top of page

Një përplasje e dy sistemeve - Nassim Nicholas Taleb

Botoi më 19 prill 2022: N. N. Taleb; Përktheu: Kim Kurti


Lufta në Ukrainë është një konfrontim midis dy sistemeve, njëri modern, legalist, i decentralizuar dhe multiqefal; tjetri arkaik, nacionalist, i centralizuar dhe monoqefal.


Ivani i Tmerrshëm

Nacionalizmi sulmues kundër nacionalizmit mbrojtës

Ky konflikt paraqet një konfuzion të dëmshëm, mes rusëve dhe përkrahësve të tyre, midis shtetit si komb në kuptimin etnik dhe shtetit si entitet administrativ. Një shtet që dëshiron të bazojë legjitimitetin e tij në unitetin kulturor, tani është i dënuar të përballet me armiqësinë e të tjerëve. Një shtetas zviceran frankofon, edhe pse i lidhur kulturalisht me gjuhën e tij, nuk aspiron t'i përkasë Francës dhe Franca nuk përpiqet të pushtojë Zvicrën frëngjisht-folëse nën këtë pretekst. Më tej, identitetet kombëtare mund të ndryshojnë shpejt: belgët frankofonë kanë një identitet të ndryshëm nga francezët. Vetë Franca kaloi përmes një operacioni të kolonializmit të brendshëm për të shkatërruar kulturat Provansale, Languedok, Pikard, Savojar, Breton dhe të tjera dhe për të zhdukur gjuhët e tyre nën një identitet të centralizuar. Kombësia nuk është asnjëherë e përcaktuar dhe e fiksuar; administrata është.

Uniteti kulturor mund të ketë kuptim, por vetëm, sipas mendimit tim, në formën e diçkaje të reduktuar siç është një qytet-shtet – madje do të shkoja aq larg sa të thosha se një shtet funksionon mirë vetëm në këtë mënyrë. Në këtë rast, nacionalizmi është mbrojtës – katalanas, bask apo libanez i krishterë – por në rastin e një shteti të madh si Rusia, nacionalizmi bëhet sulmues. Vini re se nën Pax Romana ose Pax Ottomana, nuk kishte shtete të mëdha, por qytet-shtete të mbledhura në një perandori, roli i së cilës ishte i largët. Por ka perandori të lirë dhe perandori të ngurtë sipas modelit të shtet-kombit, kjo e fundit përfaqësohet nga Rusia.


Koordinimi për Mbrojtjen sipas stilit Mafioz

Tani ka dy modele perandorake: ose një model i rëndë e i ngurtë, si ai i Rusisë, ose një koordinim i shteteve sipas modelit të NATO-s. Do të shohim se cili do të dalë fitues nga konflikti aktual. Kjo luftë jo vetëm që vë kundër saj Ukrainën dhe Rusinë, por është një përballje mes dy sistemeve, njëri modern, i decentralizuar dhe multiqefal, tjetri arkaik, i centralizuar dhe autoqefal. Ukraina dëshiron t'i përkasë sistemit liberal: ndërkohë është sllavishtfolëse, dhe si Polonia, dëshiron të jetë pjesë e Perëndimit.



Adam Smith vs Napoleoni
Çfarë është ajo që ne e quajmë Perëndim?

Ajo që ne e quajmë “Perëndim” nuk është një ent shpirtëror, por një sistem administrativ në radhë të parë. “Perëndimi” nuk është një ansambël etno-gjeografike, por një sistem ligjor dhe institucional: ai përfshin Japoninë, Korenë Jugore dhe Tajvanin. Ai përzien botën talasokratike fenikase të tregtisë së bazuar në rrjete komunikimi dhe atë të Adam Smith, bazuar në të drejtat individuale dhe lirinë për të kryer transaksione, nën kufizimin e përparimit shoqëror. Në Shtetet e Bashkuara, ndryshimi midis demokratëve dhe republikanëve është i vogël kur shihet nga pozita e një shekulli tjetër. Të dyja palët duan përparim social, por me ritme të ndryshme rritjeje.


Nga ana tjetër, nacionalizmi kërkon një shtet të gjithëfuqishëm të centralizuar - më keq, hegelian - dhe një shtet që kuron jetën kulturore për të zhdukur variacionet individuale.

Nacionalizmi shpesh lidhet me një dimension shpirtëror – i përfaqësuar nga Solzhenicini dhe Patriarku i Moskës nëpërmjet modelit ruso-sllavo-ortodoks – që më tmerron mua si vetë ortodoks. Për më tepër, kjo afërsi e supozuar midis Ukrainës dhe Rusisë është e diskutueshme: Krimea ka qenë ruse që nga Katerina II, dhe Stalini e ka rusifikuar atë duke zhvendosur tatarët. Është e lehtë të thuhet se Ukraina është shpirti i Rusisë, sepse vjen nga Rust e Kievit, por po aq lehtë mund të thuhet se Ukraina është Hordhia e Artë e bijve të Genghis Khan.


Madje edhe nëse, shpirtërisht, Ukraina do të ishte pjesë e Rusisë, kjo nuk do të thoshte se ukrainasit nuk do të kishin të drejtë të bashkoheshin me sistemin perëndimor. Ata mund të jenë emocionalisht sllavë, por të organizuar administrativisht në një sistem perëndimor dhe të mbrohen ushtarakisht nëpërmjet një aleance mes perëndimorëve – që përfshin madje, ju kujtoj, Turqinë. Putini nuk arrin dot ta kuptojë këtë, as disa specialistë të marrëdhënieve ndërkombëtare që nganjëherë quhen "realistë" - po mendoj, për shembull, për John Mearsheimer.



Fenikasit - Perandori detare multikulturale dhe jo koloniale
Shtetet vs Individët

Këta mendimtarë të ngathët si Mearsheimer dhe të ngjashëm me të tjerët i ngatërrojnë shtetet me interesat individuale; ata besojnë se ekziston vetëm një ekuilibër i fuqive midis pushteteve – për Mearsheimer, Putini po reagon vetëm ndaj përparimit të panevojshëm të Perëndimit në terrenin e tij. Por realiteti është krejt ndryshe: ajo që duan ukrainasit është të jenë pjesë e asaj që unë do ta quaja një rend ndërkombëtar “dashamirës”, i cili funksionon mirë sepse është vetë-korrigjues dhe ku ekuilibri i fuqisë mund të ekzistojë, por të mbetet i padëmshëm. Putini dhe “realistët” janë shekulli i gabuar, ata nuk mendojnë në terma sistemesh apo në terma individësh. Ata vuajnë nga ajo që unë e quaj "Sindroma e Westfalisë" - reifikimi i shteteve si entitete natyrore dhe fikse platonike.




Solzhenicini

Solzhenicini e pa qartë aspektin djallëzor të shoqërisë komuniste, por besonte se shoqëria perëndimore ishte po aq e dëmshme. Por, duke qenë në mënyrë natyrale multicentrik, Perëndimi synon të jetë si Zvicra – është i orientuar nga poshtë lart, pavarësisht nga përqendrimi i rastësishëm. Për më tepër, "Perëndimi" po evoluon; nuk ka qendra fikse të autoritetit. Sigurisht, ka ndikime disproporcionale në Perëndim, si Google i sotëm dhe General Motors i djeshëm, por Google ose General Motors nuk janë qendra e tij – këto kompani shumëkombëshe nuk e kontrollojnë dot totalisht as veten e tyre.

Korporatat shumëkombëshe priren të dështojnë – në fakt ato kanë më shumë gjasa të falimentojnë sesa biznesi juaj familjar.

Ky model ka tendencë për “antifragjilitetin" (anti-brishtësi) - një koncept i pranishëm në librat e mi që i referohet një vetie të sistemeve që forcohen kur ekspozohen ndaj stresorëve, goditjeve ose paqëndrueshmërisë. Rusia nuk mund të jetë ajo që unë e quaj “antifragjile".


Një mekanizëm për korrigjimin e gabimeve

Një sistem i qëndrueshëm kërkon një organizim të decentralizuar dhe multiqefal, i cili bën të mundur korrigjimin e gabimeve dhe shmangien e efekteve të dëmshme të rreziqeve të caktuara duke i kufizuar ato në nivel lokal. Pas luftës së vitit 1918, francezët shkatërruan Sirinë duke e centralizuar atë. Në të kundërt, kur u formua Gjermania e re, francezët këmbëngulën që ajo të ishte federale me iluzionin se do ta dobësonte atë.

E privuar nga qendra e gravitetit, Gjermania nuk mendonte më të bënte luftë, por të bënte… para. Gjalpi, rezulton, funksionon më mirë se armët. Gjermania u bë një fuqi ekonomike falë federalizmit – dhe duket të jetë e natyrshme pasi e kaloi historinë e saj në shtete të fragmentuara përpara marrjes së pushtetit nga Prusia. Për Rusinë, një organizim i tillë i decentralizuar do të ishte i pamundur: nëse do lihej e lirë, ajo menjëherë do ta gjente veten përballë shkëputjes së 20 shteteve të vogla - Çeçenisë, Ingushetisë, Bashkirisë... Prandaj, ajo shtrëngon vidën në drejtimin tjetër.


Interesi i botës perëndimore është se është një model multiqefal, i përbërë nga kontrata që lejon autonominë rajonale nën koordinimin global; Rusia është një sistem autoqefal, e cila mendon vetëm nën kornizën e një ekuilibri fuqish. Vini re Perëndimin: a ka një qendër? Jo. Nëse do të kishte një të tillë, për më tepër, ajo do të ishte sot në Kiev. Dhe nëse doni të shkatërroni Perëndimin, sa bomba ju duhen? Nëse shkatërroni Uashingtonin, Londra dhe Parisi do të mbeten. Por nëse shkatërroni pallatin ku është Putini, është komplet diçka tjetër.


Stabiliteti i një sistemi të decentralizuar është shumë më i mirë se ai i një sistemi të centralizuar. Si i tillë, jam i befasuar pozitivisht nga reagimi i botës perëndimore, i cili u bë në mënyrë organike. Mendova se Perëndimi nuk mund të përballej me Putinin, sepse një luftë midis një autokrati dhe punonjësve më dukej e humbur paraprakisht, por duket se grumbullimi i veprimeve tona ka filluar të japë fryte.


BE-ja është e centralizuar paksa shumë…

Principi i subsidiaritetit nuk u respektua, prandaj Mbretëria e Bashkuar u largua. Por modeli i duhur është ai i NATO-s, i cili ekziston në zonën ku veprimi i përbashkët i organizuar është i nevojshëm - reagimi ushtarak - ndërkohë që i lë vendet të bëjnë atë që duan nën kufizimin për të mos sulmuar njëri-tjetrin. Dhe i jam mirënjohës Bashkimit Europian që ka pasur sukses në fillimin e konceptit të kombit për të menduar më shumë në drejtim të koordinimit rajonal.


Si mund të hyjë Rusia në botën moderne?

Vetëm nëse fragmentohet në shtete të ndryshme. Disa grupe ruse kanë qenë gjithmonë irredentistë, Kozakët, Kulakët (fermerët lokalistë) dhe siberianët. Ka edhe shumë pakica. Më gjerësisht, për shkak të këtij kompleksi të Vestfalisë, harrohet se rusët nuk kanë domosdoshmërisht të njëjtat interesa si Rusia. Interesat kombëtare janë gjëra abstrakte dhe njerëzit përfundojnë duke besuar në to edhe kur bien ndesh me ato të atyre popullsive që përfshijnë.


Ortodoksia dhe Patriarkët e Vegjël

Patriarku i Moskës ishte gjithashtu Patriarku i Ukrainës. Por në botën ortodokse, sa herë që ndodh një ndarje etnike ose gjuhësore, një "patriark i vogël" emërohet në vendin që është bërë i pavarur - ky është rasti në Serbi, Bullgari, Rumani. Kjo është arsyeja pse Patriarku i Kostandinopojës, më i rëndësishmi, pranoi kërkesën që Mitropoliti i Kievit të bëhet patriark i vogël në vitin 2019. Për shkak të kësaj ndarjeje, Kisha Ortodokse Ruse u ndje e tradhëtuar. Patriarku i Moskës, Cyril, mbështet Putinin. Të njëjtën gjë bën edhe Patriarku i Antiokisë, i afërt me Asadin.

Kjo konfirmon gjithashtu, nëse do të ishte ende e nevojshme, absurditetin e ideve të Samuel Huntington në “Përplasja e Qytetërimeve”. Jo vetëm që libri i tij është plot me arsyetime pseudo-matematikore (duke bërë që Serge Lang ta përzente nga Akademia e Shkencave), por, si "realistët" e tjerë, kokëfortësia e tij për të menduar në qendrat gjeopolitike dhe identitare e bën atë të arrijë në përfundimin se Ukraina i përket domenit rus. Por dikush mund të jetë ortodoks në Nju Jork!


Multiqefalizmi nuk ndihmoi në vitin 2014

Duhet pak kohë që një sistem kolektiv dhe i shpërndarë të reagojë. Duhen shumë dele për të luftuar një ujk dhe në vitin 2014 ishim shumë pak dele.

Njerëzit duan të jenë në gjendje të bëjnë tregti së bashku në botën e Adam Smith. Ky debat fals më kujton kundërshtimin mes Napoleonit dhe anglezëve.


Napoleoni kundër dyqanxhiut anglez

Gjithçka që anglezët dëshironin fillimisht ishte që produktet e tyre të mbërrinin të sigurta. Pikëpamjet e Napoleonit nuk u interesonin atyre. Ndërsa Napoleoni mendonte për lavdinë e Francës, ata mendonin për portofolin e pronarit anglez të dyqanit. Por tregtari anglez fitoi dhe, bashkë me tregtarin fenikas, ishte ai që krijoi botën moderne — botën anglo-fenikase të kozmopolitizmit tregtar. Kjo do të thotë, për shembull, se sot gjermanët janë më të interesuar në eksportimin e makinave sesa në zgjerimin gjeografik të Gjermanisë.

Për më tepër, argëtohem kur dëgjoj disa njerëz që flasin për "imperializmin kulturor amerikan". A mendoni se në mëngjes, kur zgjohen, amerikanët mendojnë të eksportojnë muzikën dhe ushqimin e tyre? Është thjesht se në anën tjetër të planetit, të rinjtë preferojnë të hanë hamburger.


Unë nuk jam Kundër Modernitetit; Unë jam për përmirësimin e tij

Sistemi modern liberal bën gabime, po. Ama kur e kritikoj, nuk synoj ta shkatërroj, por ta përmirësoj. Dhe është një sistem i mirë sepse është vetë-korrigjues. I kritikoj ndërhyrjet naive perëndimore sepse mendoj për pasojat e tyre: isha kundër luftës në Irak dhe përvoja e justifikonte frikën time; Unë jam kundër ndërhyrjes në Siri, sepse nëse heqim qafe Assadin, nuk e dimë se çfarë do ta zëvendësojë atë; Nuk kam asgjë kundër Brexit-it, sepse nëse britanikët duan të jenë pjesë e sistemit tonë pa u varur nga burokratët e Brukselit, është e drejta e tyre.


Problemi i paraqitur nga një sistem i mirë si i yni është transparenca e tij, e cila shkakton shtrembërime perceptuese: Tocqueville e kuptoi se barazia duket edhe më e fortë kur zvogëlohet; në mënyrë të ngjashme, një sistem duket edhe më jofunksional kur është transparent. Kështu mund të kuptoni sulmet e mia ndaj dikujt si Edward Snowden dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët shfrytëzojnë këtë paradoks për të sulmuar Perëndimin në avantazh të komplotuesve rusë.


Pseudo-libertarianizmi që i hap rrugë tiranisë

Kam probleme me shumë njerëz, shpesh naivë libertarianë, të cilët mendojnë se jam si ata, sepse u pëlqejnë librat e mi. Por disa prej tyre duan të shkatërrojnë sistemin tonë në vend që ta përmirësojnë atë: shumë janë plot mllef.


Ata nuk e kuptojnë se alternativa ndaj sistemit tonë të rrëmujshëm është tirania: një shtet mafioz (Libia sot, Libani gjatë luftës civile) ose një autokraci. Dhe këta idiotë e quajnë veten liridashës!


Ky është rasti i Snowden dhe ndjekësve të tij. Ai është një mashtrues. Nëse do t'ju tregoja për një organizatë në Riad që mbron gratë në Francë kundër shtypjes prej meshkujve, ju do të qeshnit me mua. Epo, Snowden pretendon se mbron amerikanët kundër tiranisë së Google ndërsa vepron nga … Moska!


Në Twitter, përfundova duke vërejtur se në këtë ekosistem naiv libertarian ose më mirë, pseudo-libertarian, që përfshin entuziastët e bitcoin, njerëz që, si Snowden, e shohin Covid-19 si një pretekst për një entitet të errët për të ushtruar kontroll mbi popullsinë. Këtu përfshihen edhe aktivistët kundër vaksinës. Ne jemi në zemër të dezinformimit: qëllimi i Programit të Dezinformimit Rus këtu është të krijojë mosbesim midis qytetarëve dhe autoriteteve dhe të shfrytëzojë gjithçka që mund të sjellë mosmarrëveshje. Dezinformimi vazhdon sipas citimit të supozuar të Stalinit: “Vdekja e një njeriu është një tragjedi. Vdekja e një milion burrave është një statistikë.” Këta aktivistë, për shembull, zmadhojnë mosfunksionime të vogla të vaksinave Covid-19.


Si mësova për dezinformimin

Fillova të dalloja profile në Twitter të quajtura “Linda”, pro-Trump, e cila, në protestë kundër inflacionit, përdori shenjën e rublës në vend të dollarit. Kur të njëjtët njerëz mbështesin shoferët kanadezë të kamionëve dhe Vladimir Putinin, ka një problem. Në një farë mënyre, unë u angazhova publikisht për të mbrojtur Ukrainën sepse të njëjtët budallenj që më sulmuan në lidhje me Covid-in i dolën në mbrojtje edhe Putinit.

Është ende shqetësuese që libertarianët angazhohen për të mbrojtur një autokrat!

Libertarianët kontrollohen nga Rusia, sepse në përgjithësi, ata janë njerëz naivë që kanë vetëm mendime të rendit të parë — ata nuk dinë të marrin parasysh pasojat e veprimeve të caktuara. Kjo është ajo që i dallon ata nga liberalët klasikë.


Ata nuk e kuptojnë se shkatërrimi i sistemit aktual fton tiraninë.


Paqja e gjatë

Ne nuk e prisnim këtë luftë për të kuptuar se Pinker kishte gabuar për rënien e dhunës. Nuk ka një gjë të tillë si “Paqja e Gjatë", kryesisht sepse e kaluara nuk ishte aq e dhunshme sa pretendon Pinker. Unë dhe kolegët e mi hodhëm poshtë llogaritjet e Pinkerit në kërkimin tonë. Gabimet e tij vijnë veçanërisht nga fakti se disa të dhëna që ai përdor mbivlerësojnë numrin e vdekjeve në konfliktet e kaluara. Pinker dëshiron të luajë mbrojtësin e mendimit modern liberal, por ai nuk di asgjë për temën e tij të studimit.

Për më tepër, edhe nëse ky konflikt do të përfundojë mirë, do të ketë treguar se mjafton që një shtet të ketë armë bërthamore për të shkaktuar një fatkeqësi. Megjithatë, në botën e sotme, nuk është e pranueshme që një lider të pushtojë një territor tjetër thjesht sepse ai zotëron bombën atomike. Ky parim duhet të marrë fund.

Kjo na çon në rrezikun tjetër, Kinën. Sigurisht, ajo nuk i ka shpëtuar botës moderne aq shumë sa Rusia dhe është e lidhur ngushtë komercialisht me Perëndimin. Por ka edhe tendenca perandorake. Prandaj, gjëja më e mirë do të ishte që edhe ajo të copëtohej për t'i shpëtuar tentakulave të Pekinit. Tajvani dhe Hong Kongu janë më të avancuar se Kina, prandaj kini më tepër konsideratë për to!


Rusia e ndarë

Duhet ta lëmë të ndahet vetë! Nëse regjimi qendror dobësohet, do të ketë shtytje autonome. Modeli liberal nuk është në përputhje me këtë imperializëm dhe Rusia nuk mund të mbijetojë pa centralizim.


Përfundimi i Luftës së Ukrainës

Nëse i jep Putinit qoftë edhe një gisht, ai do ta ketë fituar luftën. Prandaj, lidershipi i Rusisë duhet të poshtërohet dhe mënyra e vetme është që ajo të tërhiqet. Ne kemi nevojë për një përsëritje të luftës ruso-japoneze të vitit 1905. Në këtë rast, Putini do të rrëzohet nga brenda, sepse, historikisht, njerëzit që pranojnë autokracitë nuk i pëlqejnë të dobëtit. Një Putin i dobët nuk është më Putin – ashtu si një Trump i mirë, me takt dhe mendimtar nuk do të ishte më Trump. Që kjo të vazhdojë, duhen shumë budallenj që të ushqejnë narrativën - dhe nëse budallenjtë fillojnë të dyshojnë në historinë që i ushqejnë, do të jetë fillimi i fundit.



Pasthënie

Unë e kam vizituar Ukrainën shumë herë, më së fundi si mysafir i Zelenskyt në gusht 2021 për festimet e pavarësisë së Ukrainës. Vizita e fundit u ndje si “Hanibal ad portas”. Kam pasur shumë vodka me ukrainas dhe diskutova idetë e këtij shkrimi me shumë miq, si dhe anëtarë të parlamentit ukrainas në një leksion të veçantë mbi brishtësinë dhe qëndrueshmërinë e sistemeve.



95 views0 comments
bottom of page