top of page

"Lufta e klasave zhvillohet valë valë, ajo herë ngrihet e herë ulet, herë zbutet dhe herë acarohet,


por asnjehere nuk shuhet." (EH). "Po te kishe fatin ta kishte njohur Enverin ne nje dite te mire te nje kohe tjeter edhe shpetoje." (PT)


Në kujtim të ing. Gjylter Pipa Hysenbegasi. Histori njerëzish dhe absurdi i jetës. Kur është dëshira për dëgjim. Shumë vite më parë.


Nga Keti Dibra


Ishte një natë krejt e zakonshme, kur mbajta per darkë tezen time, Gjylin me të birin dhe shoqen e tij. Darka u shty me biseda të zakonshme nga ai tubim njerëzish me mosha dhe interesa të ndryshme. Në grumbull, bisedat rendin të çrregullta dhe përshtypjet për folësin janë të pjesshme, të ngutshme, të pasakta e intuitive ndaj, për të nxjerrë përfundime e konsiderata duhet më shumë qetësi e dëshirë për dëgjim. Gjyli, kështu e thërrisnim të tërë, ndenji të flinte tek unë. Në orët e vona të natës u rrekëm me biseda rreth politikës së ngatërruar shqiptare. E nesërmja qe një ditë e keqe me shi. Prisja të pushonte shiu, që ta percillja.Ishte e renduar nga shëndeti. Dhe kë të përcillja? Gjylin! Dhe mendja, që bën lojën e madhe të jetës, falë së cilës shëtisim nga e tashmja në të shkuarën dhe që shpesh ngatërrohet edhe me të ardhmen, fillon të punojë. E mendova tezen time në vitet e saj të rinisë, tërë vrull, gati si të një djaloshi, me temperament shpërthyes, gjithnjë me dëshirën dhe dashurinë për dijen, qe s’i reshtën kurrë. Gjyli ishte njera ndër gjashtë motrat e familjes Pipa, me një vëlla të vetëm. Gjimnaziste u dallua ndër shoqe e shokë për rezultate të admirueshme dhe ishte ndër të përzgjedhurit e profesorëve. Në vitet shkollore dashuroi sportet dhe mori pjesë si atlete ne Ballkaniadën e vitit 1946. Pas mbarimit të shkollës së mesme, punoi për pak kohë si mësuese e gjuhës shqipe, por shumë shpejt do të flakej në rrugë. Vitet e para te pasçlirimit qenë tepër të vështira, më tepër, të frikshme. Komunistet e ardhur në pushtet, sipas planit të tyre djallëzor, filluan luftën e çmendur kundër ajkës së inteligjencës shqiptare. U dënuan e u asgjësuan shumë figura të shquara shqiptare duke i sjellë një dëm të paimagjinueshëm ardhmërisë shqiptare. Kështu, do të arrestohej djali i xhaxhait të Gjylit, avokati i njohur, Myzafer Pipa, të cilin hetuesit e vranë në birucat e hetuesisë, në Shkodër. Ky qe dhe shkaku për arrestimin dhe burgosjen e motrës së saj, Agime Pipa. Me mbrapa do te arrestohej edhe djali tjetër i xhaxhait, intelektuali Arshi Pipa. Nen trysninë e këtij terrori, e gjendur e papunë, për mbijetesë, ajo, bashkë me motra, fillon të punojë fshehurazi në shtëpi si rrobaqepëse. Gjate kohës, Shqiperia përjetonte aleancat , fillimisht me Jugosllavinë e Titos, më pas me B.S. e Stalinit e së fundi me Kinën motër, ku mori eksperiencën e revolucionit kulturor kinez. Brezi ynë kujton çuarjen në prodhim të kuadrove per të mësuar nga klasa punëtore dhe fshatarësia kooperativiste dhe për t’u edukuar në gjirin e tyre! Me aleancat që lidheshin e zgjidheshin, situata politike në Shqipëri pati ngritjeuljet e veta dhe kjo ndikonte edhe në acarimin apo zbutjen e perkohëshme të tensionit të luftës së klasave. Për t’i dhënë një rrugëzgjidhje tjetër jetës së saj, Gjyli lë Shkodrën dhe vjen në Tiranë. Ardhja në kryeqytet qe, në njëfarë mënyre, humbje gjurmësh për Pipatët. Në Tiranë fillon punë si rrobaqepëse te Salloni i Modës, i vetmi dyqan shtetëror i kualifikuar për qepje rrobash me porosi.



Në vitin 1957 u hap për herë të parë, në Tiranë, Universiteti Shtetëror si domosdoshmëri e kuadrove të specializuar, që aq shumë i mungonin vendit, pas spastrimit që “te kuqtë” e ardhur në pushtet i bënë shumë specialistëve qe kishin mbaruar jashtë. Në këto kushte të kërkesave imediate, Gjyli, krahas punës si rrobaqepëse fillon universitetin e mbrëmjes në fakultetin kimi industriale ku diplomohet dhe fillon punë në ndërmarrjen NISh Kimikja, Tiranë. Ata që e njohën e punuan me të, nuk e harrojnë kimisten e aftë e të palodhur, nismën e marrë bashkë me të vëllanë, ing. elektrik Luan Pipa, në ndërtimin e impiantit per prodhimin e karborundumit në vend, karburi i silicit SiC, materia abraziv me fortesi te larte qe perdoret ne guret e letrat zmerile. Punuan me përkushtim dhe realizuan ndërtimin dhe funksionimin e impiantit. Puna e tyre qe një sukses i vërtetë, por vlerësimi mbeti vetëm brenda ngrehinës së ndërmarrjes dhe drejtuesve të saj. Iu njoh autorësia. Vetëm kaq. Ndërsa instancat e larta heshtën. Pipatët mbetën përherësisht të shenjuar si të padëshiruarit e pushtetit të diktaturës hoxhiste. Mbas një eksperience të tillë, e plotësuar me energji pozitive, këtë herë do të kishte një zhvendosje tjetër në jetën e saj. Vlora. Në Vlorë është bashkëshortja e Dr. Isuf Hysenbegasit, doktor në mjekësi i Romës, kthyer në Shqipëri, arrestuar më 1946, dënuar me 100 vjet, liruar nga burgu me 1955 dhe emëruar mjek në spitalin e qytetit të Vlorës, ku pati perherësisht vlerësimin e padiskutueshëm të vlonjatëve. Kishte qenë një rastësi që diktatori EH, gjatë një vizite në spitalin e Vlorës e kishtë takuar dhe, si shok konvikti ne liceun e Korcës, i kishte vënë dorën në sup. Kjo do të mjaftonte që pushtetarët e Vlorës të ishin të kujdesshem me të. Si pasojë edhe bashkëshortja Gjylter Pipa do të gëzonte “aureolen” e të shoqit. Megjithatë , djalit të tyre, Einar, nuk iu dha e drejta per te ndjekur rrugën e të jatit, por kreu pa dëshirë fakultetin e inxhinierise se ndertimit. Ëndrren e tij do ta realizonte vite me pas, në Itali, pas permbysjes së diktaturës në Shqipëri dhe do të laureohej në Romë per mjekësi. Pas sistemimit në Vlorë, Gjyli u emërua si ixheniere kimiste në fabrikën e sapunit. Dhe më flet për për degustimin e esencave të ardhura në Shqipëri për prodhimin e sapunit të tualetit. Kishte ndenjur me ditë, javë, muaj, për të vëzhguar qëndrueshmërinë e erërave të mira të kampioneve të sjella pa pasaportën përkatëse, gjë që e vështirësonte përzgjedhjen për futjen e tyre në përbërjen e sapunit. Pyetjet që i kishte drejtuar përfaqsuesve të huaj që shoqëronin kampionet, kishin ngjallur habinë dhe admirimin e tyre. I kishin puthur duart para se të largoheshin. E dalë në pension më tregon për studimin e saj që i kishte bërë ujrave te pishëm në pika të ndryshme të qytetit të Vlorës dhe përfundimin e arritur se uji i Kaninës, poshtë, ndryshonte nga ai sipër. “Është siguria ime që një sasi e konsiderueshme kripërash aty, vjen patjetër nga praniave eshtrave të të varrosurve që nga koha e luftrave të Skënderbeut”. Dhe vazhdon të më sqarojë, me gjuhën e shkencës shpërbërjet zinxhir të lëndës. Tregonte me qetësi, pa vrullet e dikurshme që ishin mpakur vitesh. Tezja ime fliste e unë thërrisja në kujtesë copëra jete të përdhosur, mohimin që i ishte bërë të aftëve në atë sistem ku jetuam forcërisht të tërë e nga ku të tërë dolëm s’andejmi “ të gjymtuar”. Tregonte me qetesi, pa vrullet e dikurshme, që ishin mpakur vitesh. Edhe ashtu, e lodhur nga sëmundja, nuk ndalej tezja ime. Më tregoi se si i kishte shkruar një letër Presidentit te Republikes, ku i sugjeronte dhënien e çmimit “Nobel” te Paqes për Kukesin, pasi ai qytet kishte kryer në mënyrë të pashembullt aktin bujar e human të mikpritjes të kosovarëve në ditët e vështira të luftës. E gjendur në vështirësi ekonomike, e lodhur nga sëmundja , e gjendur vetëm, me të birin që studionte ne Romë, kishte paraqitur kërkesën për t’iu lidhur nje pension i veçantë, që u ishte dhënë disave. E kisha uruar ta merrte, por pa shpresuar, duke njohur tashmë realitetin zhgënjyes, ku kurdohere i afti është nëpërkëmbur. Dhe... më pas..., asgjëja.

241 views0 comments

Comments


bottom of page