top of page

Receta e lumturisë

Interviste nga Enzo Biagi me Osho Rajneesh

Pyetje: Cila ësht receta jote për të qenë të lumtur?

Çdo fëmijë lind i pafajshëm dhe i mrekullueshëm. Por pastaj ndodh diçka dhe tërë ata fëmijë të mrekullueshëm humbasin: pafajësia e tyre shkatërrohet. Tërë lumturia e tyre transformohet në dëshpërim. Vështroje një fëmijë që mbledh guacka në plazh: është më i lumtur se njeriu më i pasur i botës.

Pyetje: Cili është sekreti i tij?

Ai sekret është dhe imi. Fëmija jeton çastin e tashëm, kënaqet me diellin, ajrin e njelmët të plazhit, shtrirjen e mrekullueshme të rërës. Është këtu dhe tani. Nuk mendon për të shkuarën, nuk mendon për të ardhmen. Dhe çdo gjë që bën, e bën me gjithçka, intensivisht; është kaq i përthithur sa harron çdo gjë tjetër. Sekreti i lumturisë është i gjithi këtu: në çdo gjë që bën, mos lejo të shkuarën të hutojë mendjen dhe mos lejo të ardhmen të të shqetësojë. Sepse e shkuara nuk ekziston më dhe e ardhmja nuk ekziston ende. Të jetosh në kujtime, të jetosh në imagjinatë do të thotë të jetosh një jetë jo ekzistente dhe duke jetuar jashtë të ekzistuarit, të ikën ajo çka është ekzistenca. Do të jesh pashmangshëm i palumtur, sepse për tërë jetën do të lësh të të ikë vetë jeta. Humbet çast pas çasti, por jeta nuk të jep dy çaste njëkohësisht: të jep vetëm një, herë pas here! Dhe ai çast mund të jetohet ose mund ta lësh të të ikë. Ka dy mënyra për ta bërë që të ikë: o ta lemë të rëndohet nga e shkuara, ose e bëjmë të tërhiqet nga e ardhmja ... dhe çasti zhduket! Lemë të na ikë ajo që është reale duke dëshiruar atë që nuk është reale: palumturia njerëzore është e gjitha këtu. Unë mundohem të ndihmoj miqtë e mi të kuptojnë vetëm një gjë: jeto të tashmen. Në këtë çast, tani, nuk ekziston palumturia, as vuajtja, as ankthi. Nëse i largohesh së tashmes, hyn në një botë joreale ... dhe jorealja do të jetë në mënyrë të pashmangshme burimi i palumturisë. Realiteti është ngazëllues dhe mënyra e vetme për t’u lidhur me realen është të mos lihet të ikë çasti i tashëm. Nëse e njeh shijen, nëse edhe një herë të vetme ke shijuar çfarë provohet të jesh në të tashmen - nganjëherë, ndërsa sheh një agim o një perëndim, ji thjeshtësisht i tanishëm, kështu mund të provosh shijen - do të habitesh, por do të zotërosh përgjithnjë çelësin që të fut në realen. Një çelës universal, që mund të hapë të gjitha dyert e misterit të jetës, të ekstazës së saj e të bukurive të saj. Nuk do keni nevojë për një Jesu Krisht që t’ju çojë në parajsë; jeni në gjendje të jeni në parajsë këtu dhe tani. Sepse parajsa nuk është në ndonjë anë në lartësi të qiejve. Është këtu, diku rrotull. Më kujtohet një ateist që në sallonin e tij kishte shkruar frazën që përmblidhte filozofinë e tij: “Zoti nuk është në asnjë vend (nowhere, në anglisht)”. Dhe të gjithë ata që shkonin ta takonin nuk mund t’i shmangeshin shkrimit, arsye për të cilën nga aty niste çdo diskutim ... një ditë ateistit i lindi një fëmijë, që u rrit deri në moshën kur mësohet të rrokëzosh. Një ditë fëmija ishte ulur në prehërin e të jatit, u tërhoq nga shkrimi në mur dhe filloi të lexojë. Arriti të lexojë “Zot”, por “nowhere” ishte një fjalë shumë e gjatë. Prandaj e ndau në dy pjesë dhe lexoi: “Zoti është këtu tani”, (“now here” në anglisht). I jati u shqetësua, nuk e kishte menduar kurrë atë mundësi leximi ... e pra që filozofia e tij prej ateisti u copëtua. Filloi të mendojë për ndërlikimet e asaj, këtu dhe tani. Në këtu dhe tani nuk do të gjesh Zot, por diçka më të madhe: do të gjesh një përmbajtje hyjnore. Ky është termi që cakton eksperienca supreme e lumturisë. Kujto ato dy fjalë: këtu dhe tani, dhe do të njohësh sekretin e lumturisë më të lartë. Nuk ka ekzistuar kurrë sekret tjetër, as do të ekzistojë kurrë një tjetër. Kjo është e gjitha. Dhe është shumë e thjeshtë, lehtësisht e kapshme për çdo qenie njerëzore. Nuk është nevoja të pjesëmarrësh në një kishe o në një organizatë. Nuk duhet të mbash me vete një Bibël të shenjtë, Veda-n, Gita-n o Kuranin. Duhet vetëm të kuptosh mendjen tënde dhe funksionet e saj, si vepron. Mendja nuk është kurrë në të tashmen, ndërsa koha eshtë gjithnjë e tanishme; për këtë mendja dhe koha nuk takohen kurrë. Ja ku është tragjedia: në çdo çast të ikën treni e do vazhdosh ta humbësh për tërë jetën. Një mistik i madh ishte duke vdekur. Dishepujt e tij që i ishin pranë e pyetën: “Mjeshtër, cili është mesazhi yt i fundit?” Mjeshtri, në castet e fundit, hapi sytë dhe drejtoi gishtin te çatia e kasolles së tij. Një ketër ishte duke luajtur. Dishepujt vështruan lart dhe për një çast qe një heshtje absolute. Mjeshtri tha:”Ky është mesazhi i tërë jetës time. Jeto çastin. Është e mrekullueshme të dëgjosh ketrin që luan mbi çati, pa u shqetësuar për gjë tjetër “. Dhe shtoi: “Tani mund të vdes dhe vdiq me buzëqeshjen ne buzë, fytyrën e mbushur me lumturi. Deri në çastin e fundit mesazhi i tij qe: Ji këtu dhe tani .

Ky është dhe mesazhi im. Perktheu Keti Dibra


114 views0 comments

Comments


bottom of page