ZVETËNIMI I FJALËS
Thuhet:”Fjalët i merr era”.
Të mos ketë rëndesë fjala?
Dikur, kur jeta ishte më e thjeshtë dhe kishte të tjera ngarkesa, fjala ishte e një rëndësie të veçantë, prandaj ishte tepër e matur. Ajo kishte trajtën e saj, thuajse të materializuar. Ishte si një i ftuar i posaçëm, gjithnjë i pranishëm, por gjithnjë aq elegant për të mos i rënduar kurrkujt. Nuk keqpërdorej e nuk lëshohej dhunshëm, siç ndodh rëndom , sot. Bëhej tepër kujdes me të, sepse po të rrugëtonte njëherë, ajo s’kthehej më mbrapa.Me fjalën ngriheshin aleanca, ndërpriteshin luftëra, pajtoheshin gjaqe, lidheshin fate, shprisheshin mërira, thureshin miqësira. Fjala ishte ngritur në institucion.
Fjalët i merr era, thuhet duke pasur parasysh përçapjet boshe të fjalës së pavlerë, kur nuk shoqërohet me veprimin.
Por edhe një veprim i pafjalë, do të ishte i cungët, një nismë e paperfunduar. Sepse,i madhi Zot, i ka dhuruar njeriut, ndër të tjera, edhe shqisën e të dëgjuarit, që bashkë me shqisat e tjera, bashkërendojnë me organet e trupit për të na dhënë përsosmërinë, që quhet NJERI.
Thuhej:”Per qiell e për dhe”.
Një rëndesë tjetër e fjalës. Njeriu i drejtohej qiellit e dheut,me fjalën e tij. Fjala e parë ishte për qiellin, sepse qielli ishte streha e Krijuesit, Atij, që i kishte dhuruar jetën e që i përcaktonte kohën e rrugëtimit në gjallje, ndërsa dheu ishte toka që e ushqente dhe, në të mbramen e tij, do ta strehonte në gjirin e saj.
Per qiell e per dhe, thuhej dhe respektoheshin marrëveshje, shuheshin grindje, fillonte një gëzim dhe ndryhej fjala ,kur s’duhej të kapercente pragun e shtëpisë.
Por kohët “moderne” e zvetënuan fjalën, tjetërsuan njeriun, e sot ai jeton pa u shqetësuar për vlera, shtylla të moralit të shoqërisë.
Sot, fjala është një tufë rrokëzimesh të pavlera, që artikulohen me qëllime të mirëpërcaktuara nga ata që ligjësojnë të drejtën e fjalës dhe tërë të tjerët , që luajnë keqas me të.
Sot, fjala është bërë sinonim i gënjeshtrës, hipokrizisë, mashtrimit dhe kërcënimit. Ndaj dhe del natyrshëm urimi: I ardhtë zëri, fjalës së mirë!
Keti Dibra
Comments