
Fotografia e zgjedhur nga autorja
BIE SHI
Sot bie shi, shi i shtruar,
mbi fusha e pemë butësisht
supeve lagur nostalgjia
duke imponuar qetësi
Mjergulla pllajën s’e lë të duket
ajri i lodhur zë e largohet
fshati nën shi edhe më i bukur
këmbana e kishës diku dëgjohet
Rrjedh dalëngadalë shiu çative
pragjet, mendimet duke i lagur
i pëshpërit diçka ai tokës
e duket sikur ja fshin zhgënjimet
Rrugës së lagur e zbathur eci
çuditshëm dritat mbi asfalt
pikat e shiut krahërorit
perlave ato ju ngjajnë.
Nesër pas reve dielli do dalë
do vijë patjetër nuk do t’harrojë
por sonte nën shi dua të eci
duke ju lutur të mos pushojë….
Inis A. Jorgo