top of page

Trump, Orban, Rama - Budapesti në Washington - Shqiptarizimi i Amerikës



Sondazhet tregojnë se kërcënimi për demokracinë është preokupimi nr 1 i votuesve amerikanë në pritje te votimeve kongresionale të nëntorit 2022.


Për të kapitalizuar mbi këtë fakt presidenti Biden mbajti mbrëmë nje fjalim në një vend ikonik, Independence Hall në Filadelfia, ku kongresi kontinental shpalli pavarësine e SHBA.

Tha: Demokracia amerikane nuk është dhe nuk ka qenë perfekte, por ka qenë aresyeja që ua kaluam të gjitha vendeve te tjera. Jemi në themel një demokraci, me liri e dinjitet për këdo. Jemi mësuar ta marrim për të sigurt demokracinë amerikane, por nuk është ashtu. Demokracia rrezikohet kur një pakicë e konsiderueshme i shkon mbrapa verbërisht një lideri, pa menduar në mënyre kritike. Demokracia amerikane është në rrezik. Duhet të bashkohemi te gjithë, pavarësisht nga partia politike, për te ruajtur demokracinë.


Pse duhet demokracia?

Për të berë te mundur aspiratën mijëvecare të njerezimit per liri, barazi, begati.

E kundërta e demokracisë është autoritarizmi, i cili ka disa shkallë, qe nga "demokracia iliberale", në forma të ndryshme të diktaturës, në fashokomunizem. Kuptohet vetevetiu që autoritarizmi, ku dikush te jep urdhra, shkon kundër lirisë e barazisë së individit.

Ndoshta nuk kuptohet qartë pse autoritarizmi është kundër begatisë ekonomike. E para, se vendimet i merr vetëm nje qendër. Konkurenca e një mijë qendrave është më efektive se centralizmi monist. E dyta, se autoritarizmi shtyp individin. Liria dhe barazia para ligjit clirojnë talentin, energjinë dhe ambicjen e individit për të bërë gjera të mëdha.


SHEMBULL: Tani në Shqiperi bëhet cfarë do Rama, i cili di vetëm modelin e zhvillimit me ndërtime, mbështetur në para informale. Aspektet e tjera te zhvillimit janë neglizhuar.


Si do jete nje mandat i dyte i Trump


Që kur Senati i SHBA dështoi ta dënonte Trumpin për rolin e tij në kryengritjen e 6 janarit dhe ta skualifikonte nga kandidimi sërish për president, shumë njerëz, përfshirë edhe mua, mendojnë se një mandat i dytë Trump mund të sjellë zhdukjen e demokracise amerikane. Tiparet thelbësore të sistemit amerikan, duke përfshirë sundimin e ligjit, numërimin vërtetësor të votave dhe rrotacionin paqësor të duarve në pushtet, do të ishin në rrezik.


Si eshte Shqiperia me sundimin e ligjit?


Ligji shkelet nga klika, nga oligarkët, nga të fortët dhe nga organet shtetërore në shërbim të oligarkëve dhe të fortëve. Oligarkët dhe të fortët rrëmbejne nga qytetarët dhe pasuritë e shtetit dhe e ndajnë me krerët e politikës. Çfarë mund të bëjë qytetari i zakonshem kur dikush i bië më qafë, përvecse të shkojë në gjykatë?!


Si eshte gjendja e gjykatave:


Sistemi shqiptar i drejtësisë ende vuan nga korrupsioni i përhapur, mungesat e personelit, dobësite ne kualifikim dhe në organizim, me besimin e publikut tek gjykatat dhe zbatimi i ligjit që mbetet jashtëzakonisht i ulët.

Reforma në drejtësi e mbështetur nga SHBA dhe BE filloi në Shqipëri në vitin 2016 dhe parashikon vettingun - verifikimin e pasurisë së çdo prokurori dhe gjyqtari. Procesi ka ecur me hapin e breshkës dhe ka qenë i mbushur me vështirësi.

Jemi akoma në gjysmen e vettingut, megjithatë gjysma e gjykatësve dhe prokurorëve janë skartuar, dmth nuk e kanë kaluar vettingun ose janë larguar vete paraprakisht. Pritet që përfundimisht vetëm 1/3 ta kalojnë. Kjo e solli Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë në bllokim për gati dy vjet dhe shkaktoi një grumbullim të çështjeve në masën dhjetëra mijëra.

Në vitin 2021, mandati për vazhdimin e reformës u zgjat nga Kuvendi, me insistimin e të huajve, pavarësisht se besimi i qytetarëve shqiptarë për këtë proces ka rënë çdo vit, sipas sondazheve të pavarura. Sistemi i drejtësisë është ende i bllokuar nga vonesat; dhjetëra mijera qytetarë presin me padurim zgjidhjen e çështjeve të tyre penale dhe civile.

Kjo situate krijon pakënaqesi te thellë në popull, nxitim dhe presion te brendshëm e të jashtëm për të mbushur vendet boshatisura të gjyqtarëve dhe për t'i kaluar çështjet gjyqsore shpejt e shpejt.


Planet e lëvizjes MAGA


Sot ne mund të bëjmë më shumë se sa thjesht të spekulojmë se si do të shpalosej një mandat i dytë i Trump, sepse lëvizja MAGA i ka telegrafuar planet dhe modelin e saj në një mori mënyrash: në përqafimin e hapur të krerëve të huaj iliberalë, në sjelljen e paskrupullt të zyrtarëve republikanë që prej zgjedhjeve të vitit 2020, në skemën e paramenduar të aleatëve të Trump - siç u zbulua nga komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve për 6 janarin - për të penguar tranzicionin paqësor të pushtetit, si dhe në veprimet e vetë Trump në javët e fundit të presidencës së tij dhe tani si ish-president.


Të fillojmë me modelin e lëvizjes MAGA: Viktor Orbán, i cili di t'i artikuloje cfarë bën dhe pse.


Orbán është në mandatin e katërt si kryeministër i Hungarisë. Ai nuk është një tiran me dorë të rëndë; nuk ka kryer grusht shteti, apo nuk e ka emëruar veten Fyhrer. Në vend të kësaj, ai ndjek rrugën e "demokracisë iliberale". Duke kombinuar retorikën populiste me "makinerinë e patronazhistëve", ai dhe partia e tij, Fidesz, e kanë gërryer demokracinë hungareze nga brenda duke politizuar rregullimin e medias, duke blerë ose falimentuar media të pavarura, duke emëruar gjyqtarë që ndjekin vijën e partisë, duke krijuar pengesa për partitë opozitare, etj. Hungaria nuk ka kaluar nga demokracia në diktaturë, por ka kaluar nga demokracia në pseudo-demokraci. Freedom House e vlerëson Hungarinë vetëm pjesërisht te lirë. Vlerësimet e Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Elektorale tregojnë rënie në çdo tregues demokratik që kur Fidesz mori pushtetin.


Hungaria nuk është e vetme e tillë në Europe. Shqipëria, Serbia, Rusia dhe Turqia janë njësoj, ose më tutje në drejtim te autoritarizmit. Por këto vende nuk merren në konsideratë ne SHBA, se e djathta amerikane nuk mund te thotë se kopjon Turqinë, kurse Hungaria kalon per një vend perëndimor. Në fakt nuk ka qënë kurre Perëndim, por vetem Perëndimi i Lindjes.


Lëvizja MAGA ka studiuar me vëmendje Orbán dhe partinë e tij Fidesz. Hungaria është vendi ku Tucker Carlson, personaliteti kryesor aktual i medias konservatore të SHBA (i cili nganjëherë përmendet si një pretendent i mundshëm presidencial), çoi programin e tij televiziv e tij për një javë transmetimesh fantastike. Orbán është lideri që Konferenca e Veprimit Politik Konservator (CPAC) solli si folës kryesor në gusht në Texas. Ai i tha audiencës: "Ne nuk mund të luftojmë me sukses me mjete liberale". Vetë Trump e ka bërë të qartë admirimin e tij për Orbán, duke e vlerësuar atë si “një lider të fortë dhe të respektuar nga të gjithë”. (Të njëjtin vlerësim e ka bere per Putinin.)


SHBA është një demokraci më e vjetër dhe më e ngulitur se Hungaria. Atëherë, si mund ta imitojnë Orbanin, në kontekstin amerikan, pasuesit e MAGA? Për t'i thjeshtuar gjërat, të lejme mënjanë mundësinë e një zgjedhjeje të vjedhur ose të kontestuar në vitit 2024 dhe të supozojmë se Trump fiton një fitore të drejtë në Kolegjin Zgjedhor. Në këtë skenar, duke filluar nga 20 janari 2025, ai dhe mbështetësit e tij do të sjellin Budapestin në Washington DC, ne mënyre inkrementale.


Ky është manuali i tyre i veprimeve:


- Së pari, instaloni kuklla në postet kryesore. Pas rifitimit të Shtëpisë së Bardhë, presidenti Trump emëron në mënyrë sistematike dhe pa turp besnikët personalë, me ose pa kualifikime, në poste të konfirmuara nga Senati - zyrtarë të gatshëm të spastrojnë nëpunësit civilë të ndërgjegjshëm; të neutralizojnë ose pushojnë inspektorët e përgjithshëm të dikastereve dhe të injorojnë pao të përmbysin rregulloret e tyre.


Një model për këtë lloj zyrtari është Jeffrey Clark - një jurist pak i njohur i degës mjedisore të Departamentit të Drejtësisë. Ai komplotoi fshehurazi me Trump dhe Shtëpinë e Bardhë, pas zgjedhjeve të vitit 2020, për të zëvendësuar Prokurorin e Përgjithshëm (AG) që të përdorte kompetencat e Departamentit të Drejtësisë për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Vetëm kërcënimi i dorëheqjes masive te kuadrove të Departamentit te Drejtësisë e prishi këtë skemë.


Po të mos kishin thënë pothuajse të gjithë prokurorët e Departamentit te Drejtësisë se do te jepnin dorëheqjen në bllok, Jeffrey Clark do të bëhej AG dhe rezultati i zgjedhjeve mund të ishte përmbysur. Dhe pastaj cfarë, vendi do hynte në lufte civile? Washingtoni ka 4 milion demokratë. Do dilnin në rrugë e do fillonte perleshja?


Trump ka shumë Jeffrey Clarks për të përdorur dhe një Senat i kontrolluar nga republikanët do të konfirmonte shumicën ose të gjithë prej tyre. Por pa marrë parasysh se nëse Senati kundërshton apo nëse demokratët e kontrollojnë Senatin, Trump thjesht do të bëjë shumë më tepër atë që bëri në mandatin e tij të parë, emërimin e zyrtarëve "të përkohëshëm" (acting) për të anashkaluar konfirmimin e Senatit - një praktikë që ngjalli pëshpëritje, por jo më shumë se kaq, te senatorët republikanë, funksioni i të cilëve përfshin konfirmimin e zyrtarëve të lartë të administratës.


- Së dyti, frikësoni burokracinë e karrierës. Trump nënshkruan një urdhër ekzekutiv që rivendos një risi që ai e ka quajtur Schedule F (Skeda F) e punësimit federal. Ky dekret do t'i kthente dhjetëra mijëra nëpunës civilë në punonjës "me deshirën e presidentit", që dmth se presidenti mund t'i heqë nga puna. Trump e miratoi urdhërin per Schedule F në tetor të vitit të tij të fundit si president, por i mbaroi koha për ta zbatuar atë dhe Biden e anuloi.


Një gjë te tillë, regjimi Rama e ka bërë disa herë, duke hequr nga puna të dyshuarit për simpatizantë të partive të tjera. Në termin e parë të Ramës, kur ai ishte aleat me Metën, shokë të mij demokratë për të mbajtur punën u deklaruan me LSI, e cila qe e gatëshme t'ua konfirmonte. Kujtoni gjithashtu pushimet masive, mediatike, të zyrtarëve të shëndetsise kur LSI doli, apo u përzu, nga koalicioni i Rilindjes.


Nëpunësit civilë të karrierës kanë qenë gjithmonë të mbikqyrur nga të emëruarit politikë dhe, brenda kufijve të ligjit e rregulloreve, kështu duhet të jetë. Schedule F, megjithatë, i jep Trumpit një mënyrë të re për të kërcënuar burokratët e karrierës me hakmarrje nëse ata rezistojnë. Rezultati është dobësimi i një mbrojtjeje të rëndësishme institucionale kundër kërkesave për të bërë gjithçka, që nga ngacmimi i armiqve deri te ... ndryshimi i parashikimeve të motit.


- Së treti, fusni ne xhep forcat e armatosura. Ngaqë e identifikoi ushtrinë si një faktor rezistence në mandatin e tij të parë, Trump fillon të mënjanojë krerë të lartë ushtarakë. Në vend të tyre, ai promovon dhe instalon oficerë të cilët nuk do të kundërshtojnë marifete të tilla si dërgimi i trupave për të kapur emigrantë ilegalë, apo për të frikësuar protestuesit (ose për t'i qëlluar ata). Brenda disa viteve, ushtria do të mësohet të veprojë si një instrument politik i Shtëpisë së Bardhë.


- Së katërti, shktërroni zbatimin e ligjit. Edhe më frikësuese se sa një ushtri servile është sigurimi i kontrollit të plotë, më në fund, mbi Departamentin e Drejtësisë.


Në mandatin e tij të parë, të dy prokurorët e përgjithshëm të Trump iu përulën atij në disa aspekte, por iu kundërvunë në momentet kyçe për të mbrojtur ligjin: Jeff Sessions duke lejuar emërimin e një prokurori special për koluzionin e dyshuar të Trump me Rusinë; Bill Barr duke refuzuar të mbështeste gënjeshtrat zgjedhore të Trump dhe të sekuestronte makinat e votimit. Ndjekjet e përditshme, nën Sessions dhe Barr, mbetën në duart e prokurorëve të zakonshëm të karrierës.


Kjo tani ndryshon. Trump instalon menjëherë operativë politikë për të udhëhequr Departamentin e e Drejtësisë , FBI-në dhe agjencitë e inteligjencës e sigurisë. Duke përmendur si precedent hetimet e Departamentit të Drejtësisë të Biden për ngjarjet e 6 janarit, Shtëpia e Bardhë orkestron hetime kriminale të dhjetëra armiqve politikë të Trump, duke filluar me kritikët si Liz Cheney dhe deshmitaret si ish-ndihmësja e Shtëpisë së Bardhë, Cassidy Hutchinson. Hetimet dhe ndjekjet penale të shumëfishta i falimentojnë këta njerez financiarisht dhe si reputacionin, duke trembur në palcë këdo që guxon të kundërshtojë Shtëpinë e Bardhë.


Regjimi Rama gëzon shumicën absolute në Kuvend dhe e përdor rremujën e reformes në drejtësi e urgjencën për të mbushur 2/3 e posteve në sistemin e drejtësisë, të zbrazura nga vettingu, për të paketuar prokurorine e gjykatat me mbështetësit e vet. Rëndësi të vecantë për nënshtrimin total të vendit ka Gjykata Kushtetuese e rindërtuar, e cila ka rrëzuar si jo-kushtetuese disa akte kyçe të qeverisë, si psh ligjin për shembjen e Teatrit, ligjin per kompensimet e pronarëve dhe ligjin per kontrollin e medias.


Organizata e Qendres, tani brenda shtatorit, do t'i drejtohet Gjykates Kushtetuese për të korigjuar Kodin Zgjedhor në lidhje me "Votimin e Vertetë të Diasporës". Por po më thonë se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese rrezikohet nga emërimet e reja qe ka propozuar regjimi, duke përfshirë familjarë te zyrtarëve te lartë. Ish-presidenti i republikës, ne konfliktin qe kishte me Ramën, shërbeu si mbrojtje ndaj kooptimit te Gjykatës Kushtetuese nga regjimi. Tani presidenti u ndërrua. Drejtori i përgjithshëm i policise, një kuadër i stilit të ri, i respektuar në popull për profesionalizëm pavarësi, u pushua nga puna nga qeveria këtë javë.


- Së pesti, përdorni armën e faljes presidenciale. Në mandatin e parë të Trump, zyrtarët iu kundërvunë shumë kërkesave të tij të paligjshme dhe jo-etike, sepse kishin frikë nga rreziku ligjor për vete. Trump ka një zgjidhje edhe për këtë. Ai ka premtuar faljen e protestuesve të 6 janarit. Në mandatin e tij të parë, ai fali disa nga miqtë e tij dhe premtonte falje për të dekurajuar dëshmitë e mundshme kundër tij, por kjo ishte thjesht një parathenie e asaj që do vinte në mandatin e tij te dyte. Tani, i papërmbajtur nga politika, ai ofron pandëshkueshmëri federale për të gjithë ata që bëjnë lojën e tij. Ata mund të përballen ende me rrezik nga prokuroritë e shteteve të vecanta, si dhe nga sanksionet e kolegjeve profesionale, por premtimet e Trump për të dhënë falje me interes krijojnë një hapësirë ​​të paprecedentë për abuzim dhe korrupsion.


- Së gjashti, goditja e fundit: kundërshtoni urdhrat e gjykatës. Natyrisht, veprimet korruptive dhe të paligjshme të presidentit nxisin një stuhi padish. Anëtarët e Kongresit padisin për të bllokuar emërimet e paligjshme, grupet e interesit padisin për të përmbysur rregullat e korruptuara, viktimat e hetimeve padisin për të shfuqizuar thirrjet në prokurori, etj. Trump i përballon këto sfida me këmbëngulje të mirëpraktikuar. Ashtu siç ka bërë gjithmonë, ai përdor çdo taktikë në libër për të kontestuar, turbulluar, ngatërruar dhe politizuar çështjet gjyqësore. Ai krijon një makineri me lëvizje të përherëshme apelimesh dhe vonesash, ndërkohë që gjykatat vendosin kundër tij.

Megjithatë, në fund të fundit, Trump humbet në apel dhe përballet me urdhërin e gjykatës kundër tij. Në atë pikë, ai thjesht injoron vendimet e gjykatave.


Injorimi i vendimeve të gjykatave është një praktike shumë e përhapur ne Shqipëri. Psh në rastin e rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të ligjit per shëmbjen e Teatrit. Qeveria, as priti vendimin e Gjykatës para se ta shembëte, as e rindertoi pasi e shembi. Në lidhje me kompensimet e pronarëve, apo dëmshperblimet e qytetarëve nga shteti ne përgjithesi, le të vendosin gjykatat cfarë të duan, qeveria thjesht nuk paguan, ose paguan vetëm aty ku do ajo.


Nuk do ishte hera e parë që një president i SHBA injoron vendimin e gjykatës. Më 1832, Gjykata Supreme vendosi se shtetet po kapnin ilegalisht tokat indiane. Presidenti Andrew Jackson, një ithtar i asimilimit të detyruar, nuk pranoi të zbatonte vendimin. Shtetet vazhduan të vidhnin tokat indiane dhe qeveria federale u bashkua ne vjedhje. Trump, jo më kot vari një portret të Andrew Jackson në Zyrën Ovale. Ai me siguri i di edhe pasojat me të cilat u përball Jackson për sfidën e hapur ndaj Gjykatës Supreme: Asgjë!


Duke menduar rizgjedhjen, sfidimi i gjykatave ishte një urë që Trump nuk e kaloi në mandatin e tij të parë. Që nga fillimi i atij mandati, kur Gjykata Supreme shqyrtoi ndalimin nga Trump të udhëtimit për myslimanët, deri në fund, kur Gjykata Supreme e hodhi në kosh valën e tij të padive të rreme zgjedhore, Gjyqsori ishte bastioni më i fortë i shtetit të së drejtës.

Megjithatë, pasi është rikthyer në detyrë dhe nuk ka per t'u përballur më kurrë me votuesit, Trump nuk ka më asnjë lëkundje. Urdhrat e gjykatave, pretendon ai, janë makinacione të paligjshme të demokratëve dhe të "deep state".


Në fillim, paligjshmëria e presidentit duket tronditëse. Megjithatë së shpejti, ndërsa republikanët e mbrojnë Trumpin, publiku ambientohet. Për të shpëtuar atë që mundet nga autoriteti i saj, Gjykata e Lartë fillon ta akomodoje Trumpin, gjoja sikur ai është me të drejtën. Gjyqtarëve fillon të mos ua mbajë ta kundërshtojnë.


Dhe kështu arrijmë në fazen e kalimit të gjykatave në rolin që nuk marrin ,ë vendime por vetëm këshillojnë Ekzekutivin. Shteti i së drejtës ka marrë fund. Me fjalë të tjera, Amerika nuk është më një demokraci liberale dhe në këtë pikë, askush nuk mund të bëjë më asgjë.


Në mandatin e parë, kërcënimet për dorëheqje vepruan si frenim për Trump. Ata penguan skemën e Jeffrey Clark, për shembull. Një kërcënim për dorëheqje nga drejtoresha e CIA-s e pengoi Trumpin të instalonte një kukull si zëvendësdrejtor. Një kërcënim për dorëheqje nga avokati i Shtëpisë së Bardhë e pengoi Trumpin të shkarkonte prokurorin special Robert Mueller.


Në mandatin e tij të dytë Trump nuk ka shumë arsye për t'u frikësuar politikisht, sepse ai nuk do të shfaqet më kurrë para votuesve. Nëse zyrtarët kërcënojnë të japin dorëheqjen, ai mund t'i zëvendësojë ose t'i anashkalojë. Largimet e tyre mund ta ngadalësojnë, por nuk mund ta ndalojnë. Përveç kësaj, ai gjen mënyra për t'u kujtuar vartësve të tij se zemërimi i tij është i rrezikshëm.


Natyrisht, njësoj si në Shqiperi, do ketë seanca dëgjimore në Kongres, ankesa për shpërfillje të gjykatës, editoriale të revoltuar të New York Times. Trump nuk e çan kokën. Baza e MAGA-s, media konservatore dhe shumë republikanë në Kongres mbrojnë liderin e tyre me çfarëdo të pavërteta, teori konspirative dhe çfarëdo që nevojitet. Fox News dhe media të tjera pro-Trump luajnë rolin e medias shtetërore, edhe pse nga frika më shumë se entuziazmi.


Ndërkohë, forcat MAGA janë të zëna me instalimin e besnikëve si guvernatorë, zyrtarë zgjedhorë, prokurorë qarku dhe poste të tjera vendimtare shtetërore dhe lokale. Ata nuk kanë sukses në çdo përpjekje, por gjatë katër viteve, ata mbledhin mjaft zyrtarë të korruptuar për të vënë në dyshim legjitimitetin e çdo zgjedhjeje që humbasin. Ata shpikin mënyra krijuese për të penguar këdo që i sfidon politikisht. Dhe ata nuk kanë turp për të inkurajuar mbështetësit e vet banditë për të ngacmuar dhe kërcënuar "tradhëtarët".


Amerika e shqiptarizuar


Dhe kështu, pas katër vjetësh Amerika e ka kaluar kufirin e Freedom House nga "e lirë" në "pjesërisht e lirë". Kompetencat e presidentit tashmë përcaktohen nga vete presidenti. Kundërshtarët e tij janë të presionuar, të ftohur, të demoralizuar. Ai është me afat të kufizuar në presidencë, por lëvizja MAGA është ngulitur. Dhe Trump në mandatin e dytë ka demonstruar në Shtetet e Bashkuara atë që Rama provoi në Shqiperi dhe Orbán në Hungari:


Publiku do e pranojë autoritarizmin, me kusht që të t'i ngulen tentakulat gradualisht.


"Ne nuk duhet të kemi frikë të shkojmë kundër frymës së epokës dhe të ndërtojmë një sistem politik dhe shtetëror joliberal," deklaroi Orbán në 2014.


Po zjen një aleancë ne rajonin tonë të Europës Lindore: Rama, Vucic, ministri turk, ministri hungarez, iliberalët italianë. Nuk ka rëndesi nëse te majte apo të djathtë, ai dallim është kapercyer. Iliberalët bëhen bashkë për të mbështetur sundimin autoritar te nje njeriu e nje klike në secilin nga vendet e veta.


457 views0 comments

Commentaires


bottom of page