top of page

E drejta për të pasur të drejta. Vota e mërgatës dhe të çrrënjëzuarit.

Updated: Sep 22, 2022

Nga: Bonald Përkola

Autori Bonald Përkola

Debati mbi eksodin e shqiptarëve drejt vendeve të Perëndimit deri më tani është kushtëzuar të frymojë nën rripin e ngushtë të disa faktorëve që ripërmenden në nje cikël të pafundëm dhe që në të gjitha rastet ndjekin një formë induktive të arsyetimit. Për ekspertët dhe analistët, qoftë shqiptarë a të huaj nën lëkurë e shqiptarit, e drejta e mërgatës për t’u përfshirë në procesin vendimmarrës të vendit të tyre buron prej barrës së madhe ekonomike që ata kanë marrë përsipër. Për ta shqiptari i emigruar e merr të drejtën të vendosë prej virtytit se është mushkë a krisht që sakrifikohet për mëkatet e një qeverisje abuzive lokale. Thënë kështu, mërgatës shqiptare e drejta e pjesmarrjes në fatet e Shqipërisë i duhet falur për mëshirë në disa raste dhe si shprehje përulje në disa të tjera. Sidoqoftë mërgata as nuk ka kërkuar ndonjëherë në formë unanime apo mazhoritare të gëzojë një status të tillë. Kësisoj diskursi mbi përfshirjen e saj në vendimmarrje mund dhe duhet të ndërtohet në një tjetër rrafsh, duke e zhvendosur të drejtën e mërgatës për pjesëmarrje nga faktorë ekonomikë në shkaqe individuale që burojnë prej vetë shqiptarit të emigruar si subjekt.


Në vitin 1951 Hannah Arendt publikoi kryeveprën e saj "Mbi Origjinën e Totalitarianizmit" (Elemente und Ursprünge totaler Herrschaft). Ndër shumë koncepte të tjera të zhvilluara në këtë vepër, si thelbësore për të ndërtuar një hyrje në diskursin e ri mbi mërgatën shqiptare, duhen veçuar ndërtimi i gjendjes së "pashtetësisë" dhe "e drejta për të pasur të drejta". Arendt shkruan në një hapësirë historike të formëzuar nga ngjarje tronditëse të historisë njerëzore. Dy luftërat botërore, që prodhuan përkatësisht shpërbërjen e Perandorisë Austrohungareze dhe të Romanovëve, dështimin e Lidhjes së Kombeve për të adresuar çështjet nevralgjike të lidhura me Luftën e Madhe, dehumanizimin e popullsisë hebreje dhe likujdimin e saj fizik, e shtyjnë autoren t‘i drejtohet problematikës të së drejtave të njeriut dhe hapësirës në të cilat këto të drejta reduktohen në absurd.


Natyra e të drejtave të njeriut, ashtu siç kuptohet gjerësisht sot, u ngjiz parësisht në shekullin e tetëmbëdhjetë me ngjarje kolosale politike si Revolucioni Francez. Deri përpara këtyre ngjarjeve njeriu i‘a detyronte të drejtat e tij nje fuqije të epërme. Transhendentalisht të drejtat njerëzore buronin prej Zotit dhe skripturës së lënë trashëgimi prej tij nëpërmjet profetëve dhe të interpretueshme nëpërmjet autoriteteve religjioze. Me fillimin e formimit të shtet-kombeve sidoqoftë dhe largimit të njeriut nga interpretimi dogmatik religjioz, origjina e të drejtave të njeriut kapërcen nga një autoritet metafizik brenda këtij të fundit vetë. Njeriu shihet kësisoj si mbartës i të drejtave vetëm prej virtytit të të qenit ai që është. Këto të drejta janë të patëhuajsueshme. Pra, as nuk mund të hiqen nga një entitet tjetër dhe as nuk mund të dorëzohen nga mbartësit e tyre. Duke marrës shkasë nga lëvizjet migratore të pjesës së parë të shekullit të njëzetë, që kishin një prapavijë politike dhe ekonomike, Arendt argumenton se ka një mospërputhje midis pretendimit se të drejtat e njeriut janë të patëhuajsueshme dhe gjendjes faktike të një pjesë të të emigruarve gjatë asaj periudhe. Për këtë shkak, ajo ravijëzon kornizën e problematikës së "pashtetësisë" dhe "të drejtës për të pasur të drejta". Pashtetësia, ose çrrënjëzimi për të zgjedhur një fjalë më të përshtatshme që i manifeston të gjitha cilësitë e problematikës së parë, është gjëndja në të cilën një subjekt është i pozicionuar brënda një hapësire fizike por i përjashtuar nga hapësira juridiko-politike. Të çrrënjëzuarit e shekullit të njëzetë ishin kryesisht subjektet që ndër të tjera, qoftë për arsye politike të ridimensionimit të kufijve politik pas rënies së perandorive të mëdha, ose qoftë për shkaqe të një natyre më perverse, si përndjekja nga një regjim diktatorial, u detyruan të emigronin në vende të tjera ku supozohet të ishin më të sigurtë. Realiteti sipas Arendt tregoi të kundërtën sepse ndërtimi i shtet-kombeve mbi parimin e një homogjeniteti të brendshëm mundësoi përdorimin e instrumenteve të ndryshme, si në rastin e heqjes së shtetësisë apo riatdhesimit për subjektet e larguara nga vendet e tjera.

Kaq e ashpër ishte politika për të ruajtur homogjenitetin saqë regjimet e atij shekulli, që ishin ideologjikisht diametralisht të përkundërta me njëra tjetrën, operonin në dy nivele.

Në nivelin politik pra, shpërfaqej një ftohje diplomatike deri në kërcënim, ndërsa në nivelin operacional policor shërbimet e fshehta punonin ngushtë me njëra tjetrën për identifikimin dhe riatdhesimin e subjekteve të emigruar. Kësisoj Gestapo, jo rrallëherë, bashkëpunonte ngushtë me shërbimet policore të vendeve fqinje edhe pse natyra e këtyre strukturave ishte e përkundërt. Të çrrënjëzuarit kësisoj, të vendosur përballë mundësisë së riatdhesimit dhe pasojave të lidhura me këtë proces (internimi i popullsisë hebreje ose kundërshtarëve politik) vendosën të zhyteshin në statusin e pashtetësisë, pra të çrrënjëzoheshin nga identiteti i tyre që nuk mund t‘i sillte gjë tjetër veçse probleme.

Gjendja e pashtetësisë, pra e çrrënjëzimit, është e mjerueshme në sytë e Arendt. Ky mjerim buron prej faktit se subjektet e zhveshura nga shtetësia e tyre ndodhen në mënyrë permanente midis dy botëve duke mos qenë pjesë e asnjërës. Por ama jo prej virtytit të zgjedhjes së tyre individuale. Në fjalët e saj subjekti i zhveshur nga identiteti i tij e pozicionon veten në një gjendje akoma më të keqe seç mund të imagjinohet një shtetas që e thyen ligjin dhe i nënshtrohet ndëshkimit të tij. Si gjendje fizike, emigranti i zhveshur nga shtetësia e tij është i zhveshur gjithashtu edhe nga përkatësia e tij komunitare dhe gjithçka kjo përkatësi mban brënda vetes. Njeriu i zhveshur nga identiteti i tij, i papranuar në asnjë nga të dyja botët është potencialisht objekt shfrytëzimi dhe shtypje për shkak të pozicionimit të tij jashtë-ligjor ashtu siç është paradoksalisht edhe i pambrojtur nga ligji i vendit pritës i cili nuk e njeh si njeri. Thënë ndryshe, çrrënjëzimi i emigrantëve e redukton njeriun në minimumet e tij jetikë duke e izoluar dhe e përjashtuar nga përkatësia në komunitet. Duke u kthyer sërish mbrapa te të drejtat e njeriut, Arendt argumenton se parimi i të drejtave të njeriut, që shpreh se ato janë të patëhuajsueshme pavarësisht hapësirës fizike dhe kohore, nuk përputhet me reduktimin në minimum të njeriut, i cili është shkaktuar prej zhveshjes së këtij të fundit nga identiteti i tij komunitar. Duke qenë se Arendt e sheh hapësirën politike si hapësirë përcaktuese për identitetin e të emigruarit, atëherë mungesa e kësaj hapësire mund të përkthehet jo si thyerje apo mosrespektim i të drejtave të emigrantit por si mungesë e të drejtave në përgjithësi. Emigranti i zhveshur nga identiteti i tij është njeri pa përkatësi identitare dhe për pasojë pa peshë politike. Kjo jo shumë për faktin se emigranti privohet nga mundësia për të konsumuar e prodhuar opinione politike, në fund të fundit as kangjellat e burgut apo kampet e internimit nuk mund t’i vendosin barriera mendimit, por ngase atij i hiqet mundësia për pjesëmarrje, që në vetvete është kusht për përkatësinë jo vetëm identitare brënda një shtet-kombi por edhe për përkatësinë në bashkësinë humanitare.


Dimensionet e mërgatës shqiptare:


Sigurisht që Arendt i referohet kushteve historiko-juridike të shekullit të kaluar dhe një lexim i shpejtë në ritëm por i ngathët në kuptim mund t’a shtyjë lexuesin të mendoj se nuk ka përputhje midis gjendjes së emigrantëve të shekullit të njëzetë dhe mundësive që ofrojnë shtet-kombet sot për refugjatët e luftës apo të përndjekurit politik. Dikush tjetër mund edhe t’i përvishet këtij interpretimi të Arendt dhe të ofrojë qasje të tjera si për kornizën e përgjithshme të mendimit të saj apo për koncepte të mëvetësishme. Si në çdo vepër tjetër të madhe leximet mund të jenë të shumta, por më të vyerat janë ato që nuk shqetësohen aq shumë të deshifrojnë mendjen e shkruesit por të ngrenë pyetje të reja. Zhveshja identitare është ushqim i përkryer kësisoj për të analizuar fenomenin e eksodit shqiptar të këtyre viteve të fundit. E gjykuar duke përdorur si kut matës hapësirën kohore, mund të themi se emigranti shqiptar gjendet thuajse përherë në një kapërcim të vazhdueshëm prej statusit të tij rezidencial në statusin e natyralizimit.

Shqiptari që jeton jashtë trojeve të tij ose është shpërngulur sëfundmi me premisat për t’u natyralizuar, ose është shpërngulur kahera nga komuniteti i tij dhe është pjesë integrale e vendit pritës. Juridikisht rezidenti shqiptar dhe ai që i është nënshtruar procesit të natyralizimit gëzojnë të drejta të ndryshme. Diafragma e mundësive për të dytin është më e madhe se për të parin. Shqiptari rezident është potencialisht pjesë e komunitetit të vendit të tij pritës ndërsa i natyralizuari është vendimmarrës në hapësirën politike që i ofrohet. Cfarë i bashkon këto dy momente diasporake me njëra tjetrën është imperativi i largimit për një jetë më të mirë dhe - duke përdorur argumentet e Arendt- frika se mos procesi i natyralizimit revokohet ose ndalohet.

Sidoqoftë, jashtë këtyre momenteve diasporake ekziston një gjendje e tretë, më dramatike, një gjendje që i ka dhënë fytyrën procesit të emigrimit shqiptar në përgjithësi dhe që më shumë i përngjet çrrënjëzimit të parashtruar nga Arendt. Shqiptari i larguar nga trojet e tij, që për të njejtat arsye si rezidenti apo i natyralizuari, e gjen veten të detyruar të largohet duke e braktisur identitetin e tij. Ashtu si në konceptualizimin e Arendt, shqiptari i zhveshur nga shtetësia dhe identiteti e redukton veten në minimumin e tij jetik. Ky shqiptar, qoftë ai në kurriz të kamionëve a gomoneve, a i humbur në zonat ndërkufitare të vendeve fqinje, është i detyruar nga kushtet politiko-ekonomike të Shqipërisë t’a reduktojë veten në një gjendje jashtë-ligjore, ku në të njëjtën kohë është subjekt i abuzimit dhe i pambrojtur nga ligji. Se sa i vërtetë është reduktimi në një zonë jashtë-ligjore mjafton të përmendim se sa e sa shqiptarë u rrahën, gjymtuan, vranë në komisariatet e Greqisë dhe sa e sa të tjerë u zhdukën pa nam e nishan në fund të Adriatikut nga vetë vullneti i autoriteteve ligjore të vendeve pritëse, që duke marrë parasysh stausin e tëhuajsimit të emigrantëve nga identiteti i tyre, nuk ngurruan t‘a reduktojnë shqiptarin në një qenie nën-njerëzore. Shumëkush mund t’i drejtohet këtij përcaktimi të zhveshjes së identitetit nga shqiptarët si të vullnetshëm nga ana e këtyre të fundit, se në ndryshim me shekullin e Arendt, shqiptari i sotëm nuk është i shtrënguar fizikisht t’a reduktojë veten në një gjendje të këtillë. Sidoqoftë, përndjekjen politike dhe urinë e ndajnë fjalët dhe e bashkojnë vdekja dhe mjerimi. Kësisoj një argumentim i tillë mund veçse t’i shërbejë sistemit politik në Shqipëri për të riprodhuar vetveten se sa për të justifikuar momentin aktual ku ndodhet emigranti shqiptar.

I zhveshur nga identiteti i tij, i reduktuar në minimumin e tij jetik, shqiptari i çrrënjëzuar është i tëhuajsuar nga statusi i tij si njeri. Në rastin më të mirë të mundshëm ky lloj shqiptari do të nxirrte prej llogorove të ndonjë lufte botërore ndonjë maskë me emër tjetër dhe do t’a vishte për të mundësuar sëpaku të drejtën për t’a lënë vendin e tij pa shqetësime. I vendosur në një rend hierarkik midis të emigruarve, pra midis të natyralizuarit dhe rezidentit, i çrrënjëzuari është i përjashtuar nga atributi i të qenit njeri me përkatësi identitare kombëtare dhe humanitare. Emigranti i çrrënjëzuar konsumon dhe prodhon opinione, por e drejta për pjesëmarrje nuk i garantohet as nga vendi pritës, të cilit ai i ka fshehur identitetin, e as nga vendi i tij i origjinës. Duke qenë se ky lloj emigranti është i kushtëzuar të frymojë në këtë qerthull juridiko-politik atëherë çfarë zgjidhje mund të ofrohet?


E drejta e votës për mërgatën:


Emigranti i çrrënjëzuar nuk ka hapësirë manovrimi. Duhet gjykuar kësisoj se gjendja e tij faktike është pasojë dhe jo shkak. Në këtë mënyrë edhe zgjidhja nuk mund të kërkohet nga ky i fundit por nga diku tjetër. Në fund të fundit duhet t‘a pranojmë se nuk mund të ketë vullnet, qoftë individual apo kolektiv, që pasyron largimin nga vendi origjinës drejt një vendi tjetër duke braktisur mundësinë për të gëzuar të drejta bazike si ajo e pjesëmarrjes në vendimmarrje politike. Duke qenë se i çrrënjëzuari është produkti i një abuzimi politik dhe ekonomik nga vendi i origjinës, në këtë rast më shumë se tridhjetë vjeçar, atëherë ai duhet konsideruar si anomali dhe jo si normë. Shpëtimi i këtij të fundit qendron te shkaku i prodhimit të këtij të fundit, pra te kushtet politike dhe ekonomike. Për të ndryshuar kushtet politike dhe

ekonomike të vendit të origjinës, pra të Shqipërisë, duhet që subjektet që janë të prekura nga politikat abuzive të kenë peshën e tyre në vendimmarrje. I natyralizuari, mund të argumentojë dikush, e gëzon një komunitet dhe një hapësirë politike ku fiton identitetin e tij. Kësisoj për të vendimmarrja në proceset politike të shtetit shqiptar mund të mos jetë e një prioriteti parësor. Rezidenti nga ana tjetër ama, duke qenë se është gjendje e paplotësuar juridike, është në të njëjtën kohë potencialisht i rrezikuar të rrëshqasë në zonën e përjashtimit juridiko-politik (në rastin kur rezidenti zgjedh që në vend të kthimit në Shqipëri të qëndrojë ilegalisht dhe pa identitet në vendin pritës) por edhe përfitues potencial në rast natyralizimi. Në këtë rast, kur i çrrënjëzuari është anomali pa mundësi veprimi, ndërsa i natyralizuari është thjesht indiferent apo cinik, barrën e madhe të ndryshimit të kushteve politiko-ekonomike e ka rezidenti, pra shqiptari që e ka ruajtur identitetin e tij por që Shqipëria nuk i ka ofruar mundësi për pjesëmarrje në vendimmarrjen politike. Shqipëria është një shtet diasporak i një natyre të veçantë. Në asnjë vend tjetër nuk gjen një raport thuajse të barabartë midis votuesve brenda vendit dhe atyre që janë rezident në vende të tjera. Pra mërgata shqiptare, prej virtytit të të qenit e kërcënuar të rrëshqasë në ilegalitet dhe sigurisht prej virtytit të të qenit e madhe në numër, e ka të drejtën të marrë pjesë në vendimmarrje. Një mënyrë për të marrë pjesë është garantimi i së drejtës së votës për mërgatën. Konstitucionalisht, rezidenti shqiptar e gëzon të drejtën e votës. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pra përkatësisht Kreu III, Neni 45, "çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet". De jure, Kushtetuta e garanton të drejtën e votës për mërgatën sepse ajo nuk ka vendosur a priori kufij kohorë apo fizikë. De facto sidoqoftë, duke marrë parasysh kushtet reale në të cilat ndodhet rezidenti shqiptar, e drejta e votës së mërgatës është e pagarantuar. Rezidenti kësisoj i plotëson kushtet e përkatësisë komunitare dhe identitare vetëm atëherë kur i shkel trojet e vendit të tij brenda afateve të votimit. Argumentet kundër votës së emigrantëve janë të shumta dhe variojnë nga shkaqe logjistike në shkaqe të tjera të një natyre më politike. Sidoqoftë, as argumentat se është vështirë teknikisht të organizosh zgjedhje të lira, të drejta dhe të fshehta apo se mërgata është e tëhuajsuar nga aktualiteti politik nuk qëndrojnë. Përmirësimet në fushën e teknologjisë së komunikacionit e kanë zvogëluar hendekun e ndjeshmërisë politike midis mërgatës dhe Shqipërisë ashtu siç edhe kanë zgjeruar mundësinë për përmirësimin e teknikave të votimit. Mungesa e garantimit të së drejtës së votës vjen afërmendsh si pasojë e mungesës së një vullneti politik nga brenda Shqipërisë.


Pra në këtë mënyrë mund të përfundojmë duke thënë se argumentat se e drejta e votës i takon mërgatës për shkak të peshës ekonomike që ka në Shqipëri janë gjysmake dhe deri në një pikë të caktuar tendencioze nga politika shqiptare që do t‘a reduktojë statusin e emigrantit vetëm si subjekt ekonomik. Emigranti shqiptar e gëzon identitetin e tij vetëm kur është pjesë e komunitetit dhe sferës juridiko-politike. Pra kur është subjekt i mbrojtjes dhe ndëshkimit prej ligjit, aq sa është edhe subjekt i vendimmarjes mbi natyrën e ligjit. Mungesa e votës është mungesë përkatësie në komunitet dhe reduktim potencial i emigrantit në statusin e të çrrënjëzuarit, ndërsa vota është hapi minimal i përfshirjes dhe garantim i qëndrimit në një pozicion brënda-ligjor.

157 views0 comments
bottom of page