Ke vite që nga ne ke ikur,
vite, që u largove pa u ndjerë
Ti ike si edhe jetove
E urta gjyshe që qeshje aq rrallë
Isha e vogël e nuk e kuptoja
Sa jeta Ty të kishte lënduar
Por lotët shkarazi t’i kam parë
Ti kam parë lotët e s’të kam treguar!
Emrat e brezave nga Ti i mësova
Ti që me lejoje edhe të gaboja
Strehë nën përparësen tënde unë gjeja
E më pas, e çliruar vrapoja!
Urtësisht, afër më qëndroje,
flisje ngadalë, balluket m’i rregulloje,
qetësi prane teje,
ndihesha e ledhatuar!
Rritesha çdo herë që të kam dëgjuar!
Ti portë e ngrohtësisë o gjyshe!
Ditët me ty iknin pa kuptuar
Mall për përqafimin tënd të heshtur,
nën veshjen e zezë e të pandryshuar
Unë atëhere nuk e dija!
Atëhere unë nuk e kuptoja
Sa fat të rriteshe pranë teje!
Ty që më lejoje edhe të gaboja!
Sa vite ka që prej nesh je larguar
Ikjen tënde duke na e lënë pas
Me nje tis dhembshurie mbështjellë ndjehem
Siç e lejnë gjyshet, kur na ikin larg
Comments