"Kjo Dashuri"
Kjo dashuri
Kaq e rrëmbyer
Kaq e brishtë
Kaq e njomë
Kaq dëshperuese
Kjo dashuri
E bukur si dita
E keqe si koha
Kur prishet
Kjo dashuri kaq e vërtetë
Kjo dashuri kaq e bukur
Kaq e lumtur
Kaq e gëzueshme
Kaq tallëse
E trembur nga frika
si fëmia në errësirë
Kaq e sigurtë në vete
Si njeriu i qetë në zemrën e natës
Kjo dashuri që frikësonte të tjerët
E që i bënte të flisnin e te zbeheshin
Kjo dashuri e spiunuar
Sepse ne e spiunonim
E persekutuar, plagosur, shkelur
përjashtuar, mohuar, shuar
Sepse ne e kemi përndjekur, plagosur
shqelmuar, përjashtuar, mohuar, harruar
Kjo dashuri e tëra
Kaq e gjallë ende
E tëra e diellësuar
Eshtë dashuria jote
Është dashuria ime
Është ajo që ka qenë
Kjo gjë gjithnjë e re
Që nuk ka ndryshuar kurrë
E vërtetë si një bimë
Drithëruese si një zog
E ngrohtë, e gjallë si Vera
Ne mundemi të dy
Të shkojmë e të kthehemi
Të harrojmë
E mandej të flemë përsëri
Të zgjohemi, të vuajmë, të plakemi
Të përgjumemi ende
Të ëndërrojmë vdekjen
Dhe të rinohemi
Dhe zgjuar të buzëqeshim e qeshim
Dashuria jonë nuk lëviz
Kokëfortë si mushkë
E gjallë si dëshira
E pamëshirshme si kujtesa
Budallaqe si keqardhja
E butë si kujtimi
E ftohtë si mermeri
E bukur si dita
Delikate si fëmia
Na sheh duke buzëqeshur
Na flet pa thënë asgjë
Dhe unë e dëgjoj duke u dridhur
Dhe thërras
Thërras per ty
Thërras per mua
Të përgjërohem
Për ty për mua për të gjithë ata që duhen
E që janë dashur
Oh, po, i thërras
Për ty, për mua, për tërë të tjerët
Që nuk njoh
Rri aty ku je
Mos u largo
Rri aty ku ishe njeherë
Rri aty ku je
Mos lëviz
Mos ik
Ne që jemi dashur
Ne të kemi harruar
Ti mos na harro
Nuk kishim veç ty mbi tokë
Mos na lër të bëhemi akull
Edhe pse shumë larg
Dhe s’ka rëndësi ku
Na jep një shenjë jete
Shumë më vonë në skaj të pyllit
Në pyllin e kujtesës
Ngrihu shpejt
Na shtrij dorën
E na shpëto.
Përktheu Keti Dibra
Kush ishte Shën Valentini: Lindi ne Terni (Itali), në vitin 176. Një ndër legjendat që e lidhin Shen Valentinin me te dashuruarit është se ai qe i pari prift që celebroi bashkimin ndërmjet një legjionari pagan dhe një vajze kristiane. U persekutua nga perandori Aureliano, u arrestua dhe u vra më 14 shkurt 273. Me 496 Papa Gelasio e shpalli martir dhe mbrojtësin e të dashuruarve. Dhe duke zbritur ne shekuj deri në ditët tona, në të gjithë botën, data 14 shkurt festohet si dita e të dashuruarve.
Jacques Prévert
Kommentare