top of page

ATI YNË QË JE NË QIEJ - Poezia e Pasolini-t është një version krejt origjinal i lutjes kristiane



ORIANA FALLACI PËR PASOLINI-N


Nuk ishe një njeri, ishe

një dritë, dhe një dritë

u shua.


PASOLINI PËRMBYSTE TABU


Poezia e Pasolini-t është një version krejt origjinal i lutjes kristiane,

është dëshpërimi i njeriut të mirë, të pakënaqur,me frikën dhe dyshimet e tij, që lëshon shumë “përse”.


ATI YNË QË JE NË QIEJ


Ati ynë që je në Qiej,

unë nuk kam qenë kurrë qesharak në tërë jetën time.

Kam pasë gjithnjë në sy një hije ironie.

Ati ynë që je në Qiej,

ja një bir yti që në tokë është átë...

Është në tokë, nuk mbrohet më...


Nëse ti e pyet, ai është i gatshëm të të përgjigjet.

Është gojëtar. Si ata që sapo kanë pasur

një fatkeqësi e janë përshtatur me fatkeqësitë.

Përkundrazi, ai ka nevojë të flasë:

aq më tepër që të flet edhe kur ti nuk e pyet.

Sa i kotë edukimi i mirë!

Nuk kam qenë as edhe njeherë i paedukatë në jetën time.

Kisha sjelljen të shkëputur nga realiteti dhe dija të heshtja.

Për t’u mbrojtur, mbas ironisë, kisha heshtjen.


Ati ynë që je në Qiej:

Jam bërë átë dhe grija e pemëve

pa lule e, tashmë, pa fruta,

grija e eklipseve, përmes teje,gjithnjë më ka mbrojtur.


Më ka mbrojtur nga skandali, nga dhënia

të tjerëve, fuqinë time të humbur.

Në fakt, Zot, unë nuk kam dhënë kurrë as hijen e skandalit.

Isha i mbrojtur nga të zotëruarit tim dhe eksperienca

e zotërimit, më bënte , pikërisht,

ironik, të heshtur dhe, së fundi, të paprekshëm si áti im.

Tani Ti më ke lënë.

Ah, ah, e di mirë çfarë kam ëndërruar

atë mbasdite të mallkuar! Të kam ëndërruar Ty.

Ja përse ka ndryshuar jeta ime.

E atëherë meqë të kam Ty,

çfarë t’i bëj frikës së përqeshjes?

Sytë e mi janë bërë dy të çuditshëm dhe lakuriq,

fanarë të shkretëtirës time e të mizeries time.


Ati ynë që je ne Qiej!

Çfarë të bëj me edukimin tim të mirë?

Do të bisedoj me Ty si një plakë, o si një punëtor

i varfër, që vjen nga fshati i katandisur gati lakuriq

nga përgjegjësia e katër monedhave që fiton

e që ia jep gruas, duke ndenjur për vete pa gjë,

si një djalë i ri, megjithëse në tëmtha thinjur

e pantallonat e gjera në gri, si të njerëzve të plakur...


Do të fjalosem me mungesën e turpit

të njerëzve të dobët, që i do shumë.

Je i kënaqur? Të besoj dhimbjen time;

e jam këtu duke pritur pergjigjen Tende

siç pret një mace e mirë dhe e mjerë mbetjet,

nën tavolinë.Të vështroj, të vështroj i fiksuar,

si një fëmijë i trullosur e pa dinjitet.


Emri i mirë, ah, ah!

Ati ynë që je në Qiej,

çfarë të bëj me edukatën e mirë e me fatin

- që dukej një me trupin tim dhe sjelljen time-

për të mos bërë që, për asnjë arsye në botë, të flasin për mua?

Çfarë të bëj me këtë person

kaq mirë të mbrojtur kundër të papriturave?


Pier Paolo Pasolini


Perktheu Keti Dibra


28 views0 comments

Komentáre


bottom of page