top of page

Keti Dibra - SHALLI I TERIPTË, PERSIATJE



SHALLI I TERIPTË


Më dukej aq e moshuar sa nuk do kisha dëshirë t’i përngjaja. Qibare e fjalëzgjedhur, ajo tregonte për veten, për të tjerët. Sa herë kisha hyrë në dhomën e saj për ta përshëndetur dhe gjithnjë e kisha gjetur thuajse në të njejtin vend. Ulur pranë tryezës, punonte me grep një shall të teriptë. Përkarshi i qëndronte nje dritare e cila, në pranverë, i fuste me bollek aromë lulesh, ndërsa në dimër i diktonte ëndërrimin. Sa më tepër rendin vitet pas një kufiri që jo natyra , por mendja i ka caktuar vetes, aq më e lodhshme bëhet vetmia. Dhe ajo ndihej vetëm që kur kishte marrë vendimin. Nuk kishte dashur të bashkëndante hapsirat e tjera të shtëpisë me nusen, qe nuk i kishte ngjitur. Në tërë ato që thoshte unë e ndjeja se ajo, këmbengulshëm, kërkonte te mbahej. Ç’është ky shall? - e pyeta një ditë për t’i nxjerrë fjalën. E ajo, ngadalë e me nje si përhumbje nëper kohëra të shkuara filloi të më thoshte se aty, tek ai shall, mblidhej tërë jeta e saj e mëparshme. Aty ishte ajo me të njohurit e saj, me të afërmit, me miqtë e ndodhitë e shumta që, së toku, rrëfenin një jetë, për t’ia vënë si arrën të tashmes. “Nuk është i njëllojtë i tërë shalli, shtoi pas pak,është ndarë në pjesë, ku njëra është punuar më mirë e tjetra më nxituar. I copëzuar... si unë”. Ishte nga ato zonja që e kishte jetuar jeten me tërë bujarinë e saj dritëdhënëse e, më pas, i kishte lënë pasigurine e ca më shumë. Unë ndiqja me sy shallin që, ndërkohë, rritej thyesë pas thyese. Më tregonte me durim se ku ishte futur dashuria, ku trazohej fjala , ku shtrohej biseda e ku nxirrte koke shqetësimi. Lexonte në shall si në një libër të hapur. “Më është i dashur”, tha zonja. “Kushedi ku do të përfundojë me pas”. E pashë një çast dhe fshehur në sy i dallova dhimbjen e pashprehur për tërë çka i kishte kombinuar jeta. Në kujtim të nje zonje që fati dikur e kishte perkedhelur dhe fshikulluar padrejtësisht, me pas. k.d. PËRSIATJE (Pas ndodhisë) Sa më shumë mbresa përjeton gjithsecili gjatë tërë jetës, gjithaq më i vështirë bëhet grumbullimi i tyre në kujtesë. Por mekanizmi njeri është i çuditshëm. Që të ecë para ai ndryn fort disa e flak jashtë të tjera. Në ç'raport janë të vlerat e të dëmshmet, aty? Kjo është dhe e ngatërrura. Je me fat kur të pavlerat, lënë mënjanë janë, kur të dëmshmet, hedhur janë tutje e me të paqtat ujdisesh. Përndryshe e ke keq, përndryshe rropatesh brenda e qetësi nuk gjen. Sa mirë do të qe sikur mendja mos të të jepte kurrgjë e si cingune t'i kyçte diku të tëra. E ti, s'do të kishe më arsye të luhateshe. Do të jetoje...

47 views0 comments

Comentarios


bottom of page