top of page

KUJTIME NË NDRYSHIME KOHËSH - nga Keti Dibra

Updated: Nov 28, 2022



Shumë pak e njoh Shkodrën. Isha e vogël kur u largova s’andejmi dhe vajtjet atje nuk kanë qenë të shpeshta ndër vite. Megjithatë, fëmijë, fërgëlloja nga gëzimi, sa herë shkoja. Përshkoja me padurim Parrucën për të arritur në lagjen Tophanë, ku ndodhej shtëpia e hershme e nënës time, e cila gjithnjë më kishte magjepsur. Mbërritjen ma thoshte nga larg një godinë, dalë pak brinjazi në rrugën kryesore. Sapo e kaloje atë, pamja të zgjerohej me shtëpitë karakteristike shkodrane, që rrinin ne krah të njera tjetrës. Brinjaz tyre, pak më e futur, të befasonte një portë e stërmadhe druri.


Kisha mbërritur në shtëpinë e Pipejve. Shtyje portën dhe në çast nuk arrije të matje hapësirën që të befasonte. Së pari, ndeshje kumbullën, nje varjetet i ardhur, frutet e së cilës kishin nje shije të mrekullueshme. Sa herë kisha hipur në degët e asaj kumbulle. Në të djathtë, ku kopshti zgjerohej, lartohej një man. Ecje përpara dhe ndeshje një kullë gjysmë të rrënuar ku , në brinjë, i rrinte nje carace e lartë. Gati perkarshi, shtëpia dykatëshe. Përballë shtëpisë, në largësi, atje ku ngrihej muri i një ngrehine fqinje, gjendej një arrë madhështore, kurorëgjerë dhe perreth barishte e hislla. Sepse më trembte tërë ajo harlisje bimësie, ndaj dhe nuk afrohesha kurrë andej. Në hapesiren para shtëpisë, gjendej pusi. Ndërsa poshtë dritareve te shtëpisë ishte lugu, nje lloj vaske, e tëra prej guri, që gjithnjë më mrekullonte e unë mezi prisja ta mbushja e të pllaquritesha ne ujin e vakët.


Në brinjë të shtëpisë gjendej një mur i ulët, thurur me gurë, si për te bërë një ndarje me pjesen tjetër te kopshtit, një sipërfaqe toke tepër e madhe. Mbas atij muri te ulët lartoheshin dy pemë kumbulle të cilat në kohën e frutit mbusheshin me mijëra kokrra të kuqe e të verdha, që rëndonin degët deri në thyerje. Ashtu, plotepërplot, në shpërthimin më të bukur të jetës, ato pemë, të tejmbushura , të ushqenin me shend e të thonin se jeta, me tërë veshtirësitë e saj, megjithatë është e bukur.


Ajo shtëpi gjithnjë më dukej e pazakontë dhe gjithnjë më dhuronte nje tjetër frymëmarrje. Kishte nje lloj tërheqje shtëpia e gjyshes, me hapësirat e panjëllojta , tepër zbavitëse në sytë e një fëmije, që vinte nga ngushticat kryeqytetase.


Sapo shkelje pragun e shtëpisë, shkallët e drunjta të çonin lart ku, së pari, njiheshe me kuzhinën. Një oxhak l madh, i lartë sa një bojë njeriu, te uronte mirëseardhjen. Sa mirë e sa shumë ishte gatuar aty, më kishte thënë gjithnjë nëna. Në të majtë ishte sqolli. Sipër, trerët. Banja, e pangjashme me asnjë tjetër, përherë me habiste e më frikësonte. Më e këndshmja në atë shtëpi më dukej një dhomë e vogël, ku unë, me motrën e madhe dhe nipin e parë, në majë të dyshekëve, lexonim e fjaloseshim. Aty kishim kulluar së lotuari me librin “ Zemra” në duar.


Shtëpia kishte ushqyer gjithnjë dëshirën time për ta parë atë në ato trajta e përmasa, që nxitnin kersherinë time. Edhe sot, me fantazinë time, kthehem në atë shtëpi dhe përherë shëtis me mend hapësirat që kam shkelur dikur.


Kohët qenë të vështira dhe për Pipejt “në shenjë”, ato rëndonin edhe më. Mbaj mend një teze, që më shëmbëllente me nënën , e dalë nga katër vite burg, të rrinte kërrusur mbi makinën qepse . Mbaj mend të tjerat, ndonëse te tëra të shkolluara, që në oborr bënin, thanin e ngjyrosnin kopsa prej balte. Njëra pas tjetrës kishin provuar punë të gjithfarta. Grumbulluar se toku në dhomën e ndenjes, shtronin biseda e diskutime. Aty shihje edhe libra gjithfarësh në gjuhe te huaja, që ishin përpirë së lexuari. Shumë autorë të medhej do t’i dëgjoja së pari prej tyre. Të tërë së bashku, ata të përballnin me murin kryeneç e të fortë, që vetë e kishin ngritur për mbrojtje e sfidë.


Ishte koha e mbijetesës!


Qenë vitet e hershme të fëmijërisë, që kaluan shpejt duke lënë mbresa të gjithfarta për atë shtëpi e banuesit e saj, gjithnjë interesantë, deri në admirim.


Sendet ,objektet, historitë, ngjarjet, me kalimin e kohës, kthehen në kujtime dhe kujtimet shtresëzohen e plotësojnë qenien tënde. Pa kujtime, pa të shkuar, njeriu endet në bosh, pa ditur se ku ishte e se ku do të arrijë. Shkëputja nga e kaluara është humbje. Të dish të ngresh të renë mbi shtresëzimet e së shkuarës është rritje, është një ndër sfidat e jetës, është identitet.


Vite më vonë, tërë ai truall, bashkë me shtëpinë, u mor nga shteti dhe aty u ngrit një shkollë. Së paku, shtëpia dhe tërë ajo hapësirë u kthye në një cak mësimdhënieje, ashtu siç kishte qenë gjithnjë: një oaz dije.


Kur Shqipëria , së fundi, përjetoi ndryshimin e madh, u nisa për në Shkodër me një mendim që kishte bërë vend qëkur tek unë: të shihja hapësirën ku kishte qenë shtëpia e gjyshes time e të perjetoja edhe njëherë emocionet që më kishte dhuruar ai truall e ajo shtëpi, që qenë ngulitur në kujtimet e mia. Por nuk gjeta asnje pikë orientimi, që të më drejtonte në vendin e dëshiruar. Hapësira ku u përsolla qe një lëmsh ngrehinash ngjeshur e çrregullt, qe veçse shkatërronin çdo përfytyrim. Në pamundësi orientimi u ktheva mbrapsht e keqardhur duke ecur me kujtimet e mia të cilat vazhdoj e i ruaj.


Është mrekullia e kujtesës ajo që ruan rrenjët e tua përball befasive të kohës e ndryshimeve deri në shkatërrim, që sjell njeriu. Dhe nëse ruajtja e kujtimeve bëhet me dashuri dhe mendim të kthjellët, atëherë ke plotësuar formimin tënd, qenien njerëzore që jeton te ti e nuk je më vetëm një gjallesë mbi tokë.


Shkodra qi nuk asht ma: Lagjia Tophanë (sipër qendër) dhe në horizont liqeni


KOHË QË RRËSHQET NË HAPËSIRËTERR


Mesnatë. Nata është në gjithçka ndryshëm nga dita . Ditën çdo gjë është e lëvizëshme, e shpejtë, kalimtare, ndërsa nata ka kode të tjera . Natën çdo gjë lëviz e zhvillohet me ritme të tjera e të tjera shtysa. Ajo fut në lojë shpirtin, ndryshe nga dita e cila mobilizon mendjen. Atëherë të trokasin kujtimet dhe risheh gjithçka që e ke dashur aq fort , të tjera që i largon vullnetshëm dhe në hapësirënterr përtërin ndodhira, kujton biseda, kalon si në revistë njerëz, ngjarje dhe ashtu, në terr, jeton në të shkuarën. Kam një nënë tetëdhjetë vjeç, ku vitet kanë renduar, tashmë. Jemi shtrirë pranë e pranë. “Kam mall”, dëgjoj nënën të thotë. “ Të gjitha vitet më rrëshqasin rrëmbimthi dhe e vogël vrapoj e gëzohem në kopshtin e madh të shtëpisë, në barin e gjelbër, në hapësirën time të vegjëlisë, ngjitem e zbres nga një pemë te tjetra, nga një mur te tjetri, se bashku me motrat e djemtë e xhaxhait. Shoh babanë që e kam dashur aq shumë, xhaxhanë e rreptë dhe miqtë, që nuk mungonin kurrë në shtëpinë tonë. Kujtoj babanë, që e doja aq shumë dhe qe shpesh i lutesha te mos fliste krejt ne toskërisht. Shoh oxhakun e madh me zjarrin bubulak në netët e ftohta shkodrane, ndërsa jashtë dritares varen hejet e akullit. Shoh kopshtin e përmbytur tejendanë nga dalja e Bunës jashtë shtratit dhe krejt kopshtin e përmbytur nga ujrat. Përdoreshin edhe barka per të lëvizur në qytetin e përmbytur. Në lugun e gurtë, Aneja, pati larë rrobat e gjakosura të një xhaxhai të vrarë në Himarë, për ngritjen e flamurit shqiptar. Kujtoj axhë Mustafanë, avokatin e shkolluar ne Stamboll e mandej Myzaferin dhe Arshiun, në kapërcim të adoleshencës, me kokat e qethura zero, që deshmonte për rreptësinë e skajshme të tij. Kujtoj gjithnjë Myzaferin, që e kisha si shok, të shkathët e inteligjent, me dashurinë për të bukurën dhe guximin e skajshem qe i mori jetën!”

Kishte qarë si fëmijë i jati kur kishte marrë lamin e tmerrshëm të vrasjes së të birit, në hetuesine e Shkodrës.

“Kam mall, shumë mall...”, dëgjoj nënën të thotë, ndërkohë që i rëndohen sytë e i zvogëlohet fjala.

Ndersa une rri zgjuar e mendohem. Është jeta! k.d.

266 views0 comments

Comentarios


bottom of page