Përshkoj udhë
shoh pemë
shkurre
fusha
lumej
lëndina
dhe ndiej
praninë e tyre
që më rrethon e
me përkëdhel
e në çdo çast
të udhëtimit
nuk jam vetëm
jam bashkë
me to e me to
këndoj
bëj shaka
rrëfehem
ngushëllohem.
E dua
erën e ngrohtë
të dheut
të tokës
erën e gjethes
të barit
të sanës.
Mes një të tillë
mrekullie
ndihesh në
trajtën më të plotë
të qenies tënde.
Dheu
të rrëmbush.
Era e gjetheve
të përkëdhel.
Era e barit
të gjallëron.
Era e sanës
të qetëson.
Toka
të dikton
pafundësinë.
Toka,
vdekje
dhe jetë!
Toka!
Si gruaja!
Ajo
merr
jep
mban.
Kjo është
lidhja e saj me
gjallesat.
Në shkëmbim
të materies
ngjizet e reja
e vjetra
tjetërsohet
çdo gjë
persëritet.
Dhe vjen
natyrshëm
“strukja” jonë
në gjirin e dheut.
Aty, strehohet
së fundmi,
aty shprishet,
aty këmbehet,
për të folur me një
tjetër gjuhë,
gjuhën
e vazhdimësisë,
që shihet
përsëri
e përsëri
te gjethi
te pema
te lulja
te fruti
te zogu
te mëshqerra,
te shkëmbimet
e ndërsjella,
që krijojnë
përherësinë.
Ndaj,
në fundin tonë,
s’e dua praktikën
“moderne”
të murimit
të trupit, që
gjymton lidhjet,
prish vazhdimësinë.
k.d.
Comments