top of page

Luftërat - sot në Ukrainë, dje ne Kosovë: tregim për një djalë kosovar te traumatizuar nga lufta



LUFTË DJE, LUFTË SOT! - Tregim nga Keti Dibra


“NË LUFTËN PËR LIRI BIEN DISA TRIMA, POR FITON NJË POPULL, NDËRSA NË ROBËRI VUAN NJË POPULL E FITON NJË TIRANI” (Mitrush Kuteli)


Shoh e dëgjoj zhvillimin e luftës në Ukrainë. Bombardime, të plagosur, të vrarë dhe turma njerëzish që ikin të tmerruar nga vendi i tyre. Lufta, turpi i shekullit tonë! Dhe më vjen pashmangshëm në kujtesë lufta e Kosovës, 24 vite më parë. Luftërat nuk ndryshojnë nga njera - tjetra. Kudo shkaktojnë dhunë e vdekje. Luftën e Kosovës e përjetova e gjendur në Itali. Çdo ditë ndiqja me shumë vëmendje lajmet që vinin nga larg, por lajmet e ardhura nga larg deri te ti, gjithsesi zbehen. Është krejt ndryshe kur ndeshesh nga afër me vuajtjen, kur përballesh me të dhunuarin, të gjymtuarin, me të perhumburin. Përballë tyre sheh, gjykon e vepron nën një urdhër të ri, që të dikton truri e shpirti. Ngjarjet sa vinin e bëheshin më të frikshme, më çnjerëzore. Dhe filloi largimi në masë i kosovarëve nga trojet e tyre. Në gjendjen e emergjencës u krijua nga qeveria italiane “Missione Arcobaleno”, në ndihmë të refugjatëve kosovarë. Ish- baza e Nato-s në Comiso (Siçili), u bë strehimi i kosovarëve të ikur. Të organizuar nga struktura të këtij misioni, nje grup shqiptarësh, ndër ta edhe unë, u nisëm për në Comiso, në ndihmë të kosovarëve. Isha per dy javë atje. U njoha me kosovarë të ndryshëm, por dua të veçoj 24-vjeçarin Bekim. E pashë një mbasdite, të shtrirë në strukturën e ndihmës së shpejtë, i kapërthyer nga kriza të forta depresive, dhimbje dhe kontraktime të forta të të gjithë trupit. Disa shokë të tij më treguan për çka i kishte ngjarë në Kosovë. Bekimi ishte kapur nga forcat ushtarake serbe dhe ishte trajtuar si terrorist. Shkruante poezi, Bekimi. Poezi per jetën, për luftën, per dhunën, per vdekjen. Dhe per poezinë ishte masakruar! E kishin detyruar të përsëriste e të përsëriste pa fund vargje nën torturë, e përsëri torturë. Më thanë se prindët ia kishin vrarë. Ishte i përhumbur tërë kohën. Përballja me të qe e dhimbshme per mua. Iu afrova ngadalë. E ledhatova si të ishte fëmia im. Ia mora dorën dhe ia mbajta në duart e mia, mbështeta faqen time në faqen e tij, se doja të ndinte afërsi nëne, afërsi që do t’i mungonte tërë jetën. I fola, i fola shumë. Nuk kujtoj çfarë i thashë. I dhashë kurajë, ndërsa fshija lotët që më rridhnin. Ishte i bukur, Bekimi, me sy të ëmbël e me një shprehje fytyre gati si të një fëmije.E qetësova dhe pasi e binda të pinte diçka që e kundërshtonte, ngadalë e me buzëqeshje të lodhur, më tha: E mira më afrohet vetë. Ishte shumë më tepër se falenderim, se shumë falenderime klishe thënë për mirësjellje. Bekimi ishte poet. Duke kaluar nëpërmend ndodhinë, kthehem përsëri në ngjarjen e ankthëshme që po kalojmë e vërej e them se diktatoret e të gjitha kohëve ngjajne si dy pika uji me njëri - tjetrin. Se diktatori i sotëm Putin, që bombardon Ukrainën, ka të njejtën fytyrë me Milosheviçin që vrau e shfarosi kosovarë të pafajshëm.


.

Comments


bottom of page