top of page

Mbi natyrën e tribalizmit shqiptar. Sprovë për bashkim.

Nga: Bonald Përkola


Në rrjedhën e shkrimit të mëparshëm (kliko këtu) mbi ndikimet e dhunës mitike në prodhimin e zakonit të bindjes në shoqërinë shqiptare, lypet nevoja t’i drejtohemi anës tjetër të problematikës.


Ndërsa bindja është modus operandi i thuajse të gjithë trupës shoqërore, zgjidhja pët t’i shpëtuar asaj manifestohet në forma të ndryshme, por ama prej të njëjtit burim.

Kësisoj në këtë shkrim vëmendja nuk është më te aktorët politik, qofshin këta të brëndshëm apo të jashtëm por te qendra e reagueshmërisë. Te natyra e saj.


Ashtu si në ndodhinë e 8 janarit edhe tërheqja zvarrë e banorëve të “Lagjes 5 Maji” është simptomë e së njëjtës “sëmundje” shoqërore që shpeshherë, sipërfaqësisht, mbase edhe me qëllimshmëri, i referohemi si tribalizëm. Prej virtytit të lëkundshmërisë së këtij termi do duhet fillimisht të skicohet korniza e kuptimit, në mënyrë që të arrihet në përfundimin se ç’e sjellë atë në jetë.


Tribalizmi afërmendsh mund të kuptohet në disa forma.


Së pari mund të njësohet me dyfaqësinë ideologjike që mendohet se karakterizon sferën politike aktualisht në Shqipëri. Thënë ndryshe, shqiptarët shihen të ndarë në boshtin klasik midis së majtës post-moderne, që mbart në gji figura dhe retorikë hoxhiste dhe së djathtës.

Kjo e fundit herë flirton me konservatorizmin, herë i hidhet në qafë liberalizmit dhe në raste emergjente e gjen veten në shtrat me nacionalizmin.

Shpeshherë kjo ndasi shoqërohet me një fragmentarizim tjetër gjeografik ku e djathta shihet e përfaqësuar nga një elektorat verior nacionalist, ndërsa e majta nga një mbështetje jugore simpatizante ndaj regjimit të së shkuarës.

Nuk do fort mund për t’u kuptuar se një ndarje e këtillë është enë nga ku gatuhet një histori që i shërben pushtetit për të riprodhuar vetveten dhe jo shpërfaqje e marrëdhënieve reale në shoqëri. Si në planin e gjerë të aktorëve të mëdhenj politik apo në atë të ngushtë të individëve brënda shoqërisë, nacionalizmi dhe hoxhizmi i shpëlarë nuk janë motorët që shtyjnë reagueshmëri. Nëse përnjëmend do t’i mendonim si të tillë, atëherë do vrojtonim se si mospajtimi i komunitetit do rrotullohej ose rreth narrativës se padrejtësia ndaj një shqiptari është padrejtësi ndaj të gjithë kombit, ose rreth pietizmit të barazisë së pakundërshtueshme të çdo subjekti brënda shoqërisë. Në asnjë rast këto narrativa nuk i shohim të materializohen brenda komunitetit.


Së dyti, tribalizmi shqiptar mund të merret si prezenca e një pluraliteti ideologjish që operojnë në të njëjtën hapësirë fizike dhe kohore dhe që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë luftojnë kundër njëra tjetrës për të homogjenizuar pjesën tjetër. Teksa për ndasinë e dyfaqshme thamë se është veçse një iluzion që instrumentalizohet nga fuqitë në pushtet, pluraliteti është real në prezencën e tij, por i pafuqishëm që të nxisë reagueshmëri.


Së fundmi, do duhej të zbritej shkallarja e ndasive për të arritur te një tribalizëm i një niveli më atomik, ai i fragmentarizimit me bazë familjen (fisin).

Familja është njësi e fortë bashkimi dhe reagueshmërie për çdo subjekt shqiptar brënda komunitetit. E tillë shpërfaqet ajo në ngjarje të ndryshme kur mbi të ushtrohet dhunë. Sidoqoftë episodet e dhunës, herë nga mosdija e prodhuar në familje dhe herë nga qëllimi i ligë i politikës shqiptare, trajtohen si ex nihilo. Të prodhuara nga hiçi për t’i shërbyer po hiçit. Në të vërtetë, të gjitha, duke u nisur nga shprehjet më banale me bazë larjen e hesapeve obskurantiste mafioze te dhuna e koordinuar e establishmentit politik, nuk lindin prej hiçit dhe akoma më tepër nuk i drejtohen hiçit. Ato burojnë prej diku dhe ndikojnë gjithmonë diku tjetër. Përderisa shkaqet politike të izolimit të ngjarjeve të dhunës në Shqipëri janë namatisur në veshin e shqiptarëve nga shumë drejtime, prej të gjitha ngjyrave, mosdija fiton një vend të veçantë në diskutim. Me mosdije duhet t’i referohemi paaftësisë që vjen si rezultat i kushtëzimit të individit prej tribalizmit familjar, për të kuptuar se një shfaqje dhune me shkak pushtetin politik (por jo vetëm) lind dhe ndikon jo vetëm një hapësirë të caktuar.

Kësisoj rota fortunae nuk vepron në mënyrë të rastësishme por është pjesë e një logjike të caktuar që herët a vonë do t’i shkelë të gjithë. Madje dhe ato që e prodhojnë vetë dhunën.


E parë në këtë mënyrë, dhunës në Lagjen 5 Maji i paraprijnë shkatërrimet në zonën e Astirit, e këtyre të fundit një zinxhir i pafundëm ndodhish të tjera që ndajnë të njëjtin emërues.


Virtyti i përcjellë nga familjet në çdo rast dallohet te semantika e trashëguar brez pas brezi. Imperativi i familjes shqiptare është “Shih punën tënde!”.


E parë nga lupa e një totalitari të uritur, ky imperativ është problem për centralizimin e pushtetit. Asgjë nuk e shpëton një individ nga fuqia e kobshme e një besimi dogmatik përveçse familjes, por në të njëjtën kohë asgjë nuk e mban një shoqëri në një stad më primitiv se sa izolimi i familjes nga e përbashkëta. Nëse familja është njëkohësisht dhe burim i kundërshtisë ndaj totalitarizmit dhe i izolimit të individit nga shoqëria, si mund të kapërcehet në dimensionin ku totalitarizmi dhe primitivizmi kundërshtohen për të ruajtur njëkohësisht familjen dhe shoqërinë?




Tëhuajsimit të individit nga e përbashkëta më mirë duket se i qaset Alexis de Tocqueville, i cili në veprën e tij “Mbi Demokracinë në Amerikë” (De La Démocratie en Amérique), teksa krahason centralizimin me procesin e decentralizimit brënda një shoqërie nënvizon ndikimet e të parit.

Atëherë kur qytetari shfuqizon vetveten duke i dhënë të gjitha mjetet, qofshin këto në nivel epistemik apo në nivel vendimmarrje pushtetit qëndror, ai largohet nga e përbashkëta. Individi kthehet në një lloj nomadi, i ardhur përkohësisht për t’u larguar sërish nga shoqëria. Për të ngjarjet ndodhin jashtë fuqisë së tij.

Kur kombi arrin në këtë stad, sipas Tocqueville, ose i duhet të ndërrojë zakonet dhe kësisoj ligjet ose të zhduket.

133 views0 comments

Kommentare


bottom of page