top of page

Dhuna Mitike. Prodhimi i zakonit të bindjes në shoqërinë shqiptare


Nga: Bonald Përkola




Ndërsa shkopat dhe bombat e gazit të 8 Janarit ende gumëzhijnë në debate televizive për të përmbushur orekset e shikuesve, të cilët të yshtur në mediokritetin e prodhuar nga enturazhi mediatik i politikës shqiptare e kanë thuajse të pamundur të drejtohen kah gjërave të rëndësishme, në sy të të gjithëve ushtrohet mëse dukshëm e njëjta teknikë e prodhimit të bindjes në shoqërinë shqiptare. Skenat e disa syreshëve që kacafyteshin me njëri tjetrin për të penetruar trupin e një godine nuk mund të jenë kurrsesi shënjues i një forceje të vetme politike. Përkundrazi është tipar i përbashkët i një shoqërie që drejtohet, kanalizohet dhe shtrëngohet të marrë si të mirëqënë prezencën e një fuqije të pakundërshtueshme që riprodhon vetveten.


Walter Benjamin në esenë tij "Kritika e Dhunës" (Zur Kritik der Gewalt) i referohet, përveç të tjerash, kundërvënies midis asaj që ai e quan dhuna hyjnore (göttliche Gewalt) dhe dhunës mitike (mythische Gewalt). Përderisa dhuna mitike është conditio sine qua non i dhunës hyjnore, është afërmendsh në interesin e këtij shkrimi të trajtojë anatominë e saj.





Së pari duhet qartësuar se njejtësimi i termit gewalt me dhunën e kufizon kuptimin e të parit vetëm në dimensionin fizik të tij, kur në të vërtet dhuna fizike është vecse një modalitet midis shumë të tjerave.


Së dyti, Benjamin e derivon dikotominë midis dhunës mitike dhe asaj hyjnore prej zbërthimit të marrëdhënies së dhunës me ligjin dhe drejtësinë. Sipas Benjamin është në interesin e shtetit që të ruajë monopolin e dhunës për shkak se dhuna e përvetësuar nga subjektet jashtë-shtetërore synon të shuajë ekzistencën e vetë shtetit. Këtë lloj dhune ai e cilëson si ligj-krijuese (rechtsetzende Gewalt), që mund të ekzistojë përtej kornizave ligjore të shtetit por që ky i fundit kujdeset ta kufizojë atë. Si masë për të kufizuar ose tejkaluar dhunën ligj-krijuese, shteti përdor dhunën ligj-ruajtëse (rechtserhaltende Gewalt), që nuk është gjë tjetër vecse përgjigja e pritshme ndaj tejkalimit të ligjit. Deri në këtë pikë shteti pozicionon veten në raport me ekzistencën e ligjeve paralele ose thyerjen e kornizave ligjore.


Sidoqoftë Benjamin përmend ekzistencën e një tjetër forme dhune, e asaj mitike, që ushtrohet nga vetë shteti por është njëkohësisht jashtë—ligjore. Synimi i dhunës mitike nuk është as të krijojë ligje, as të kufizojë thyerjen momentale të dukshme të ligjeve, por të ngërthejë atë që nuk ka ndodhur akoma. Më saktë, të kufizojë thyerjen potenciale të një ligji kur kjo thyerje është vecse e brendësuar te subjekti. E parë në këtë formë duket sikur dhuna mitike është vec një teknikë efektive e shtetit për të parandaluar thyerjen e ligjit kur në fakt ajo është më tepër se aq, ajo është forcë që formëson zakonin e bindjes te subjektet.

Thënë ndryshe, me anë të dhunës mitike shteti synon të riprodhojë vetveten dhe kornizën ligjore të krijuar prej tij duke i dhënë subjekteve të tjerë të kuptojnë se realiteti është i pandryshueshëm.


Si kundërvënie ndaj dhunës mitike Benjamin përmend dhunën hyjnore. Kësisoj dhuna hyjnore është përmbysja e raporteve midis subjekteve dhe realitetit të prodhuar prej shtetit.





E zhvendosur në realitetin shqiptar fjala shtet duhet zëvendesuar me fjalën sistem sepse dhuna mitike e ushtruar ndaj qytetarit shqiptar nuk është ekskluzivitet i qeverisë në fuqi por i trupave të ndryshëm që operojnë në shoqëri. Për t‘u rikthyer te përplasja fizike brënda opozitës, është e qartë që përtej allishverisheve të një skizme me bazë interesin, ai konfrontim në dyert e selisë është shfaqje që njëra anë e medaljes politike i ofron faktorëve potencialë që duan të përfshihen në arenën politike. Me përdorimin e dhunës fizike të shfrenuar opozita kallëzoi historinë se për të marrë pjesë në vendimmarrje duhet derdhur gjak, dhe kjo në kuptimin e parë të fjalës.


Nga ana tjetër shteti e ushtron dhunën mitike nëpërmjet armatës së funksionarëve burokratë që transformojnë pushtetin e tyrë në instrument për të prodhuar të mira ekonomike. Biznesit të mesëm dhe të vogël i vendoset përballë presioni jashtë-ligjor tatimor që lyp haraçe sipas dëshirës, studentit i vendoset në ballë pedagogu i korruptueshëm, pacientit i refuzohet shërbimi mjekesor, punëtorit e drejta në punë, e kështu me rradhë. Të gjitha këto manifestime të dhunës (të cilat siç përmendëm më lartë i prekin të gjitha modalitetet) nuk synojnë kurrsesi as të krijojnë një kornizë ligjore paralele që mund të sfidojë atë aktuale, as të ruajë ligjin e shtetit, por perkundrazi të mbjellë te qytetari i thjeshtë idenë se realiteti është i tillë dhe i pandryshueshëm, se mosbindja nuk është zgjidhje por absurd.


Bonald Përkola

Gjermani

269 views0 comments
bottom of page