top of page

Lideri i fortë, qeverisja si fe, dhuna dhe lufta, sundimi i elitës, krenarizmi kulturor, puna



Francesca Kubati - BAZAT TEORIKE TE FASHIZMIT


Fashizmi është një formë diktatoriale e sundimit ku lideri kërkon te kontrolloje

vendin e vet nëpërmjet autoritarizmit të fortë dhe ultranacionalizmit.

Ne shoqërine fashiste, të unifikuar përmes rregullimit strikt të kulturës dhe ekonomisë dhe një qeverisjeje të hipercentralizuar, çdo opozitë ndaj liderit është e shtypur dhe e nënshtruar.


Gjatë historisë, filozofë politikë të ndryshëm kanë reaguar me shkallë justifikimi apo aprovimi ndaj fashizmit. Në përgjithësi De Maistre, Nietzsche, Mosca, Michels dhe Pareto pajtohen me idenë e fashizmit, në masën që ai perputhet me teoritë e secilit prej tyre mbi shoqërinë njerëzore dhe qeverisjen.


De Maistre parapriu doktrinat fashiste për shkak të opinioneve të tij mbi natyrën njerëzore. Ai besonte se njeriu i zakonshëm është natyralisht korrupt për shkak te egoizmit primar dhe i prirur ndaj dekadencës. De Maistre thotë: "Njeriu në përgjithësi, nëse reduktohet në vetvete, është shumë i lig për të qenë i lirë. Prandaj njerëzit nuk janë të aftë të vetëqeverisen, siç do të sugjeronte një shoqëri demokratike. Në vend të kësaj ata duhet të shikojnë drejt një fuqie më te lartë, siç është Zoti, për të punuar per qëllimin e përbashkët të rritjes se begatisë së përgjithshme të shoqërisë njerëzore."


Musolini pajtohet me këtë opinion, duke shpjeguar:


“Fashizmi sheh në botë, jo vetëm ato aspekte sipërfaqësore, materiale, në të cilat njeriu

shfaqet si një individ që pergjigjet për vete, i përqendruar tek vetja, i nënshtruar ndaj ligjit natyror që instinktivisht e nxit drejt një jete me kënaqësi momentale egoiste. Ai sheh jo vetëm individin, por edhe kombin e vendin - që janë individë dhe breza të ngjizur

së bashku me një ligj moral."


Këtu, Musolini thekson "të vërtetat e vullnetit njerëzor" në të cilat bazohet fashizmi. Kur njeriu qëndron si individ, i larguar nga nevojat e shtetkombit të tij, ai dhe gjithë të tjerët përreth tij vuajnë, se nuk po kontribuojnë për të mirën kolektive. Me një prijës të gjithëfuqishëm, si nje Zot, për ta udhëhequr popullin drejt pastërtisë dhe nderit, si individi ashtu edhe kombi do të lulëzojnë.


De Maistre pajtohet me konceptin e pushtetit si nje strukture fetare:


"Qeveria është një fe e vërtetë: ajo ka dogmat e saj, misteret e saj, priftërinjtë e saj... i jepet jetë vetëm nëpërmjet mendjes nacionale, që do të thotë prej kredos politike që është një nje forme feje."


Në këtë krahasim, De Maistre i hap rrugën regjimeve fashiste dhe adhurimit pothuajse fetar që ata marrin nga shoqëria, ku partitë politike janë të ngjashme me sektet fetare dhe ato meritojnë të njëjtin zjarr dhe përkushtim.


Për më tepër, Mussolini dhe De Maistre bien dakord gjithashtu për konkluzionet ideologjike ne lidhje me dhunën, sipas asaj qe shkruan De Maistre:

"Dhe kush (në këtë masakër të përgjithshme) e shfaros atë që do të shfarosë të gjithë të tjerët? Ai vetë. Është njeriu ai që eshte i ngarkuar me therjen e njeriut... gjithë toka, e zhytur vazhdimisht në gjak, nuk është gjë tjetër veçse një altar i madh, mbi të cilin duhet që të gjithë të gjallët të flijohen pa fund, pa masë, pa pauzë, deri në përfundimin e gjërave, derisa e keqja të shuhet, deri në vdekjen e vdekjes."


De Maistre është një fetar i vendosur; ai beson se e vetmja mënyrë që njerëzimi te mundë te zbusë dekadencen e vet është përmes dhunës dhe gjakderdhjes, te cilat janë shpagim per imoralitetin e shoqerise, e cila kërcënohet nga një dënim i afërt nëse raca njerëzore vazhdon të vërë në dyshim veprat hyjnore te Zotit.

Musolini diskuton mbi dhunen dhe gjakderdhjen në këtë mënyre:


"Mbi të gjitha, fashizmi, për aq sa konsideron dhe vëzhgon të ardhmen dhe zhvillimin e njerëzimit në menyrë të ndarë nga konsideratat politike të momentit, nuk beson as në mundësinë dhe as në dobinë e paqes së përhershme… Vetëm lufta sjell në tensionin më të lartë të gjithë energjinë njerëzore dhe vë vulën e fisnikërisë mbi njerëzit që kanë guximin te përballohen me të. Të gjitha sprovat e tjera janë surrogato, të cilat kurrë nuk e vënë njeriun përballë vetes, në alternativën e jetës apo vdekjes."


Musolini beson qartësisht se është e panevojshme që të ruhet paqja. Lufta krijon ndjenja pasioni, energjie dhe uniteti dhe ai që nuk i përkushtohet tërësisht kombit është egoist dhe dembel. Në një shoqëri fashiste, lufta ndan të fortët nga të dobëtit, sepse ve në dukje anëtarët me të vërtetë të përkushtuar të shoqërisë.


Një aspekt tjetër i rëndësishëm i ideologjisë fashiste është koncepti i sundimit të një pakice te zgjedhur mbi një shumicë njerezish mesatarë. Në "Doktrinën e Fashizmit" Musolini thotë:


“Guri themelor i doktrinës fashiste është koncepti për shtetin, për thelbin e tij, funksionet dhe qëllimet e tij. Për fashizmin shteti është absolut; individët dhe grupet janë relative. Individët dhe grupet janë të pranueshme për aq sa rrijnë brenda shtetit."


Njerëzit dhe grupet që ekzistojnë nën shtetin lejohen të kenë lirinë e tyre, për aq kohë sa ata pranojnë ta vendosin shtetin mbi axhendat e tyre personale, me çdo kusht. Drejtimi politik i elitës është në thelb më i rëndësishëm dhe më i arsyeshëm dhe qytetarët duhet ta mbajnë këtë vath në vesh. Elita përbëhet nga individët më superiorë që mund të ofrojë shoqëria: të zgjuar, artistikë, të talentuar, të rafinuar. Ata janë borgjezë, jo për nga gjaku, por për nga inteligjenca e vërtetë. Ata janë të vetmit të aftë të sundojnë mbi "kopenë e turmës", siç e ka përcaktuar Niçe.


Pareto bie dakord me këtë konceptim të autoritetit qeverisës të elitës, duke thënë:

“Të gjitha qeveritë përdorin forcën dhe të gjitha pohojnë se janë të bazuara në arsye. Në fakt, qoftë e drejta e votës universale, apo jo, është gjithmonë një oligarki ajo që qeveris."


Pareto beson se oligarkia, e përcaktuar si një grup i vogël njerëzish që kanë kontroll mbi një vend apo organizatë, janë gjithmonë ata që vijnë në pushtet, edhe në shoqëritë demokratike. Ne kete menyre ai mbjell mosbesimin te demokracia e vërtetë, duke theksiar se ata më të aftët do të kenë gjithmonë pushtet mbi shumicën.


Michels e zhvillon më tej këtë ide duke shkruar:


"Qeveria... nuk mund të jetë gjë tjetër veçse organizim i një pakice. Eshtë synimi i kësaj pakice për t'i imponuar pjesës tjetër të shoqërisë një 'rend ligjor', që është rezultati i nevojave të sundimit dhe shfrytëzimit të masës së helotëve nga kjo pakice në pushtet dhe kurrë nuk mund të jetë përfaqësuese e vërtetë e shumicës."


Sipas Michels, është e pamundur për çdo regjim qeveritar qe të jetë përfaqësues i vërtetë i masave. Pakicat elitare janë të vetmet që janë në gjendje të krijojnë rend, mes kaosit irracional që përjetëson njerëzimi. Ai vazhdon duke thënë:


“Ne gjejmë kudo votues dhe të zgjedhur. Gjithashtu ne gjejmë kudo se fuqia e krerëve të zgjedhur mbi masat zgjedhëse është pothuajse e pakufizuar. Struktura oligarkike e ndërteses e mbyt parimin themelor demokratik."


Oligarkia nuk mund të shmanget, kështu që nuk ka arsye që njerëzit të tentojnë forma të ndryshme qeverisje. Elitizmi do të mbysë gjithmonë ecurinë e idealeve komuniste. Mosca pajtohet me ekzistencën e pakicës sunduese dhe e shtyn më tej argumentin duke theksuar

rëndësine e kualitetit të kësaj pakice. Ai shkruan:


“Tani është një gjë e zakonshme të shohësh veshtirësite e një kombi ose të një tjetri, ose katastrofat që i kërcënojnë, që i atribuohen, jo aq shumë injorancës së masave apo ligësise se njerëzve në pushtet, se sa paaftësisë dhe papërshtatshmërisë së shtresave sunduese."


Shtete kanë dështuar në të kaluarën sepse ata që kanë ardhur në pushtet nuk ishin tamam të aftë për të sunduar. Ata morën pushtetin hierarkik, por vetëm regjimi fashist është i tille qe liderët e tij zgjidhen nga ajka më e mirë që shoqëria ka për të ofruar. Është e rëndësishme që të percaktohet standardi me të cilin duhet të përputhen këta udhëheqës divinë dhe Mosca e krahason figurën e kreut fashist me një artist. Mosca përshkruan kulturën popullore si një antitezë te idealit estetik të elitës fashiste:


"Prandaj duket se ka një tendencë të shpeshtë, nëse jo universale, në shumë qytetërime të pjekura, ku klasat sunduese kanë fituar kultura letrare shumë të rafinuara, të entuziazmohemi për hir të një lloj manie kundërshtimi me mënyrat e thjeshta të egërsirave, barbarëve dhe katundarëve (rasti i Arkadisë!) dhe t'i veshim ato me lloj-lloj virtytesh dhe ndjenjash që janë sa klishe aq edhe imagjinare."


Konceptimi i Mosca-s për një lider është si nje figurë që vlerëson bukurinë, edukimin dhe kulturën. Ai qëndron si simbol i këtyre vlerave, për të ndikuar në pjesën tjetër të njerëzve, me shpresën për ta sjellë kombin e pagdhendur në nivelin e vet të përsosmërisë.

Ky sundimtar artistik është thelbi i vërtetë i shoqërise fashiste; qytetari i mesëm duhet te synoje ta emulojë këtë ideal, thotë D'Annunzio në "Kushtetutën e Fiumes". Ai shkruan:


“Jeta është një gjë e mirë, është e përshtatshme dhe e drejtë që njeriu, i rilindur në liri, të bëjë një jetë që është fisnike dhe serioze; burrë i vërtetë është ai që përditë e përtërin përkushtimin e burrërise se vet ndaj bashkëqytetarëve të tij; puna, sado e përunjur dhe e paspikatur, nëse bëhet mirë, e shton bukurine e botës."


Këtu, ai lartëson psiken e njeriut të thjeshtë dhe u thotë bashkeqytetarëve të tij se ata e meritojnë lirinë dhe bukurinë. Njeriu i vogël mund ta arrijë këtë për sa kohë ai i kushtohet nevojës së shtetit, një kauzë vërtet e nderuar.


D'Annunzio ishte një figurë e joshjes dhe simbolizmit dhe fuqia e tij më e madhe ishte aftësia për të nxitur një imazh. Kauza e përbashkët që ai krijoi ishte miti-kult i kulturës se Italisë dhe ideja që të gjithë italianet duhet të jenë krenarë për këtë trashëgimi. Ai shprehet,


“Fiume është roja e marshimeve italiane, fortesa më e largët e kulturës italiane, toka më e largët që mbart gjurmët e Dantes."


Niçe do të lidhej gjithashtu me konceptin identitar te D'Annunzio-s. Ai shkruan:


“Konkluzion: i gjithë vlerësimi bëhet nga një këndvështrim i caktuar: ai i ruajtjes së

individit, një komuniteti, një race, një shteti, një kishe, një besimi, një kulture."


Te D'Annunzio dhe Musolini, tema e përbashkët e krijimit te një race dhe kulture italiane bëhet jashtëzakonisht e dukëshme. Eksitimi dhe krenaria e induktuar brenda qytetarëve i shtyn ata të punojnë per madhështinë e kombit. Prijësi i plotfuqishëm, si D'Annunzio apo Musolini, qëndron si shembulli kryesor i këtij ideali. Ai ka një imazh superheroi, te ngjashëm me Zotin, që e çon shoqërinë e korruptuar drejt ndriçimit të vërtetë.


Si përfundim, filozofë të ndryshëm politikë si De Maistre, Niçe, Niçe, Mosca

Michels dhe Pareto ndikuan në ideologjinë fashiste për shkak të besimit të tyre te një udhëheqës absolut, dramatizimi i qeverisjes si formë feje, mbështetja e dhunës dhe luftës, mbështetja e një pakice elitare që sundon mbi pjesën tjetër të shoqërisë dhe te bashkimi i kombit përmes krenarise se fortë kulturore dhe mobilizimit në pune.


Këto vlera shpalosen qartë, si ne "Doktrina e Fashizmit" e Musolinit dhe ne "Kushtetuta e Fiumes" e D'Annunzio-s. Veshtirësite e Italisë pas Luftës së Parë Botërore ishin të mëdha. Vlonte pakënaqesia, njerëzit kerkon zgjidhje në ide të reja. Ne ato kushte ata mundën të zhvillonin ideologjine e tyre, ndonëse me burime të kufizuara. Nëpërmjet këtyre vlerave, Musolini mundi të joshte qytetarët e tij dhe shume njerëz të tjerë në botë, për të besuar ne imazhin final, te ndritshem, të Italise.


Të gjithë e dijmë si përfundoi.



1,650 views0 comments

Comments


bottom of page