CHARLES BUKOWSKI - NJË ZOG I KALTËR
Në zemrën time është një zog i kaltër që
do të dalë,
por me të jam i palëkundur,
i them: rri brenda, nuk dua
të të shohë asnjë.
Në zemrën time është një zog i kaltër që
do të dalë,
por i hedh sipër uiski dhe thith
tymin e cigareve
dhe kurvat e baristët
dhe shitësit e ushqimores
nuk e dinë që aty brenda është ai.
Në zemrën time është një zog i kaltër që do të dalë,
por unë jam i ngurtë me të,
i them: rri aty, do që të zemërohem?
Do të më çosh në erë tërë punën time?
Do që të më shkatërrosh shitblerjen e librave te mi në Europë?
Në zemrën time është një zog i kaltër që
do të dalë,
vetëm natën, nganjëherë,
kur të gjithë flenë,
i them: e di që je,
mos u trishto,
mandej e rivendos brenda.
Por ai brenda këndon ngapak,
sikur e kam bërë të vdesë vërtet,
flemë bashkë kështu
me paktin tonë sekret
dhe është kaq i këndshëm, sa bën të qajë
një burrë, por unë nuk qaj,
po ju?
Perktheu Keti Dibra
Nje vrojtim:
A duhet fshehur ky zog i kaltër?
Këtë zog të kaltër duhet ta kete çdo njeri brenda vetes e gjithsecili duhet t'i jape mundesi çdo herë te këndojë fort për ta dëgjuar, me së pari, ai vetë kengen e tij, këngën e së vërtetës, këngën e guximit,këngën e mospajtimit me të keqen, me hipokrizinë, me padrejtësine, me mashtrimin, me gënjeshtrën, me talljen,me nëperkëmbjen, që jane bërë dukuri të frikshme në këtë shoqëri që bjerr përdite e më shumë vlera që dikur kanë qenë dukuri të ngulitura të saj,falë perpjekjeve te tërë një shoqerie më kompakte e më humane.
E do te ishte si nje mrekulli e rënë nga qielli që atë zë ta dëgjonin nganjëherë edhe ata që janë në krye te kësaj shoqërie!
SI PENELATA TË HEDHURA NË TELAJO, nga Keti Dibra
TRIPTIK TOKË, UJË, QIELL
PLEPAT
Gjithsecili ngacmohet ndryshëm nga kujtesa e, keshtu, në mënyren e vet , gjithsecili afron e largon copëza jete. Here-herë ajo thërret në ndihmë njerëz, gjallesa, sende, për të ndertuar çaste, grupuar ndodhira, situata të krijuara dikur, diku. Prandaj, jo më kot, mbas vitesh, më rikthehen në kujtesë tri pemë.
Ishin tre plepa të pazakonshëm. Të drejtë, të lartë, gjetheshume, anës së një rruge që më ishte shumë e dashur. Ato shënonin gëzimin, takimin me gjyshen që e doja fort, detin, shoqërinë, dëfrimin. Çdo herë isha shumë e vëmendëshme ndaj atyre tre drurëve. Makina vraponte dhe une nëpërdhëmbja: ja, pas asaj kthese, pas atij hendeku buzë rrugës, pas... Nuk mund të kaloja pa i parë. Ato ishin bërë një pjesëz e imja. Në ç'gjendje do t’i gjeja këtë herë? Ishin lartuar edhe më? Mos ishin përtharë degësh? Apo ndonjë dorë e mbrapshtë i kishte cunguar?
Vite me radhë unë i gjeja përherë aty, buzë rruge, dhe përherë mbushesha me jetë. Ato të parat më uronin mirëseardhjen. Kohë më pas kaloja përsëri në atë udhë. Isha madhuar në vite, por unë, e kujdesëshme, prisja përsëri me ankth të shihja pemët e mia, heshturazi të pëshpërisja diçka me to.
E hutuar nga ndryshimi që m'u përballë, kërkova e kërkova me sy e me shpirt, t'i shihja përsëri ato pemë, aty ku kishin lartuar prej vitesh, por nuk gjeta asgjë më.
Kishin ikur, siç ikën gjithnjë gjeja që duam fort!
DETI
Gjithnjë më ka mrekulluar me shtrirjen e tij të pafund. Gjithnjë kam qenë e dashuruar pas tij. Me të mund të flisje dhe të dëgjonte, mund të bëje shaka dhe të mirëpriste, mund të ishe e zemëruar dhe të ngushëllonte. Tamam si një dashnor i marrosur pas teje që, çfarëdo të bësh a të thuash, t’i fal të tëra, sepse të do.
Dhe ai më donte mua . Gjithherë më ledhatonte, gjithherë e përqafoja. Ishte një lidhje e herëshme me të. Mbaj mend kur mblidheshim e shkonim grup ne plazh. Rruga qëllonte të bëhej herë në këmbë e here sipër ndonjë sharabajke, apo ndonjë kamioni që, duke mëshiruar ecanakët qejflinj, u shkurtonte udhën. Ne, tërë gëzim, me padurim, prisnim mbërritjen.
E deti na priste herë i qetë, herë i tazuar e me dallgë. Kishte edhe ai shqetësimet e tij. Nganjëherë, era e fortë, me tërë kryeneçësinë e saj na largonte e nuk na linte t’i afroheshim . Me sa dukej, kërkonte edhe ajo kohën e vet për ta dashuruar. Ujë e erë kapertheheshin frikshëm. Atëherë s’ishte shaka. Duhej hapur udhë. Ne, qejfprishur, prisnim derisa ai na ftonte përsëri.
VALLJA E YLLËSISË
Natë. Qetësi. Mbi kokë një copë qiell. Një pafundësi yjesh në këtë qiell blu.
Nga largësitë derdhin bujarisht tërë dashurinë e tyre. Tërë kjo dritë qiellore. Tërë ky ndriçim që më ngacmon kërshërinë. Marramendur nga tërë ky shkëlqim yjor, rrekem të gjej yllin wë ndriçon më shumë. Kështu, nis të vallëzoj. Nis vallen time të yllësisë. Hidhem nga një yll te tjetri. Dalloj Harushën e Madhe, motërzën e saj te vogël dhe gjej Yllin Polar. Brilant i vërtetë që shkëlqen mbi shumë të tjerë. E Kashta e Kumtrit? Gjerdan i pafund xixëllues. Kurorë drite e pakrahasueshme.
Kjo hapësirë qiellore pa caqe!
Kjo pafundësi yjesh!
Ngacmim i përhershëm për njeriun!
Thuhet, se loja e yjeve dikton lëvizjet e duhura për zgjedhje dhe zgjidhje në rrugëtimin tonë.
Të merreshim me astrologji, ndoshta do të mësonim të ngisnim siç duhej lojën e ngatërruar të jetës...
Por është vonë...
Dalëngadalë forcat lëvizëse të Sistemit tone diellor do të sjellin ditën dhe magjia e yjeve do të fashitet përkohësisht, për t’u kthyer rishtas.
Por është ende natë dhe ka ende kohë për të soditur yjet, për të vallëzuar...
Comments