Nga Denata Rroji
Solange d’Angely është e bija e francezit Robert d’Angely, i cili si të ishte një rilindas shqiptar i vërtetë iu përkushtua gjuhës shqipe. Robert d’Angely u martua me vajzën shqiptare që quhej Maria. Ajo ishte e bija e doktorit Josif Bënja nga Përmeti dhe fruti i dashurisë së tyre ishte Solange d’Angely.
Në moshën 20 vjeçare, Solange u diplomua në degën “fizikë-kimi-biologji” në Fakultetin e Shkencave në Paris dhe më 1953 ajo u regjistrua në vitin e parë në Fakultetin e Mjekësisë në Paris; falë rezultateve të shkëlqyera fitoi bursë studimi. Më 26 tetor 1965 ajo përfundoi me sukses Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Parisit me statusin e specialistit në pediatri. Më 8 qershor 1966, ajo mbrojti tezën mbi “Apneat e foshnjave të parakohshme” dhe fitoi diplomën shtetërore të doktorit të mjekësisë.
Më 15 qershor 1971, Dr. Solange d’Angely erdhi në Shqiperi me nënën e saj, Maria Bënja, e cila u kthye për herë të parë në vendin e saj të lindjes, të cilin ajo nuk e kishte parë që nga viti 1924. Nënë dhe bijë u prekën shumë nga situata e Shqipërisë së asaj kohe. Por vetëm në vitin 1991, me rënien e diktaturës komuniste, Dr. Solange d’Angely vendosi të rikthehej me ide të qarta, me një përkushtim prej idealisteje për t'i dhuruar vendit amë energjinë e saj të mbledhur ndër vite, ne drejtim te ndihmës mjekësore për të cilën kishin shumë nevojë veçanërisht fëmijët e vegjël të sëmurë.
Në vitin 1991, ajo themeloi shoqatën e parë humanitare, e cila u quajt “Bashkëpunimi Arsimor dhe Mjekësor për Fëmijët e Shqipërisë” me akronim CEMPEA. CEMPEA synonte të jepte kontribut në fushat e shëndetit, arsimit dhe trajnimit, për të përmirësuar kushtet e jetesës së fëmijëve në Shqipëri. Po në këtë vit, Dr. Solange d´Angely organizoi “Ditët e para Pediatrike Franko-Shqiptare” në Tiranë, nën mbikëqyrjen e Këshillit të Europës dhe në bashkëpunim me pediatrinë shqiptare si dhe me ndihmesën pa kufi të atasheut të kulturës në Ambasadën Franceze në Tiranë, zonjës Evelyne Noygues .
D´Angely, shumë shpejt u bë aktorja kryesore në organizimin e kongreseve pediatrike, të cilët ndoqën njëri -tjetrin ne vitet 1992-2007, për të promovuar mjekësinë, forcuar shkëmbimet mes kolegëve francezë me ata shqiptarë. Gjithashtu CEMPEA, në drejtimin e Dr. Solange d´Angely, në vitet 1992-1996, arriti të mblidhte e bashkonte energjitë e partnerëve të shumtë për të shpërndarë ndihma humanitare, me ilaçe dhe pajisje mjekësore, rroba dhe qumësht, për fëmijët. Kjo grua e fuqishme, me një personalitet të admirueshëm dhe të besueshëm, që kishte krijuar ne shoqërinë e lartë franceze, në rrethet intelektuale, te profesorët e mjekësisë si dhe në rrjetet administrative, kjo grua me zemër të madhe, organizoi pritjen e fëmijëve shqiptarë në Spitalin e Parisit, për vite të tëra, ne periudhën 1993-2004, për kujdes të specializuar që nuk mund t’u ofrohej në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, vizionarja Dr. Solange d´Angely, nëpërmjet CEMPEA, vakuumin e mungesës së specialiteteve në mjekësinë shqiptare arrin ta plotësojë duke siguruar mundësi trajnimi të disa pediatërve shqiptarë në Francë, në fushat e gjenetikës molekulare dhe të biologjisë, reumatologjisë, pediatrisë dhe imunologjisë. Ndër arritjet e saj më të mëdha, që mjekësia dhe populli shqiptar e kujton gjithnje me nderim, është se siguroi mbështetjen vendimtare për ekzaminimin që në paralindje të diagnozës së beta-talaseminës, sëmundjes gjenetike që prek 10% të popullsisë në Shqipëri, si dhe arriti në bashkëpunim me autoritete shqiptare të përurojë të parin laborator të biologjisë molekulare dhe gjenetikës, brenda qendrës spitalore universitare (CHU) “Nënë Tereza” në Tiranë në vitet 2005.
Kontributi madhor i Dr. Solange d´Angely nuk njohu pengesa, as kufij ndarës mes trojeve shqiptare. Nga viti 2007 ajo udhëhoqi projektin në mbështetje të fëmijëvë nga Shqipëria dhe Kosova me patologji komplekse, duke u mundësuar prindërve të tyre të merrnin shërbim të specializuar nga profesionistë francezë të kujdesit shëndetësor.
E emëruar në Gazetën Zyrtare franceze më 1 Janar 2010 nga Profesor Gérard Lenoir, Dr. Solange d’Angely u dekorua me Kryqin e Kalorësit të Legjionit të Nderit të Francës më 5 maj 2010, për nismat e saj qytetare në fushat e shëndetësisë, arsimit, aksionit social dhe humanitar.
Asnjë nga presidentët shqiptarë nuk u kujtua t'i akordonte kësaj misionareje të shquar ndonjë dekorate mirënjohjeje, porse të gjithë ne i përkulemi kësaj zonje të klasit francez e me zemër shqiptare, tani 88-vjeçare.
Solange d’Angely të shijojë pushimin e merituar, e rrethuar nga familja e miqtë dhe me mirënjohjen tonë të thellë, por të paplotsuar deri më tani institucionalisht.
Comentários