top of page

Stinët, cikli i jetës, vjeshta, frymëzojne dy poezi origjinale nga Keti Dibra



PËRSËRITJA E STINËVE


Ecim

duke i shkuar pas

kohës.

Vjeshtë.

Gjethe si ar

shkunden

në tufa nga

një erë e lehtë

dhe heshtur

rrëzohen

në tokë.

Nje tjetër stinë

do gjethërojë

pemët.

Ato rriten

formohen

plotësohen

forcohen

dhe gëzojnë

përvit

lulëzimin.

Është rizgjimi,

dhuratë e natyrës,

deri në ditën

e tyre të fundit.

Fatlumet pemë!


Njeriu

tkurret!


Mendimi

lëshohet si gjethet

ngatërrohet

zemërohet

lodhet

e pyet:

Pse jo edhe

ne?


Ne endemi

stinëve

në përshkallëzim

të rrënimit.


k.d.



GJETHET VJESHTAKE


Anashkaloje në rrjedhën që ndante qytetin

dhe ndjeje se, për një çast, nuk ishe e tëra ti.

Gjethet e rëna të plepave, rrëzuar në

dy anët e rrjedhës, kishin realizuar stinën.

Era e lehtë shpupuriste ato gjethe dhe ashtu,

mahnitshëm, krijohej loja magjiplotë e ngjyrave,

ku herë ndriçonte fuqishëm e verdha e ndezur,

herë vjedhurazi ajo merrte ca nga e kuqerremta

dhe e kafta për të dhënë atë mrekulli, që më vonë

do ta shihja të hedhur mjeshtërisht në telajo dhe

do të mrekullohesha deri në marramendje.

Asokohe s’e kisha parë Van Gogh-un tabu dhe,

kur vite më vonë njoha pikturat e tij magjepsëse,

thashë: Mosvallë piktori i madh kishte shkelur

edhe aty?


k.d.

167 views0 comments

Comments


bottom of page