top of page

BISEDË ME VDEKJEN PËRBALLË - poezi nga Keti Dibra



Ti, vdekje, përse vonon

të shuash vuajtjen

por agonizon pa vramendje

kur shpejtësi veprimi lypset?


Drithërimë!


Je më e fshehtë se fshehtësia.

Trajtë pa përmbajtje.

E pabesë dhe e mefshtë.

Je vampir, por ndryshe, ti thith

frymë njeriu.


"Kam kohën e pakohë...

asgjë s'më ngut".


Ti s’ditke që agonia

kërkon me ngulm fundin?

Por ti je ligësia.

Je tërë zezona e kësaj bote.

Nëma e tërë rruzullit rëntë

përjetësisht mbi ty!

Ti, frikacake e pështirë,

që vjen si zvarranik

dhe kafshon viktimën.

Ti, hileqare e tinzare,

që nuk vepron siç duhet edhe

në çastin e fundmë të fatkeqit.

Kujt i trembesh ti,

që s'bën në kohë detyrën tënde?

Ti, vdekje, i trembesh vetë vdekjes,

ngaqë s’je e aftë të kryesh në kohë

misionin tënd.

Mëso pak nga jeta, e cila

dhuron e fal.

Fal dhe ti pa vonesë e ngurrim

qetësinë e përjetshme!

Por ti, ti i trembesh jetës

dhe si hajdute futesh

tek ajo me dredhi.

Ti nuk je asgjë!

Je tërë e keqja

që sjell vuajtje në kohëzgjatje.

Je shterpë.

Je errësira.

S’ke për ta njohur kurrë jetën

me tërë ngjyrat e saj,

prandaj kërkon ta zhvasësh

përdhunshëm e dhimbshëm atë,

që kurrë s’mund të bëhet jotja.


k.d.



164 views0 comments
bottom of page