top of page

Pasolini shkruan për vetminë. Lindim vetëm, vdesim vetëm, shpesh ndjehemi vetëm edhe mes një turme

Updated: Mar 17, 2022



VETMIA


Duhet të jemi shumë të fortë

që ta duam vetminë; duhet të kemi këmbë të forta

dhe një rezistencë të pazakontë,

nuk duhet te sëmuremi,

nuk duhet të trembemi nga hajdutët, vrasësit, nëse na qëllon

të ecim per tërë mbasditen, o ndoshta për tërë mbrëmjen,

duhet të dish ta bësh pa e ndërmendur; nuk ka vend për t’u ulur,

veçanërisht dimrit; me erën që rreh barin e lagur

e me gurët mes plehrave të lagështa e të baltosura;

nuk ka asnje rehati dhe s’ka pikë dyshimi,

përveç asaj që ke përpara tërë një ditë e një natë

pa detyrime, o limite të çfarëdo lloji.


Seksi është një pretekst. Për aq sa janë takimet

- edhe dimrit, rrugëve të braktisura në erë,

mes mbeturinave të përhapura përballë pallateve në largësi,

ato janë shumë - nuk janë veçse çaste vetmie;

më i ngrohtë e i gjallë është trupi i hijshëm

që lyen me farën dhe ikën,

më ftohtë e frikshëm është përreth shkretëtirës së shtrirë;

është ai që mbush me gëzim, si një erë e mrekullueshme,

jo qeshja e pafajshme, o prepotenca e turbull

e atij që mandej ikën; ai merr pas një rini

tepër të re;dhe në këtë është jonjerëzor,

sepse nuk le gjurmë, ose më mirë, lë vetëm një gjurmë

që është gjithnjë e njejta në të gjitha stinët.


Një djalosh në dashuritë e tij të para

nuk është tjetër veç fekondimi i botës.

Dhe bota, kështu, vjen me të; shfaqet e zhduket,

si një formë që ndryshon.Rrinë të pandryshuara të gjitha gjërat,

dhe ti mund të përshkosh gjysmën e qytetit, nuk do ta rigjesh më;

akti është kryer, përsëritja e tij është një rit. Pra,

vetmia është akoma më e madhe nëse një turmë e tërë

pret turnin e tij: rritet kështu numëri i të ikurve -

të largohesh është të ikësh - dhe ajo që vjen mbrapa kërcënon të tashmen

si një detyrim, nje sakrificë për t’u kryer me dëshirën e vdekjes.


Por duke u plakur, lodhja fillon e ndihet,

veçanërisht në çastin kur sapo ka kaluar ora e darkës,

dhe për ty nuk ka ndryshuar asgjë: atëherë, per një grimë nuk ulërin o qan;

dhe kjo do të ishte shumë nëse nuk do të ishte, pikërisht, vetëm lodhje,

dhe ndoshta pak uri. E madhe sepse do të thotë

që dëshira jote e vetmisë nuk do te mund të përmbushej më

e atëherë çfarë të pret nëse kjo, që nuk është konsideruar vetmi

është vetmia e vërtetë, ajo që nuk mund ta pranosh?

Nuk ka darkë, o drekë, o kënaqësi në botë,

që vlen sa një ecje pa fund nëpër rrugët e shkreta

ku duhet te jemi fatshkretë e të fortë, vëllezër të qenve.

Pier Paolo Pasolini

Perktheu Keti Dibra



25 views0 comments

Kommentare


bottom of page