top of page

NË HAPËSIRËN E KUJTESËS DHE TË PËRHUMBJES nga Keti Dibra


... Shkodër. Qyteti im i lindjes. Isha pak më shumë se një vjeç, por e kujtoj atë ditë kur, në krahët e nënës, qaja me thirrma nga dhimbja e fortë e gishtit tim vocërrak, të aksidentuar ne kuzhinen e shtepisë ku banonim. Ishin vite të vështira. Burri i shtëpisë mungonte, “mbyllur” forcërisht, diku.

...Në Rrugën e Kavajës, pranë Radio Tiranës së vjetër, altoparlanti jepte lajmin e vdekjes së Stalinit. Unë, e vogël, kisha rendur për në shtëpi, që të jepja lajmin!


... Nëna, e sëmurë, do të kapërcente rrezikun e paralizës. Fati dhe kujdesi i të shoqit e shpëtuan.


... Në netët e njëllojta të dimrit, përreth nënës, dëgjonim e ndërtonim, me fantazinë e ushqyer, personazhet dhe ngjarjet e sa e sa romaneve të treguara aq bukur prej saj.


... Bashkë me kushërinjtë do të kalonim muajt e nxehtë të verës në Shëngjin. Atje do dëgjoja serenatat, relike të së shkuarës dhe xhaxheshën që i shfrynte zhurmëtarëve.

... Dunat e rërës! Gjurmët e këmbëve tona mbeteshin, për t’u prishur nga era që sillte e tubonte pa reshtur tërë atë pafundësi kokërrizash. Ishim të rinj, ndaj mbusheshim lehtë me gëzim e shijonim çdo gjë, që edhe shkarazi na ngacmonte.

Të shpenguar shkelnim qoshet e pakta që na ofronte qyteti i varfër bregdetar, ndërsa plazhi zvogëlohej përdhunshëm nga “ zonat kufitare “ të sajuara, për të ndrydhur qëllimshëm njeriun deri në frymëmarrje të ankthësuar. Ne i rrëmbenim ç’të mundnim detit e rërës.


... Në pikun e ditës, rërë përvëluese mbulonte tim atë, që me vullnet të paparë , kurohej nga reumatizma. Stoik në prishaqejfe, por kurrë s’i qe dëgjuar një fjalë e rëndë. Me bujari u mësoi nxënësve të tij teorine dhe praktiken ne stomatologji. Dikush do të më kërkonte ndonje studim të tij, për të mbrojtur tituj.

...Jeta vazhdonte me veshtirësi të gjithfarta, por barrën e tyre e mbanin prindët të cilët pak na bënë hisetarë. Ata e dinin se me pas do të vinte radha jonë, ndaj na kursyen.


... Shtëpia ku banuam në Tiranë, me ballkonin e gjerë në ballë dhe manjolën madhështore në brinjë. Së jashtmi mashtruese, brenda e pamëshirshme për të thithur energjitë e nënës. Korridori i madh na mblidhte me kushërinj e miq, për të na shpërndarë sërish më pas.


... Familjarët e nënës shtëngoheshin bodrumesh. Atje kisha parë të nxirrej me kova uji përmbytës. Aty, shpërndarë, shihje libra gjithfarë e në një kënd, rrinte edhe një kokë e vogël e Dantes, në bronx. Në atë strehë më parasyshen daja, tezet dhe gjyshja, që s’i dëgjohej kurrë ankesa.


...Jeta është luftë, kisha dëgjuar babagjyshen të thoshte. Por unë, atëherë habitesha me thënien e saj! Kishte kaluar periudha të një jete shumë të veshtirë, gjyshja.


... Jeta fluturonte dhe ne, tri motra, të madhuara, do të fillonim një jetë tjetër, shkëputur nga vatra prindërore. Do përjetonim me radhe, "ritualin" e levizjeve të detyruara, që të impononte sistemi i atëhershëm.

Unë,me familjen time, do shpërngulesha në Fier. Katërmbëdhjetë vite në atë qytet, vite që do të mblidheshin e hiqeshin nga jeta ime. Aty do të pushonin vite mangësie e përvoje.


... Koha cingune kishte filluar te merrte haraçin. Në një ditë maji do të largohej papritur im atë. Një ditë më parë, bashkë me nipin e vogël, i kishte sjellë nënës tufën e fundit të luleve. Kisha udhëtuar tërë natën me një fjollëz shprese, që s’di si, mendjeçartur rrëmbeva.


... Rikthimi në Tiranë do të shënonte 43 vite tek unë. Kishte lënë jetë, që vogëlonte jetën time.

Më në fund erdhi përmbysja e ëndërruar. Filloi ethja e largimit,

filloi boshimi i

Shqiperisë!


...E shkuara kapërcen në mendim, pasi ka rënduar diku. E tashmja lëkundet. E ardhmja eshtë pasiguri.

Koha mbledh vazhdimisht dhe gjendemi përballë humbjesh. Nuk dua të numëroj dhimbjet. Kështu është jeta! Sa me shume rreshtohen humbjet, aq me teper rëndon vetmia. Dhe, në një kohë pa permbajtje, kur njeriu fillon e mbledh vite, nuk mund te mos mendojë.


...Shumë e përshkojnë tërë udhën e gjatë të gjalljes, të tjerë s’arrijnë deri në fund e ndokush, kur kthen pas, sheh se ka kapërcyer disa nga hallkat e rëndësishme të zinxhirit jetë.


k.d.

334 views0 comments

Comentarios


bottom of page