top of page

Kombi virtual

Updated: Sep 20, 2022

Parid Turdiu: "Para disa kohësh kam ngritur tezën e kombit shqiptar të sotëm si një komb virtual e global i cili ekziston i plotë, jo edhe në rrjetet sociale, por kryesisht në rrjetet sociale, - një komb tashmë pa një territor të përcaktuar për shkak të emigrimit kapërthyes, por me një bazë territoriale në Shqipëri, të ngjashëm me kombin hebre. Domosdoshmëria e votimit te vertete - ELEKTRONIK ONLINE - të Diasporës në zgjedhjet politike të Shqiperise perputhet me kete realitet."



Emigracioni i ri rus


Askush nuk e di saktësisht se sa njerëz janë larguar nga Rusia që nga fillimi i luftës. Vlerësimet variojnë nga 150,000 në 300,000. Rreth 50,000 mendohet se janë vendosur në Gjeorgji, një fluks i papritur dhe mjaft i madh për të rritur qiratë lokale. Nuk kanë rëndësi vetëm numrat, por kush janë emigrantët. Kjo diasporë përbëhet kryesisht nga njerëz të rinj, të mirëarsimuar, të ndërgjegjshëm politikisht, aktivë, të artikuluar dhe të shkathët – me fjalë të tjera, nga elita intelektuale e Rusisë. Të mërguarit kanë marrë me vete zakonet e tyre, rrjetet e tyre, aftësinë e tyre për t'u vetëorganizuar dhe vlerat e tyre. Kjo do të ketë efekte të thella, si në vendin që ata kanë lënë pas, ashtu edhe në vendet ku janë vendosur.


Shumica e të mërguarve rusë në Tbilisi u larguan nga Rusia në dy javët e para të luftës. Ata ikën sepse kishin frikë dhe sepse ndiheshin të mbytur nga jeta nën një regjim që nuk toleron mendim ndryshe. Ndonese ne dukje ikja e tyre qe spontane dhe emocionale, ishte gjithashtu pjesë e një “operacioni special” të Kremlinit. Duke përhapur thashetheme për arrestime të afërta ose rekrutim në ushtri dhe duke dërguar banditë për të ngacmuar aktivistët dhe gazetarët, regjimi i dëboi nga vendi ata që kundërshtonin publikisht luftën.


Disa u transferuan nga firmat ku punonin, të tjerët me forcat e veta. Një studim i emigrantëve të fundit tregoi se rreth një e katërta e atyre që u larguan u vendosën në Gjeorgji. I njëjti numër shkoi në Stamboll dhe 15% përfunduan në Armeni. (Këto vende nuk kërkojnë viza për shtetasit rusë.) Gati gjysma e tyre punonin në informatikë, sipas një sondazhi të kryer në mars; 16% ishin menaxherë të lartë; 16% në art dhe kulturë. Vetëm 1.5% e emigrantëve kanë mbështetur ndonjëherë partinë "Rusia e Bashkuar" e Putinit.


Të mërguarit e sotëm nuk janë rusët e parë që kanë ikur jashtë vendit përballë sundimtarëve represivë. Njëqind vjet më parë, gjatë revolucionit rus, shumë aristokratë, ushtarë të Ushtrisë së Bardhë antikomuniste dhe përfaqësues të inteligjencës u larguan për shkak të luftës civile që pasoi revolucionin bolshevik. Ashtu si pasardhësit e tyre një shekull më vonë, ata shkuan në Tiflis dhe Konstandinopojë (Tbilisi dhe Stambolli i sotëm).


Edhe pse Rusia e sotme nuk është e përfshirë në luftë civile, agresioni i saj në Ukrainë ka prekur familjet. Debatet kanë ndarë vëllezërit nga motrat dhe fëmijët nga prindërit. Kohët e fundit, një tension mezi i dallueshëm, por gjithsesi i vërtetë, po rritet midis atyre që u larguan nga Rusia dhe atyre që qëndruan, sado të ngjashme qëndrimet e tyre në lidhje me luftën. Pas fasadës së qetësisë dhe energjisë midis emigrantëve qëndron dhimbja e jetëve të thyera dhe shtëpive të lëna me nxitim.


Shumë prej tyre e shohin situatën si të përkohëshme dhe vazhdojnë të mbështesin veten duke dhënë me qira apartamentet e tyre në Rusi. (Fluksi i parave nga Rusia në Gjeorgji është dhjetëfishuar.)


Disa nga ata që ikën në javët e para të luftës dhe që nuk janë nën kërcënimin për t'u arrestuar, madje janë kthyer përkohësisht në Rusi, për të parë prindërit ose për t'u kujdesur për çështje personale. “Është ndjenja më e çuditshme. Kthehesh prapa dhe gjithçka duket saktësisht e njëjtë – i njëjti dentist, të njëjtat dyqane, të njëjtat restorante – por gjithçka ka ndryshuar”, thotë një vajzë që sapo u kthye nga Moska. "Fasada e një qyteti evropian me taka të bukura është ende aty, por ajo është boshe."


"Është heshtja dhe mungesa e ndonjë shenje të hapur të luftës ajo që është më e padurueshme", shton ajo. Ndryshe nga refugjatët e Ukrainës, shumë prej të cilëve zgjedhin të kthehen në shtëpitë e tyre sapo e konsiderojnë situatën disi të sigurtë, të mërguarit rusë mendojnë se nuk kanë më një vend ku të kthehen dhe përpëliten për të përcaktuar se çfarë do të thotë me të vërtetë "Rusi". "Ne kemi identitetin tonë dhe lidhjet tona shoqërore, por jo një vend tonin," thotë një sociolog. "Jemi emigrantë deri sa të jetojë Putini."


Kombi Virtual


Disa të mërguar flasin për krijimin e një shtetkombi virtual, ku strukturat shoqërore mund të ndërtohen të pavarura nga çdo formë qeverisjeje apo edhe vendndodhje gjeografike. “Rusia nuk ka të bëjë me gjatësinë dhe gjerësinë gjeografike. Diaspora ruse është intelektualisht e fortë, e motivuar dhe e ngarkuar emocionalisht, kështu që padyshim do të mbijetojë”, thotë nje shkrimtar. "Dhe ne kemi mësuar të jetojmë pa shtet."


Shpresa e tyre është se interneti dhe energjia e tyre do t'i lejojë të ruajnë praninë e tyre në të njëjtën hapësirë ​​informacioni si bashkëmoshatarët e tyre që qëndruan prapa. Të paktën tani për tani, ka ende vrima në regjimin rus të censurës. YouTube është ende i disponueshëm. Softueri VPN, i cili mund të maskojë faqet e internetit që një përdorues viziton, i jep akses në botën e jashtme atyre qe marrin vesh nga teknologjia. Organizatat e pavarura të medias si Meduza dhe TV Rain kanë zbarkuar në Riga, kryeqytetin e Letonisë, dhe kanë zhvendosur operacionet e tyre në internet.


Një rabin izraelit i lindur dhe rritur në Rusi, sheh paralele midis një ideje të tillë dhe përvojës së hebrenjve, të cilët arritën të mbanin gjallë një kulturë të veçantë për mijëra vjet. Arsyet pse hebrenjtë arritën të ruanin identitetin e tyre, shpjegon ai, ishte se ata vendosën lirinë intelektuale dhe librat, jo tokën, në qendër të ndërgjegjes së tyre kombëtare.


“Gjeografia është një shënues i rëndësishëm i identitetit kombëtar, por identiteti është dinamik dhe mund të lulëzojë vetëm nëse pasurohet me kuptime të reja,” vazhdon ai. “Nëse elita intelektuale ruse arrin të fokusohet në mënyrën si të mbijetojë në një realitet të ri dhe si duhet konceptuar “Rusia e mrekullueshme e së ardhmes” - një term i krijuar nga Alexei Navalny, - mund të kompensojë të paktën pjesërisht humbjen e atdheut të tyre.”


Vala aktuale e emigrimit ka një slogan - Poka Putin Zhiv, ose "Ndërsa Putin është gjallë". Askush nuk e di se sa do të zgjasë, megjithëse koha është sigurisht në anën e emigrantëve. Shumica janë në të 20-at dhe 30-at ndërsa Putini mbush 70 vjet më vonë këtë vit. Por pavarësisht optimizmit të tyre, nuk është e sigurtë që ata do të kthehen ndonjëherë. Është edhe më pak e sigurtë se si do të jetë Rusia kur të përfundojë lufta.


The Economist

Comentarios


bottom of page