush që kam takuar në parlament" dhe do të jete një kryeministre "madje më e keqe" se Johnson.


Të tjerë dyshojnë nëse Truss beson vërtet çdo gjë që ajo thotë, apo mbështetet në një instinkt të thellë për të përmbushur ambiciet e saj. Anna Soubry, ish-deputetja që shërbeu si ministre së bashku me Truss, ka thënë se shumë kolegë kane pyetje nëse ajo i ka aftësitë e nevojshme për të udhëhequr UK.


“Ajo është personi më ambicioz që kam hasur. Unë sinqerisht besoj se asaj iu dhanë poste ministrore vetëm për t'i mbyllur gojën. Ambicia e saj është padyshim shumë më e madhe se aftësia e saj”, tha Soubry.


Mary Elizabeth (Liz) Truss lindi në Oksford më 26 korrik 1975, më e madhja nga katër fëmijë dhe vajza e vetme. Prindët i kishte të majte. Babai i saj, John Kenneth Truss, ishte profesor i "matematikës së pastër" në Universitetin e Leeds. Nëna e saj, Priscilla Mary, ishte një infermiere, mësuese dhe aktiviste e shquar e "Fushatës për Çarmatimin Bërthamor".



Ata jetuan në Paisley për një pjesë të fëmijërisë së Liz, përpara se të transferoheshin në Leeds. Truss e ka pershkruar gjimnazin e saj ne Leeds, Roundhay – i cili dërgoi atë dhe shumë të tjerë në Universitetin e Oksfordit – si me “pritshmëri të ulëta, standarde të dobëta arsimore dhe mungesë mundësish”. Shumë talente, ka thënë ajo, "shkuan dëm". Ajo, per te rritur kredencialet e veta populiste, madje tani pretendon se shkolla ishte brenda nje distrikti te rrethuar me "mur të kuq" socialist.


Pretendimi i saj duket se i ka habitur ish-bashkënxënësit. Shkolla e saj është pjesë e Leeds North East, një zonë elektorale që kishte votuar konservatore për gati gjysmë shekulli, deri në vitin 1997. Ishte një ish-grammar school (shkollë e privilegjuar) që merrte pjesë në një kampionat të regbi (shenjë privilegji), e vendosur në 22 hektarë tokë në një pjesë të pasur të qytetit. Të diplomuarit përfshijnë një zëvendës-kancelar universiteti, gjyqtarë, neuroshkencëtarë, një dramaturg të vlerësuar me çmime, katër deputetë aktualë ose ish-deputetë dhe një ish-redaktor të Sunday Telegraph.


Lord Kirkhope, deputeti konservator për Leeds North East, kur Truss ishte nxënëse në shkollën Roundhay, tha se ai e njihte mirë shkollën në atë kohë dhe komentet e Truss janë "të pavërteta". Ai tha: “Ajo po sugjeron se ishte e vetmja personë që shkoi në universitet nga ajo shkollë dhe se të gjithë të tjerët ishin të varfër, fëmijë urbanë, gjë që sigurisht nuk ishte rasti për Roundhay".


Truss studjoi PPE (politics, philosophy and economics) në Kolegjin Merton, Oksford dhe u bë anëtare drejtuese e Liberal Demokratëve. Në konferencën e partisë në moshën 19-vjeçare, ajo bëri bujë kur bëri thirrje për heqjen e monarkisë: “Ne nuk besojmë se njerëzit kanë lindur për të sunduar.” Njëkohesisht Truss besonte në legaizimin e cannabis dhe merrte pjese në manifestimet "Free The Weed".



Truss ishte një pjesëmarrëse entuziaste në "Shoqërinë Hayek" të Oksfordit, e cila celebronte veprën e filozofit politik austriak të njohur për mbrojtjen e liberalizmit klasik. I njëjti grup përfshinte të tjerë Lib-Dems që vazhduan të bëheshin konservatorë.


"Ajo ishte tepër e vështirë për të punuar me të," kujton Neil Fawcett, tani një këshilltar Lib-Dem, i cili bëri fushatë përkrah saj në vitet '90. "Në një nivel personal, unë kurrë nuk mund të kuptoja se çfarë besonte ajo në të vërtetë, sepse ajo gjithmonë dukej se po luante per audiencën, në vend që të parashtronte një besim të vërtetë."


Truss iu bashkua Konservatorëve në 1996 kur partia po shpërbëhej nga fraksionizmi, nën udhëheqjen e John Major. Një vit më pas, ajo u takua me burrin e saj të ardhshëm, Hugh O'Leary, një kontabilist, në konferencën e Partisë Konservatore dhe u martuan në vitin 2000. Kanë dy vajza dhe 10 milion sterlina.



Në moshën 25-vjeçare, Truss bëri hapat para drejt politikës parlamentare, duke marrë përsipër detyrën e dëshpëruar të përcjelljes së mesazhit konservator në një zonë veriore në zemrën e laburistëve. Në vitin 2001, ajo kandidoi si konservatore ne Hemsworth, në West Yorkshire, dhe siguroi një luhatje prej 4% nga laburistët në konservatorë.


Për të përmirësuar shanset e saj për herën tjetër, saj iu caktua nga partia deputeti Mark Field si mentor dhe menjëherë filloi marrëdhënia e tyre romantike. Martesa e tij 12 vjeçare përfundoi me divorc, ndërsa martesa e saj mbijetoi.


Pasi David Cameron u bë kreu i Konservatorëve, Truss u vendos në "listën A" të kandidatëve për ne parlament dhe u caktua ne zonen e sigurt konservatore të Bromley Chislehurst, Por pasi Daily Mail shpërtheu historinë e lidhjes së saj jashtemartesore, Truss u informua se ajo nuk do të ishte më kandidatja.


Më në fund në vitin 2009 Truss hyri në parlament, ku themeloi grupin e deputetëve të Ndërmarrjeve të Lira, duke mbrojtur de-rregullimin dhe taksat më të ulëta. Ajo ishte bashkëautore e “Britannia Unchained”, një broshurë që i përshkruante britanikët si “ndër përtacët më të këqij në botë”.


Pas një posti te vogel ne ministrine e arsimit, Truss u emërua si sekretare e mjedisit në 2014 për dy vjet, kur u kthye ne meme pas një fjalimi të ashpër në konferencën e Partisë Konservatore. "Britania importon dy të tretat e djathit të saj," tha ajo me një ton të gëzueshem, përpara se ta kthente krejt fytyren e saj në një shprehje tragjike: “Ky - Është - Një - Turp!”


Mbështetësit e saj këmbëngulin se Liz Truss është me të vërtetë një njeri i popullit – asaj nuk i pëlqen të mbaje fjalime dhe preferon takime te mbyllura ose festa. Duke qenë e vetëdijëshme se e folmja e vet me stakato është bërë objekt talljesh, është përpjekur të paraprijë kritikat duke thënë se e kupton edhe vetë që nuk është interpretuesja më e rafinuar.



Gjatë referendumit të BE-së, ajo argumentoi për Remain (kunder Brexit), duke nënshkruar një deklaratë ndërpartiake me Ed Miliband, Ed Davey dhe Caroline Lucas, e cila e quante fushaten per Brexit si "ekstremiste dhe të vjetëruar". Pas referendumit, ajo bëri një kthesë 180 gradë dhe tani është një nga mbështetëset më të zhurmëshme të largimitnga BE.


Nën kryeministren Theresa May, Truss u emërua sekretare e drejtësisë, ku shpejt u ndesh me një ngatërresë. Ajo dështoi të mbronte Gjykatën e Lartë pasi u cilësuan si "armiq të popullit" nga Daily Mail, sepse vendosën që parlamentit duhej t'i jepej një votim për çështjen e Brexit. Truss më vonë lëshoi ​​një deklaratë në mbështetje të gjyqtarëve të lartë, por kjo u pa si shumë pak, shumë vonë.


Veprimet e saj tërhoqën kritika të paprecedentë nga Lord Thomas, kryetari i Gjykatës së Lartë, i cili u tha deputetëve se ajo kishte "gabuar plotësisht dhe absolutisht".


Ajo u degradua për t'u bërë kryesekretare e Thesarit, por nuk u tërhoq, përkundrazi u bë gjithnjë e më shume agresive ndaj kolegeve, duke i quajtur softies (të butë). Zyra e saj fitoi një reputacion të padëshiruar në kabinet (qeveria angleze) për rrjedhjen e historive. Shpesh supozohej se rrjedhjet vinin drejtpërdrejt nga Truss, por miqtë e saj e kanë mohuar këtë.


Pas dorëheqjes së Theresa May, Truss u bë një nga ministrat e parë të kabinetit që mbështeti ofertën e Johnson për të udhëhequr partinë. Ajo u emërua sekretare e tregtisë ndërkombëtare (korrik 2019 - shtator 2021) dhe për dy vjet nënshkroi marrëveshje tregtare në të gjithë botën. Paralelisht që në shtator 2019 mban postin e ministres për grate dhe barazinë.


Në shtator 2021 u gradua ne postin e Sekretares së Jashtme. Si e tille Truss është bërë gjithnjë e më aktive në mediat sociale, duke dokumentuar në mënyrë shteruese udhëtimet e saj diplomatike me avion nëpër botë.



Dënimi i saj i veprimeve të Vladimir Putinit në Ukrainë ka çuar në një rritje të popullaritetit brenda konservatorëve. Zgjidhja e saj për ngërçin lidhur me protokollin e Irlandës së Veriut ishte heqja e pjesëve të mëdha të asaj marrëveshjeje. Kritikët thonë se ajo rrezikon një luftë tregtare me BE-në dhe ka dëmtuar reputacionin e Mbretërisë së Bashkuar për respektimin e ligjit ndërkombëtar.


Mbështetësit e saj thonë se talenti i saj krijues siguroi lirimin e anglezit Zaghari-Ratcliffe, një detyrë që u kishte shpëtuar tre sekretarëve të jashtëm të mëparshëm. Ajo angazhoi Omanin si ndërmjetës dhe i pagoi një borxh historik Teheranit.


Kritikët e saj thonë se Truss është kandidatja e vazhdimësisë së Johnson.


“Do të shihni pothuajse të njëjtat grupe njerëzish, të njëjtët konsulentë globalë dhe të njëjtët donatorë. Ajo ishte sigurisht shumë e vendosur për t'u bërë kryeministre, por askush nuk e di se çfarë do dhe mund të bëjë", tha një deputet.




167 views0 comments
bottom of page