top of page

Edhe ti? - Dy gra që gjinden rastësisht sëbashku në një rrugë të Torontos. Tregim nga Inis Jorgo

Updated: Mar 1, 2022


Inis Jorgo


EDHE TI?


Ishte një nga ato pasdite të zakonshme pas pune në Toronto të cilat përveç se të shtyjnë të shkosh në shtëpi, nuk bëjnë dot asgjë tjetër!


Ngarkesa e ditës më qëndronte mbi supe. Ishte e këndëshme ajo pasditja vjeshtore ku stina e re këmbëngulte të zinte vend, por mendjen e kisha të shplodhesha e ndërsa zbrita nga treni, nisa të përshkoj rrugën e populluar me njerëz indiferentë që duket vetëm sikur vrapojnë. Janë të tilla këto rrugë ku nëse sheh dikë që ecën pa u ngutur, ti mendon se ka dicka që nuk shkon…


Syri më zuri një grumbull njerëzish të cilëve më duhej t’u kaloja pranë. U afrova me kërshëri ndaj të papriturës duke u gjendur mes kuriozitetit e drojës bashkë e njësoj si vala pakuptuar të nxjerr në breg, u gjenda pranë një djali të ri të shtrirë në tokë. Trupin e tij të hollë e rrethonte heshtja e turmës apo edhe psherëtima e dikujt që nuk arrinte të ishte aq i fortë ndaj këtyre skenave…!


Rrotullova kokën dhe pashë fytyrat e njerëzve ku kishte keqardhje e seicili e shihte po ashtu sipas mënyrës së tij: me pak kërshëri, dikush me qortimin stamposur mbi cinizëm, e mund të gjeje edhe ndonjë fytyrë-akull që veç indiferencës, nuk të ofronte asgjë! Për faktin se një palë iknin e të tjerë vinin, turma rrotull djalit as nuk zmadhohej e as zvogëlohej…


Kisha mbetur atje, pa lëvizur. E mpirë për disa çaste derisa dikush më shtyu lehtas padashur. M’u kujtuan të tilla situata në vendin tim mesdhetar e mendova sesa zhurmë do të kishte një skenë e tillë atje, siç mendova sesa të ftohta por edhe korrekte janë rregullat këtu.


“Si s’po gjendet një mjek këtu rrotull” – nisa të mendoj, kur djalit ju afrua një afrikan me nje kapele tipike plot ngjyra. U hutova për një cast pas atyre ngjyrave lodrake të cilat ishin kombinimi më i papërshtatshëm me djalin shtrirë aty pranë. Arrita ta fiksoj atë punim duar-artë që i rrinte aq indiferent afrikanit mbi krye. Afrikani jepte përshtypjen se as nuk e kishte idenë e artit që përmbante ajo kapelle. Ai u ul në gjunjë e kërkonte të dinte nëse djali merrte frymë. U përkul aq sa flokët e tij dredha- dredha i prekën fytyrën. Pasi e kqyri, afrikani ja drejtoi duart e tij në fytyrë e nisi një ritual duke më kujtuar fiset e dokumentarëve që përherë duket se flasin vetëm përmes tingujve. Që nuk kanë asnjë shprehje në fytyrë e sillën vërdalë lakuriq pa ditur se po sfidojne. Më pas afrikani u ngrit e duke mërmëritur se do të lutej për djalin, u largua indiferent sikur të mos kishte qënë mes nesh.


Pasditja nisi të thyhet e ndjeva pak ftohët. Po ai djalë i shtrirë atje a ndjente të ftohët vallë??? Dikush i kishte vënë poshtë kokës një xhaketë të kaltër e ndërsa prisnim dikë të gjendej, ndjeva një çantë të lëshohej tek këmbët e mia. Nuk pata simpati të zotin e çantës e sjellja e tij jo-praktike, më dha të kuptoj se vetëm mjek nuk mund të ishte. Pasi e la çantën e lëkures mbi tokë, u kujdes që edhe buketën e luleve që diku po e çonte, ta vinte me kujdes mbi çantë. Kaluan disa sekonda mes këtij ekuilibri deri lodhës e mu krijoi idea se me siguri e shoqja e cila mund të kishte ditëlindjen, ndërsa e priste, kishte nisur të nervozohej jo pak. … Kishte një korrektesë lodhëse zyrtari I hekurosur e më erdhi të qesh teksa mendoja se nëse do kisha rastin të punoja më të, ai do të ishte i fundit person me të cilin mund të bisedoja.


Zyrtari nuk harroi të tërhiqte pantallonën tek përkulej tek djaloshi, gjë që shkriu disi momentin e tensionuar. Kishte një raport mes shqtesimit dhe qesharakes ai çast e pasi mërmëriti se dikur kishte bërë një kurs ndihme të shpejtë e i sëmuri nuk duhej lëvizur, rrëmbeu çantën e lulet duke marrë më vete habinë e njerëzve e duke e lënë pas ndjesinë e mediokritetit.


I riu qëndronte ende i shtrirë. Dukej i shkëputur nga shqetësimi i të gjithëve ne! Në moshë ai ishte një djalosh, por e shihja të lodhur; ishte i shtrirë mes të panjohurve pa askënd nga familja e tij pranë. Çanta e tij nuk ishte si e çdo të riu. Dallova bishtin e një çekici nga ajo cantë e pluhrosur e cila emetonte jo pak kokëcarje. Nuk dukej i lehtë ai çekiç për duart e tij të njoma…Një aparat celulari pranë tij më ktheu aq mbrapsht në vite. Atë çast ndjeva se e gjithë pamundësia e keqardhja ime, i përkisnin vetëm atij ! Kisha mbetur e gozhduar, nën ndenjën e një faji të paspjeguar.


Të gjitha këto përjetime po ndodhnin brenda pak minutave ndërsa qetësinë e thyente vazhdimisht zëri i një gruaje e cila lajmëroi ndihmën e shpejtë. Gruaja ishte personi më i zhurmshëm brenda asaj turme pa fare fjalë e po çuditesha sesi zhurma e saj arrinte të më bezdiste! E shëndoshë por e shkathët si një adoleshente, me një telefon në dorë ajo shihte vazhdimisht nga rruga. Gruaja hynte e dilte lirshëm në rrethin e njerëzve e megjithëse dukej e fortë, unë ja ndjeva dridhjen e zërit të saj. U afrua pranë meje e me një anglishte më aksent më tha:


-Zoti e ndihmoftë! Nuk e kam idenë cfarë i ka ndodhur! Shihe sa i ri është….


Ju afrova djaloshit e morra guximin tja marr dorën e tij në timen. Ndjeva sa të reja ishin ato duar, duar ende të paburëruara por që dukeshin të munduara jo pak …Nuk dallova ndonjë tatuazh protagonizmi, nuk kishin asgjë ato duar veç moshës që fliste apo pluhurit të ndërtimit futur mes thonjve. Ishin duart e një djali me një jetë jo aq të lehtë! Një lëmsh më ngushtoi fytin dhe mallëngjimi më mbërtheu ndërsa vazhdoja t'ja mbajta dorën, duke e bindur veten se një pjesë e lëndimit tim, mbase do e ndihmonte.


Dëgjoja fjali të shkëputura e mezi prisja të dëgjoja sirenën e autombulancës ndërsa papritmas ndjeva një lëvizje të lehtë të gishtërinjve të tij. Dikush pas krahëve të mij nisi të më rikujtojnte rregullat e ndihmës së shpejtë por gabimi im i “mrekullueshem” që sapo kishte ndodhur, më dha të kuptoj se djali jetonte. Brenda vetes prisja me padurim të shfaqej një grua e cila mund të ishte nëna e tij. E prisja t’i vinte nga çasti në çast!


Ai hapi me mundim sytë e lodhur. Nuk kuptonte ku ishte. Thjesht belbëzoi që ato ditë ishte lodhur shumë në punë e se mbase duhet te ishte ushqyer pak më mire. Minutat po na dukeshin të gjata e ndërsa njerëzit nisën të rrallohen, pranë tij mbetëm vetëm unë, gruaja e nja dy pensionistë të cilët s'benin gjë tjetër, veç një mëshirimi pa fare takt.


I buzëqesha lehtë djaloshit duke i nënkuptuar sa shumë na kishte merakosur.


-Më dëgjon? -e pyeta. A më kupton? - dhe ktheva kokën mënjanë për të mos m’a dalluar mallëngjimin Pranë u afrua edhe gruaja e cila nisi t’ja fshinte fytyrën me cepin e shallit të saj. Vepronte plot kujdes e me keqardhje të ndjeshme. Ja afroi çantën pranë e ja vendosi telefonin atje.


- Mos u mërzit se do të bëhesh mire- i tha. I ngatërronte kohët e foljeve në anglisht por dhembshuria me të cilën ajo fliste, bënte të kuptueshme gjithshka!


- Këtu e ke celularin se mbase të duhet të lajmërosh nënën. Megjithese gruaja kishte marrë pozicionin e këshillueses së ftohtë, zëri i saj ishte zëri i dikujt me një shpirt të thellë! Nuk di përse më jepte aq siguri ajo grua! Pas kësaj, nxorri kuletën dhe ja dallova duart t’i dridheshin jo pak. Pa zhurmë e paksa rrëmujshëm, ajo ja vuri në xhepin e këmishës të gjitha paratë që kishte.


-Merri! Merri ti kesh se nuk i dihet… Bli diçka kur të dalësh nga spitali. Se mos i blen cigare se ndryshe nuk ti jap! Dëgjove? - i foli ajo mes mes porosisë dhe buzëqeshjes se saj aq dashamirëse.


Edhe pensionistët tashmë ishin larguar nën indiferencën e moshës e të çuditur disi nga dedikimi i ne të dyjave.

Sirena e ndihmës së shpejtë po afrohej. Infermierët sapo mbërritën, e vendosën djalin në një barrelë duke vepruar admirueshëm, shpejt, saktë por ftohtësisht.


Aq sa donja që ai të nisej menjëherë, aq nuk doja të ma merrnin. Ndjeja se edhe gruaja po përjetonte si unë.


Djali ishte i rritur siç ishte edhe aq pranë fëmijës; ishte me pluhur ashtu si asaj moshe nuk i shkon! Nuk na i shkëpuste sytë të dyjave e nuk do ti harroj dot ata sy sa shumë flisnin. Falenderimin nuk e kam ndjerë kurrë të tillë si në ato çaste!


-A mund ti them dy fjalë? -e pyeta infermierin i cili fillimisht hezitoi. Ju afrova djalit dhe kisha ndjesinë e të paturit të një shkopthi në grykë.


-Do të të lutem t’a ndihmosh veten! Je kaq i ri e i bukur. Jeta jote është duke të pritur zemër! A ma premton?


Po – mu përgjigj, Të premtoj si nënës time!! Nuk quhej mallëngjim ajo çka ai kishte në fytyrë. Ishte diçka edhe më e trishtë. Po mendoja se ishte një nga ato të rralla çaste, kur fare rastësisht gjindesh pranë dikujt. E unë, unë jo më kot isha ndodhur pikërisht atë pasditë, në atë rrugë e aq pranë atij djali të vetmuar e të rrethuar nga lodhja e heshtja e pasdites së vjeshtës. Mbaj mend se fjalën "ZEMER" ja thashë instiktivisht në shqip kjo, si për të ngrohur sado pak edhe shpirtin tim.


-Ku e ke nënën? arrita ta pyes.


-Ajo jeton shumë larg nga ky vend-u përgjigj ai i lodhur. Unë punoj këtu për të ndihmuar familjen time. Ishte në luftë me shumë gjëra bashkë ai djalë. Me mallin, me lodhjen djaloshi i cili tentonte ta arrinte burrërinë e tij shumë më shpejt se sa moshatarët e tij ! Gjithshka doja unë atë moment ishte t’i jepja atij pak ngrohtësi, sikur një pjesëz të nënës që e kishte larg.


-Ti do të bëhesh mirë, do punosh e nëna jotë do krenohet me ty- E nuk i dihet- shtova. Ne mund të takohemi përsëri një ditë, një ditë kur ti vërtet të jesh bërë burrë! Djaloshi u mundua të më buzëqeshte nën zbehtësinë e lodhjes.


Autoambulanca u nis duke marrë me vete djalin dhe emocionin tim të atyre minutave. Vetëm atë çast u kujtova se kjo nuk ishte skenë filmi e se më duhej të kthehesha në shtëpi. Nisa të eci ndërsa vura re gruan që po shkundte xhaketën e kaltër ku ishte shtrirë djali. E veshi dhe kuptova se kishte qënë e saj. E ndjeva shumë të afërt atë grua...U pamë në sy e i buzëqëshëm lehtë njëra tjetrës e nën ritualin e përshendetjes:” Have a good nigh” pikërisht kur njeriu don të ndjehet vetvetja e të përkasë atje ku vërtet përket, unë thashë me zë në gjuhën e nënës: ”U shëroftë sa më shpejt ai djalë!” Ndërkohë, pashë gruan rrëmbimthi të kthente kokën nga unë e me sytë e saj plot habi më pyeti edhe ajo në shqip :


- Pse edhe ti shqiptare je?



Inis Jorgo

Toronto - Korrik, 2017

40 views0 comments

留言


bottom of page