Nga Denata Rroji
Familja Tasi Krenari Shqiptare! Rrallë me hasë n' historinë e shekullit të 20- të familje në Shqipni që i dhanë vendit tyne gjithë kontirbutin e vyem intelektual, nga fortunat e historisë, fatkeqësisht edhe jetën e tyne në burgje dhe internime përgjatë diktaturës komuniste. Kjo familje klasi, ka plot tri breza që vazhdon e kontribuon për vendin tonë. Dinastia Tasi, asht nji nga familjet ma të vjetra të Përmetit, e cila kishte nis tregtinë rreth viteve 1800 me Rumaninë. I pari i "Dinastise Tasi" njihej si një tregtar me za për zonën, i suksesshëm, i cili jetonte mes Rumanisë e Shqipnisë. Ai u martu me nji vajzë shqiptare, e mori në Rumani me jetu dhe kriju së bashku familjen dhe mirëqënien. Nga kjo martesë lindën dy djemtë Koço dhe Akil Tasi, dy personalitete shqiptare që ende sot nuk kanë vëmendjen e duhun nga historia, gazetaria, shkenca dhe letersia. I jati i dy djemve, ndahet nga jeta i ri, duke i lanë të dy ata shumë të vegjël. Gruja e mbetun e ve tashma, Polikseni, merr rrugëtimin e gjatë per tú kthy në Shqipni, në atë kohë vetëm me transport kafshësh bahej, duke marrë me vedi përgjegjësinë e një udhetimi të gjatë e të rrezikshëm, ngarku mall dhe gja mbi kafshët, por përmbi gjithçka ngarku dy vocerrakët e saj Koço dhe Lekë Tasi, të cilët i kishte vendosë në dy shporta prej kashte. Të dy femijët pa babë u rritën nga kujdesi i dajave dhe i axhave, me nji edukatë të admirueshme dhe me dashuni për arsimim dhe për vendin e tyne.
Koço Tasi, i lindun në Rumani, jurist i diplomum në Romë, ishte deputeti i parlamentit të parë shqiptar, që del pas Kongresit të Lushnjës. Ka kenë, po ashtu, Ministër i Drejtësisë dhe Prefekt i Gjinokastrës në momentet ma të randa, kur ky qytet kërcënohej nga grekofilët. Koço-ja ka kenë Guvernator i Kosovës, kur Kosova ishte Shqipni, dhe ideatori e themelusi i administratës lokale të kësaj toke shqiptare. Gazetari Agron Shala shprehet “ Është meritë e tij hapja e shkollave shqipe në tokat e çliruara (ku përfshihen edhe ato në Maqedoni). Ernest Koliqi, si ministër i Arsimit të Shqipërisë, vendosi të na i sillte mësuesit. Por, Koço Tasi u kujdes për objektet, financimin dhe mbarëvajtjen e mësimit. Teksa meritat e Koliqit së paku verbalisht çmohen, Koço Tasi është tërësisht i harruar.” Koço Tasi, pse ishte nji politikan dhe patriot i viteve ’20, burgoset në burgun e Burrelit. Shkollimi, dija, kultura dhe përvoja e tij në politkë dhe administratë, i lindën si nevojë për me shkru idetë e tij të mbetuna peng, në veprën juridike “E Drejta”, të cilën askush nga akdemikët apo rrethet e interesume për kte fushë nuk e pa te "arsyeshme" me e botu si nji vepër të vyeme në fushën e jurispodencës. Veçse familjarët, askush tjetër nuk do ishin botusit e kësaj vepre. "Vepra e vogël" – kështu e qunte Koço Tasi – e shkrueme në gegnisht, e pa dritën e botimit në mars të vitit 2011, nën kujdesin e të birit Lekë Tasi. Te ky libër, i biri Lekë, tregon se fletoret ku u shkru “E drejta” i ranë në dorë në vitin nantëdhjetë, falë ish-të burgosunit të Burrelit, Çaush Çoku, që sapo ishte liru.
Nga “Gjyqi Special”, për krimet e luftës që u zhvillua në mars-prill 1945, Koço Tasit iu dha dënimi me vdekje e burg të përjetshëm. Ai bani 20 vjet burg duke lanë Burrelin në pleqni të thellë, në vitin 1965, pa mujt me marrë me vete ato çka pati shkru brenda dënimit fizik. Autori ndërroi jetë një vit ma mprapa, ne vitin 1966.
Vllai i tij Akile Tasi, i diplomum për degët "Gazetari dhe Shkenca Politike" në Romë, ishte nji ndër bashkëpunëtorët kryesorë të Faik Konicës te “Vatra”. Ai ka punua Drejtor i Bibliotekës Shqiptare, Ministër Kulture i Shqipnisë, si dhe ka udhëheqë mediume profesionale, si “Bashkimi i Kombit”, ku kryeredaktor kishte emëru Gjergj Bubanin dhe redaktor Mustafa Greblleshin. Në këtë gazetë të përditshme, Mitrush Kuteli boton “Poemin Kosovar”. Akileja do të vdiste në burg të Burrelit, sot asht i pavarr.
Kontributi intelektual i familjes Tasi nuk mbaron me kaq, por buron prej të parëve si ai uji që edhe pse ia prishin rrjedhën, ai gufon si nevojë e natyrës për me u derdhë e me përmbushë misionin e tij burimor. I biri i Koço Tasit, Napoleoni, njohës shumë i mirë i pesë gjuhëve të huja, falë kësaj dhuntie dhe pasionit të pamatë ndaj letërsisë, përkthen "Sonetet" e William Shakespeare, John Keats-it, Lord Byron. Dhe pse vujti 8 vite burg ai vujti dhe gjithê persekusionin psikologjik, në çdo lindje të ditës së re edhe pse në "lirim". Tefta Tasi, e bija e Koço Tasit, ndër kangëtaret e para lirike, ndër vajzat ma me nur dhe delikatesë në shfaqjet koncertore dhe në ambientet artistike, u shpërblye me vujtje, për vite të tana, në kampet e internimit. Vajza me shpirtin dhe zanin lirik u përball me punët ma të randa dhe me luften e ashpër të klasave, duke nxitë popullin, njeriun e ri që po formohej, t’i shfaqnin haptazi urrejtjen, përbuzjen dhe gjujtjen me gurë, kur ajo shfaqej para tyne, si njeri që nuk ishte i denjë për klasën e fshatarësisë
Tefta Tasi
Intelektualet e kësaj familje pasohen me djalin tjetër, Ylli Tasi , inxhinieri i shquem, i cili mbaroi studimet në degën " Inxhinieri-Mekanike" në Tiranë. Ylli njihet për shpikjet inxhinierike përparimtare për kohën e tij, në nivel ndërkombëtar, motorët dhe pompat, të cilët do të lehtësonin industrinë dhe revulucionarizonin ekonoiminë në prodhimin e rrotave dhe të pllakave. E për rrjedhojë, inxhinier Tasi shpërblehet me dy “Patenta” një europiane dhe një amerikane në lidhje me shpkijen më të madhe për kohën , të motorit pa kodollok. Ishte një shpikje e thejshtë, por shume inovatore për indrustrinë. Dhe ky shkenctar si familjarët, u shpërblye me vuajtje dënimi me burg dhe internimi.
Lekë Tasi
Sot pët fatin tone të mire jeton vëllai i tyne, artisti pamor, Lekë Tasi. Ai asht ndër njerëzit e rrallë që përjetoi disa sisteme mes vuajtjeve dhe andrrimeve. Çdo eksperiencë të ithët, Leka e përktheu në motiv jete e zotësi me prodhue art. Ai meriton me jetue dhe plot vite si shembull i një idealisti dhe njeriu të rrallë.
Shkrimtari Stefan Çapaliku shruan: “Lekë Tasi, u lind më 15 prill 1929, në Athinë. Leka, studion muzikë dhe në periudhën l946-l967 punësohet si violonçellist në Radio, Filarmoni dhe më vonë në Teatrin e Operas. Me ashpërsimin e luftës së klasave, pushohet nga puna, dhe detyrohet me punu punëtor krahu, përkthyes dhe piktor. Në l975 internohet familjarisht në Grabjan të Lushnjës, ku kalon 15 vjet. Frut i kësaj periudhe të vështirë asht libri i tij me titull: “Grabjani rrëzë kodrave”, botu në vitin 2009.
Emërohet inspektor në Sekretariatin e Fesë më l99l ku shërben deri në l998. Pas vitit 1998 merret si artist i lirë me pikturë dhe letërsi. Merr pjesë në disa ekspozita pikture dhe shkrun artikuj në shtypin e ditës, duke u përqëndru më shumë në korrigjimin e shtrembërimeve të periudhës komuniste në historiografi. Ka botu gjithashtu një roman të shkurtë “Korridori me vetratë” më 2004 dhe “Dita e Durimit” më 2017.
“Dy gjëra po shoh në internim: shpresa më vjen nganjeherë, ashtu pa e kërku, si një valë nga brenda që të qetëson dhe të thotë se nuk do të vazhdojë gjatë kjo punë. E dyta asht për mbramjen. I jam mirënjohës këtij cikli të vogël lodhjeje dhe ripertëritjeje prej 24 orësh. Ai m' ńihmon me jetu, ma thërmon shkambin që m' asht caktu me mbajt. Matem përditë me një cifël të tij dhe sa për pjesën që mbetet, ajo rri e fshehun te ditët që vijnë, e përzi gati gjithmonë me një kaltërsi shprese. Më mjafton me mendu për këto që kam përpara dhe këto që kam përpara, mbarojnë sonte.” (Lekë Tasi, “Grabjani, rrëzë kodrave”, Tiranë, 2009).”
Ps. Në kujtim tandin dhe të familjes nga më të rrallat që ka Shqipëria, Sandra Aleksandra Tasi
Informacion i mbledhun nga intervista ime me artistin Leke Tasi si dhe nga arkiva e Jozef Radit, nga shkrimi i Stefan Capalikut dhe i Agron Shalës.
Interesting