top of page

Reagimi i saj: As të fal, as të luftoj, bile të flas ne rrugë, por në shpirtin tim ke vdekur

Updated: Jan 25, 2022


Oriana Fallaci i pergjigjet Alberto Jacoviello-s, gazetar i njohur, i cili kërkonte të shfajësohej per nje fyerje qe i kishte drejtuar dikur.


I dashur Jacoviello,


Të kërkosh falje, siç ti e ke bërë, kur e ke gabim, është gjithnjë e ndershme. Dhe jo të gjithë jane të zot ta bëjnë, jo të gjithë kanë kurajo. Por dua të të them këtë që do të them dhe nëse s’do ta bëja, do të gënjeja jo vetëm ty, por edhe veten time. Unë nuk di të fal, as të fal e as të harroj. Është një ndër limitet e mia më të mëdha e, ndoshta, më të zymtat. E aq më pak di të fal, kur një plagë është shkaktuar nga persona prej të cilëve prisja dashamirësi e dhembshuri, o tek të cilët kisha iluzione pozitive. Kjo nuk nënkupton, natyrisht, që unë do të shpallja luftë, o do të rrija në gjendje lufte me ata që më kanë plagosur, ofenduar. Do të thotë që ata persona i perjashtoj. I shuaj nga mendimet e mia, nga jeta ime. Nëse i takoj në rrugë, i përshëndes, në disa raste shkembej nje fjalë, por brenda meje është si t’i drejtohesha një hijeje. Ata nuk egzistojnë më. Në këto dy vitet e fundit, dua të them, që kur vdekja dhe dhimbja kanë rënë mbi mua duke më prapsur, kam fshirë më shumë persona se në tërë jetën time. Nuk ka burrë o grua, fajtor ndaj meje, që të mos ketë përfunduar në Siberinë e ndjenjave të mia. Ke plotësisht të drejtë ta mbyllësh letrën tënde duke thënë se kush nuk di të falë, dënon vehten e tij me vetmi. Por gabon kur thua që një “dënim” i tillë është për të gjithë i papranueshëm. Dhe harron proverbin që thotë: “Më mirë vetëm se i keqshoqëruar”. Jo gjithnjë vetmia është një burg. Nganjëherë, për disa, është një fitore që mbron nga plagë të tjera, nga ofendime. Vetëm të paaftët dhe të varfërit nga shpirti kanë frikë nga vetmia dhe mërziten të rrinë vetëm. Unë nuk jam e brishtë. Jam shumë e fortë dhe rezistente, tashmë. Nuk jam as e varfër shpirtërisht. Kështuqë nuk kam frikë nga vetmia. Çdoherë që të kam parë më ke treguar fyerjet e vjetra, të shkruara e të menduara. Dhe çdoherë që të kam parë ka qenë si të merrja një thikë në zemër. Më vinte të villja dhe vetëm aftësia e kontrollit ka mundur të fshehë, o të vishet me rrobat e indinjatës. Ka mundësi që ndergjegja jote të ndjehet e larë nga fakti që më ke rrëfyer fyerjet e vjetra, të shkruara e të menduara. Por unë nuk besoj që të rrefesh një mëkat është baraz me shlyerjen e mëkatit. Ai koncept katolik, per më teper, kristian, më ka tmerruar. Mëkatet e bëra qëndrojnë mëkate të bëra dhe asgjë s’mund t’i zhbëjë: as Zoti, as djalli, as njerëzit, as nje varg me "pater" e me "ave maria", të thëna për pendim. Ja pra pse nuk arrij të fal. Nuk dua. Eshtë kjo e pamëshirshme? Jam shumë e pamëshirshme me veten time dhe nuk shoh përse duhet te jem e butë me te tjerët. Maksimumi qe mund t’i lejoj vehtes është të përgjigjem në mënyrë të qartë, kujt më ka shkruar në mënyrë te qartë; t’i shpjegohem kujt me ka shpjeguar. Dhe është shumë. Ti je i vetmi person ndermjet dhjetrave që kam përjashtuar, internuar në Siberinë e ndjenjave, të cilit i kam thenë “jo” me një letër dhe jo duke heshtur. Zakonisht kundershtoj me një heshtje të gurtë. E kështu do të bëj gjithnjë, në të gjitha rrethanat e jetës, me të gjithë ata që provojnë të jenë me mua arrogantë. Dhe nuk do të heq dorë kurrë. Kurrë. Dhe kujdes kush guxon, kush ka guxuar, o kush do të guxojë të verë në dyshim ndershmërinë time profesionale e personale; që janë e njejta gjë. Tani më është më e lehtë të të them lamtumirë. Mëkat. Por, lamtumirë.


Përktheu Keti Dibra, Tiranë

21 views0 comments
bottom of page