Nga: Bonald Përkola
Bonald Përkola
Agimi i njëzet e katër shkurtit nuk solli vetëm eklipsimin e qiellit ukrainas nga hordhia e artilerisë ruse, por dhe vdekjen e një gjysëm iluzioni europian. Kush mendon ende se ka kthim pas nuk e ka kuptuar akoma as kujën e nënave ukrainase që lanë bijtë e tyre pas dhe as fjalën e kancelarit gjerman mbi lindjen e një kohe të re. Një kohë e fundit të sparkatave diplomatike.
Që ndërhyrja barbare ushtarake në një shtet sovran shënjon fillimin e fundit të karrierës politike të Vladimir Putinit është e qartë. Dëshmi e këtij fundi është qëndresa e pashembullt e popullit ukrainas në rrënojat e Karkivit dhe Kievit.
Çizmet e suksesit rus janë të detyruara të shkelin në dy rrugë. Ose në likuidimin fizik të një pjese të madhe të popullsisë civile, ose në tejzgjatjen e konfliktit me fqinjin e tyre të papërkulshëm.
Në të dyja rastet, e vendosur me shpatullat pas murit prej kohezionit të paprecedentë të sanksioneve të rrepta ekonomike, ëndrra e Putinit për të pjellë një rend të ri botëror është e marrë fund. Fëmija i tij i lindur i vdekur mund të përkundet sidoqoftë ende në djepin e diskursit politik europian për të kuptuar se velloja e plakur e lëkundshmërisë diplomatike nuk i shkon më për shtat narrativës demokratike për drejtësi, liri dhe barazi.
Europa e kuptoi me shijen e hidhur te barutit se nuk mund të tregtojë më me sytë e lidhur dhe me duart e zgjatura. Ç‘do qindarkë e kursyer në orgjitë ekonomike me autokratët e çdo cepi të botës paguhet mbrapsht, madje shumëfish. Vendimi i qeverisë gjermane për t’a thyer përkorësinë e saj ushtarake duke investuar njëqind miliardë euro për ringjalljen e forcave mbrojtëse kallëzon se fuqia e topitur e vjetër europiane po përgatitet jo aq për të përballuar ariun prej letre të lindjes, por bash për të plotësuar boshësinë e pushtetit që rënia e këtij të fundit do të prodhojë në kontinent.
Rimilitarizimi historik i Gjermanisë është një fitore si e Pirros. Një fuqi militare që shëtit në kurriz të nje ekonomie të fuqishme do zbusë prezencën e Shteteve të Bashkuara në Europë. Në fund të fundit ky rimilitarizim i përgjigjet kërkesave të ndrojtura të zyrave diplomatike të aleatëve përtej oqeanit. Gjermania sidoqoftë është një gjigant që sheh me tjetër sy dhe ecën me tjetër ritëm.
Tjetër i shfaqet çështja shqiptare, e po tjetër manifestohen zgjidhjet për këtë çështje. Politika shqiptare e Tiranës dhe e Prishtinës duket se është ende e ngërthyer në lakun e gabimeve të vjetra. Trupi i saj lëkundet ose shumë para në megalomaninë hoxhiste të lidershipit global ose shumë mbrapa në provincializëm.
Ndërsa politika në Shqipëri është e shqetësuar të riprodhojë vetveten këtë fundjavë, në skenën e Ballkanit Perëndimor diplomacia serbe po luan aktin e saj të përhershëm. Duke përjashtuar puthadorazit Lukashenko dhe Dodik, qeveria e Vuçic po e shpërfaq vetveten sikur i përket një hapësire të pakohë dhe të patrajtshme.
Për Serbinë marshimi në Ukrainë nuk ekziston. Ashtu siç do t’i shkonte përshtat një distopie oruelliane, miqtë dhe armiqtë e saj shpiken dhe fshihen nga historia në varësi të interesave të saj shoviniste. Që prej ndërhyrjes së forcave perëndimore në luftën e Kosovës, shovinizmi serb nuk ka qenë kurrë kaq vetëm. Detyra e politikës shqiptare është t’a nxjerrë lakuriq pozitën e turpshme në të cilën Serbia ndodhet dhe t’a detyrojë atë t’i mbledhë këmbët në lindje ose në perëndim. Serbia duhet të zgjedhë.
Taktika e ambivalencës dhe shushatjes në çaste krizash të tilla morale tregon se Serbia nuk është e besueshme në tryeza negociatash dhe se synimi parësor i saj ka qenë dhe mbetet rikthimi në status quo-në e vjetër pansllaviste. Nëse diçka e tillë nuk ngjet, Serbia ose do t’i hidhet në qafë gjigantit të madh në ngjitje dhe do t’i namatisë një histori të paqënë, duke grumbulluar pas vetes të gjitha kancelaritë e nevojshme europiane për të ujdisur një marrëveshje që cënon integritetin territorial të Republikës se Kosovës, ose do bëhet vegël e dëshirave perverse të një ylli politik në rënie. Në rastin e parë Shqipëria do paguajë çmimin e hidhur, e të përsëritur historik të copëtimit të saj me heshtje, në rastin e dytë do t’a paguajë çmimin e naivitetit të saj me gjak.
Politika shqiptare në veri të Morinës deri më tash, përveç disa akteve simbolike, ka dështuar t’a emancipojë Serbinë me politikën e saj të reciprocitetit, ndërsa Tirana zyrtare paturpësisht drejtohet nga një politikë që beson në një Ballkan të hapur që qelbet në hipokrizi dhe frikë.
Comments