top of page

Keti Dibra mbi “SHKRETËTIRA E TARTARËVE”



"SHKRETËTIRA E TARTARËVE"

Eh, Buzzati!

Them eh, sepse nuk kam hasur prej kohësh një elegancë të tillë në të shkruar. Sepse nuk kam shijuar prej kohësh një përkthim të tillë si përkthimi mjeshtëror i Dritan Çelës që, të dy së toku, autor e përkthyes, të të krijojnë një miqësi të veçantë me librin, nga fillimi e deri në fund. Një roman i ndërtuar mbi alegorinë. Është një personazh kryesor, Xhovani Drogo, një fortesë Bastiani, diku në kufi, një shkretëtirë e pafund. Të tre këto elemente ndërthuren bukur e bindshëm , nga ku dalin edhe mesazhet që përcjell autori.

-Xhovani Drogo, i riu 20 vjeçar që niset për në fortesë me detyrën e togerit dhe ndjek deri në fund dëshirën për karrierë ushtarake. -Fortesa Bastiani që, me rëndesën e viteve, ka hequr dorë nga krenaria e saj dhe shkon përditë e më shumë drejt rrënimit. -Shkretëtira e Tartarëve, e pafund, ngacmuese e përhershme e fantazisë të trupave ushtarake të fortesës për mundësinë e një sulmi armik, që do të realizonte ëndrra për ngritje në shkallët e hierarkisë ushtarake. Xhovani Drogo pret. Në pritmëninë që zvarritet vitesh, përshkohet e venitet tërë jeta e tij. Alternativat e tjera që mund të kishin ndryshuar jetën e tij veniten në një pavendosmëri që bëhet zotëruese dhe i humbasin shanset që do t’i kishin ndryshuar jetën. Prandaj, thotë autori, në çaste kyçe të jetës, njeriu duhet të dijë të vlerësojë atë që ka përparësi për të bëre zgjedhjet dhe zgjidhjet e duhura dhe të mos lërë të humbasin rastet që të ofrohen. Se pritshmëritë e stëzgjatura për ngjarje “të mëdha”, që enden në paqartësi e pasiguri, mbysin përditshmërinë dhe të ardhmen në jetën tonë të limituar.

Në këtë mjedis ushtarak, ku të tërë janë me vite në pritjen e një sulmi të mundshëm armik, shohim se si urdhëra e rregulla të ngurta, të tepruara e jashtë vendi, sjellin tëhuajzimin e qenies njerëzore, lavazhojnë trurin e tij dhe e kthejnë atë në një automat për të zbatuar urdhera krejtësisht të panevojshme, të pavend, teper të rrezikshme.

Fundi i Drogos. I lodhur, i sëmurë, i mënjanuar nga të tërë, pasi kalon nëpër mend tërë boshësinë e jetës së tij, tërë ligësitë e pësuara nga eprorë e shokë, Drogo arrin në një dimension tjetër të jetës së tij, atë të çlirimit nga ankthi, nga ëndërrime, kujtime të trishta e të dhimshme, nga dështime miqësirash, ngopur me gënjeshtra e hipokrizi.

Ndoshta autori, si një borxh ndaj Drogos, krejt pozitiv si njeri, paçka se me tërë paqartësitë e mëdyshjet e veta, i ka dhënë, në çastet e fundit të jetës, një qetësi të admirueshme në përballjen me vdekjen. Xhovani Drogo, pasi ka larguar tërë shqetësimet e një jete , e pret vdekjen në mënyrën më dinjitoze të mundëshme.

“Guxim, Drogo, kjo është karta e fundit, dili perpara vdekjes si ushtar dhe jeta jote e gabuar së paku mbaroftë mirë. Hakmerru së fundi për fatin, askush s’ka për të kënduar lavde, askush s’ka për të të quajtur hero apo diçka të tillë, por pikërisht për këtë ia vlen barre qiranë.Kapërceje me këmbën e nderë pragun e hijes, drejt si në një paradë, madje, edhe buzëqesh, po munde”.


Keti Dibra

68 views0 comments

Recent Posts

See All

Ducja

Situata politike ne Itali para Luftes se Pare Boterore (L1B) Me 29 korrik 1900, nje anarkist i quajtur Gaetano Bresci vrau me arme zjarri ne Monza te Italise gjate nje aktiviteti sportiv, mbretin Umbe

Comments


bottom of page