top of page

Reportazh nga Kanina - teksti dhe fotot, Xhodi Hysa


N’Kanan! - Kanina e Madhe ose Natyrale, apo sipas bariut, Festimit, Kanina e vërtetë “fillon gati që në Zvërnec, përfshin fshatin Armen, kalon më pas deri Qishbardhë, Peshkëpi,” kapërcen malin Shashicë deri në kala të Radhimës.


Tani, Kanina nis nga fundi i Bishtit të Kalldrëmit. E zbulon nëse verës nuk do i dalësh nga plazhi për të lënë Vlorën, por do i biesh nga lindja në një xhade (?) të ndërtuar me fondet e Bashkimit Evropian. Gungat e kësaj rruge bëjnë çdo amortizator të kuisë dhe pasi bie në ca gropa dhe të dalin ca mure duke ngrënë nga trotuari, ke mbërritur në hyrje të fshatit. Ky, thonë kaninjotët, është Bishti i Kalldrëmit.


Vetë Bishti i Kalldrëmit i ka fillimet aty ku ngrihet një hark blu në stilin monumental të qindvjetorit të pavarësisë, mu para kodrës. Por ndërsa autori i këtyre rreshtave e imagjinonte Kaninën si të vdekur në kohë, përgjatë rrugës shfaqeshin vazhdimisht ndërtesa të reja.


“Këto nuk kanë qenë,” shtoi Eralda, e cila qe sebepi që unë isha intriguar nga Kanina dhe që atë fundjavë pushimesh rastisi të ishte bashkudhëtare. Gjatë pushimeve, por edhe para tyre ajo më kishte folur jo pak herë për fshatin që fshihet mes kodrave e që vëzhgon Vlorën.


Kështu kundërintuitivisht morra drejtimin e Bishtit të Kalldrëmit për të parë ullishtat që dikur kishin qenë aty, një nga burimet e të ardhurave në fshat dhe që pas demokracisë u bënë blloqe të mëdha ndërtimi.


Ato gunga, ato gropa, e bënin udhëtimin të ngadaltë dhe peizazhin, Vlorën dhe bregun e detit, më tërheqës dhe të shijueshëm. Që për herë të parë kur dëgjova për Kaninën, kisha hedhur sytë vërdallë në Vlorë kur kaloja për të kuptuar se ku ishte ajo. Asnjëherë nuk më kishte rënë në sy Kanina, e fshehur atje mes kodrave si diçka që nuk e sheh dot kollaj, (por që të sheh gjithë kohën?) Kanina ka qenë përherë aty, në atë kodrën që është vazhdimi i Shashicës.


“Ja kështu janë dhe kaninjotët,” vazhdoi të fliste ajo që e dinte historinë e Kaninës prej sa e sa historive të dëgjuara në fshat gjatë pushimeve të verës “janë kokëfortë si ky mal që në fakt është kodër sepse është 900 metra, por që preferon të thirret mal.




”Aq kokëfortë janë kaninjotët, më tregonte, sa që vendi e mori emrin Kaninë se osmanët e inatosur me ta e rrethuan, u prenë ushqimin dhe në fund u thanë banorëve “Po tani hë?”


Sipas legjendës, nga brenda kalasë iu përgjigjën në osmanishte “kanan”, shqip “gjak”. Edhe gjak do hanin dhe nuk kishin për t’u dorëzuar kurrë.


Jo vetëm bashkudhëtarja, por edhe të tjerët duket sikur heshtin kur i pyet se si ka mundësi pra që këtu janë aq të lashtë sa muret e kalasë 2500 vjeçare, por edhe kanë ngrënë gjakun e njëri tjetrin por edhe, sikur, janë dorëzuar?!


Rruga që ngrihet me gjarpërime duket se vjen në një pikë e cila përpara komunizmit quhej “lagjja e evgjitëve”. Është një nga pjesët më të bukura të fshatit, pasi përballë sheh jo vetëm gadishullin e Karaburunit po edhe ishullin e Sazanit, Nartën dhe në fund gjithë fushën në të cilën sot është Vlora.


Mbase është dëshmi e mendjes së hapur të agallarëve të Kaninës, që kishin pranuar t’i jepnin evgjitëve një pamje kaq të bukur.




“Me shumë mundësi të parët tanë kanë dashur të shohin nga lindja e diellit,” më thoshte në të rënë të diellit një bari ndërsa bagëtia që kulloste në kalanë ku kaninjotët e Gjergj Arjanitit, në shekull të pesëmbëdhjetë, farkëtonin helmetat e truprojave të nderit që do merrnin në dorëzim Donikën për t’ia çuar Gjergj Kastriotit në Kep të Rodonit, “Neve i kemi sjellë evgjitët sepse jemi agallarë nga natyra.


Madje as oxhaqe nuk kemi këtu në Kaninë sepse jemi të gjithë oxhaqe dhe megjithëse ka disa familje që kanë jetuar në lagjen e Agallarëve, prapë se prapë ne nuk kemi punuar por kemi pasur shërbëtorë.”


Me gishtin e tij të trashë, më tregoi një grumbull shtëpish të reja nga jugu i kalasë. Aty qe Shqipëria moderne: Karabina, dy kate të para të ndërtuara, të lyera me ngjyra të ndezura, katet e treta hera herës të papërfunduara. Krejt ndryshe nga shtëpi të vjetra që kishin mbetur, të ulëta, me dritare të ngushta dhe që i linin hapësirë njëra tjetrës për të marrë diell. Shtëpitë e emigrantëve (sepse këto të rejat ishin ndërtuar me paratë e shumicës së fshatit sot në emigracion) ishin të vendosura ashtu sikur t’i zinin frymën njëra- tjetrës. Atje, vazhdoi ai duke u mbështetur në shkopin e çobanit, ndodhej lagja e agallarëve e cila ishte e mbushur me AGALLARËT e një vendi që dikur s’ishte fshat.


E forta është se edhe gjatë komunizmit, burrat e kësaj zone bëni çmos t’i hiqnin gratë nga puna. Për kaninjotin të të punonte gruaja ishte turp. Ajo duhet të ishte zonjë dhe të qëndronte në shtëpi.


Ndërsa ai fliste kështu m’u kujtua Zenepja që e takuam pak më parë në oborrin e shtëpisë së saj që djemtë ia kishin rindërtuar me paratë e emigrimit. Ajo me shallin që mbante mbi kokë dhe me atë shpotinë e asaj zone nuk pretendonte vetëm të më kishte njohur mua nga sytë e mi. Me dorën që më hodhi në supe filloi të më thoshte që para disa vitesh, kur edhe fuqitë po e linin, kishte vendosur të merrte një shërbëtore. “Por ja që askush nga këto të rejat e Kaninës nuk donte. Po si të donte xhanëm?! Kush na kanjinjotet tona do të punonte sot kur ne në brez të brezave kemi patur shërbëtorë?”


Në Kaninë, sipas gojëdhënave, ka patur shtatë çezma të cilat lidheshin me një pus brenda Kalasë, tek e cila për të shkuar duhet të marrësh një rrugë që është pikërisht në hyrjen e dikurshme të fshatit, pra në fundin e Bishtit të Kalldrëmit. Me një kthesë disi të vështirë për makinat dhe me një rrugë që me zor nxinte një makinë presje shtatëmbëdhjetë përqind, rruga e kalasë qe dhe më e keqe se sa ajo e fshatit.




Kalaja është pikë që sugjerohet në itinerare turistësh. Ndërkohë që makina mezi hipte në rrugën me rrasa të shtruar nga osmanët, dielli kishte nisur të cekte detin. Kur zbret nga makina në pllajën që dikur mbante portën kryesore të kalasë, sheh muret që kanë rënë dhe një grumbull gurësh mu në mes.


Kaninjotët duket se në kohë të kohëve kanë përdorur trupin e kalasë për të ndërtuar shtëpitë e tyre. Këtë ta tregojnë vetë, madje edhe pas demokracisë u përdor po kjo traditë e hershme.


Shtëpitë bënin garë kush e kush zinte pamjen më të mirë; ishte ajo gara e vrullshme që qindra metra më poshtë, në nivelin e detit, e bënte edhe Vlora heroike e pavarësisë dhe betonit.


“Ndoshta është faji i komunizmit?” e pyes bashkudhëtaren nga Kanina, e cila në të reflektuar më thotë se ky nonsens duket i jepte shpjegim kitsch-it komunist të cilin shqiptari duket se e ka bërë të vetin dhe i cili ia kishte tharë shijen. Pastaj në fytyrë shfaqi atë trishtimin për tjetërsimin e vendlindjes në një trup krejt të transfiguruar të cilin ajo nuk e njeh më.


Në qendër ngrihej një lapidar që s’kuptohej tamam cilit hero (të Luftës së Dytë Botërore) i kushtohej.


Fashistët italianë vinin deri në Kaninë me një teleferik të sajuar aty për aty për të marrë ujë burimi.


Pak më tutje lapidarit një lokal, produkt post-komunizmi, karabina me dy kate të përfunduara në të cilën dëgjoje pleqtë të flisnin sa për Mehmet Shehun e sa për politikën e sotme të jashtme. Ja kështu dëgjova se si Kina kishte bërë ato hapa që dikur Mehmet Shehu në një takim me kaninjotët i kishte parashikuar. Se si ne ishim fuqi e rëndësishme strategjike ushtarake dhe ekonomike aq sa sabotatorë përpiqeshin çdo vit të na prishnin planet. Të gjitha këto diskutime bëheshin përbri bustit të Ismail Bej Vlorës, i cili, siç e di i

madh e i vogël, është kaninjot safi.


Kur ia përmend këtë bariut që rri e sheh sheh delet mbi kala, ai të kthehet e t’a kthen: “Nëse Vlora do të shkatërrohej, Kanina e bën Vlorën, por po të shkatërrohej Kanina, Vlora nuk e bën dot Kaninën.” E pastaj të sheh në sy e pastaj ia bën me dorë nga lagjja e paraardhësve të Ismail Bej Vlorës, Shakogjinit , e cila ndodhet mu poshtë kalasë nga veriu. Drejton dorën dhe vazhdon: “Këtu, thonë pleqtë se kanë qenë shtatë principata. Ndonëse unë kam arritur deri në gjashtë dhe babai im më thoshte që ka qenë edhe principata e Zenebishtajve të Delvinës.”


Ndër shekuj, Kanina ka patur si burim të jetës blegtorinë dhe ullishtat, të cilat e kishin bërë të njohur edhe përtej detit.


Festimi tregon se italianët, venedikasit, sa herë vinin në këto zona, vendalinjtë i prisnin me shpata, kështu që ata u thonin këtyre, cani, (cagnioli,) dhe vendit Canino, Kaninë.


Kanina kështu, paska emrin më të mistershëm që duhej një lumë legjendash për ta shpjeguar.


Versioni i parë, osman, sikur donte të tregonte krenarinë dhe fodullëkun e tyre, ky venedikasi, t’u theksonte ashpërsinë si tipar. Se cila qe e vërteta atë nuk e di. I them bashkudhëtarëve, mos e keni prejardhjen nga Kanani, toka që Perëndia i dha Abrahamit të rriste fëmijët.


Dielli po kapërcente Sazanin, qetë e bariut Festim kishin shkuar të kullosnin tutje. Një grup fëmijësh po merrnin gurë nga kalaja dhe i gjuanin teposhtë. Ishin në botën të tyre dhe dukej të ishin rritur jashtë këtij realiteti që vinin e kujtonin një herë në vit. Të rinjtë kishin ikur të gjithë nëpër Itali e Greqi, pleqtë këtu gëzonin me paratë që vinin nga andej.


Krenaria dhe fodullëku mbanin legjendat gjallë, por shtëpitë e rindërtuara rishtazi nuk mbaheshin aq mirë sa të vjetrat. Muret s’i kishin aq të bardha më, ndërkohë që respekti për komshiun, të mos ia zinin dritën, ka filluar të venitet edhe në fshat. Kisha shijen e një zone e kish humbur tashmë betejën me atë që pretendonte se ishte.


Një xhami e bardhë, e ndërtuar pas viteve 1990, që sipas të thënave në fshat qe sponsorizuar me paratë e naftës, qëndronte e heshtur për vakt të Akshamit. “Kaninjotët janë njerëz besëtytë por jo shumë besimtarë,” thotë Festimi, ndërsa u fishkëllen deleve të mos largohen. “Shkojnë çdo të enjte tek një teqe që ndodhet në lindje të fshatit dhe ndezin një qiri.


”Nuk e di njeri nëse besimin ua kishte bjerrë komunizmi, por gjatë tij kaninjotët kishin humbur gjithë tokat dhe ullishtat. Kanina, vazhdoi bariu që më sajdisi për pjesën më të madhe të kësaj vizite, ka qenë një vend tek i cili, para komunizmit, kush s’donte të vinte, “por kur na i morën të gjitha atëherë nuk donin të vinin më.


“Pse të vinin? Sa të zbrisje deri poshtë tek kooperativa,” duke treguar me gisht nga një garrumbull shtëpish, pastaj nga Lumi i Vlorës dhe më në fund nga fshati Armen, “të duhej një gjysmën dite!


“Sot siç e sheh gjendja është kjo që është, kemi patur një histori të lavdishme sa që ne e dimë fort mirë se kush janë familjet e para në këtë vend. Mund të them që 80 përqind e këtyre familjeve që jetojnë sot e kësaj dite janë nga familjet e para. Por këtu poshtë në lagjen e Donikës, apo Agallarëve, nuk ka mbetur asnjë familje e vërtetë agallarësh.”


E lamë bariun në punë të vet dhe zbritëm teposhtë. Prapa krahëve kishim rrugën e bregut që të çonte në Shashicë, mal është, thoshte Festimi, i madh e i gjatë, megjithëse ka tokë të butë.


Prapa linim dhe të shkuarën të lavdishme. Kanina kishte rënë në heshtje, kaninjotët po flinin në banesat suva rozë dhe shufrat e hekurit që dilnin mbi shtyllat e betonit për të treguar kate që dikur do përfundonin. Bishtin e Kalldrëmit po e merrnim tani së prapthi. Vlora kishte kohë që shndrinte nga dritat e rrugëve dhe makinave që sapo kishin zbritur Llogaranë.





131 views0 comments

Comments


bottom of page