top of page

Dashuri nëne - Përseatje para një skulpture



“LA PIETÀ” E MICHELANGELO-S


Isha ndalur përballë skulpturës së mjeshtrit të madh dhe, me mendje, e kisha emërtuar: “Ndalja e kohës”. Pse? Sepse këmbëngulja në përqëndrim më kishte futur në lojën e sugjestionit.

E perceptova si të gjallë atë kryevepër.

Dy jetë! Njëra e shuar, tjetra e dërrmuar nga dhembja. Nuk është vetëm dhembje, është një klithmë që rri pezull. Një dorë nëne që ka rrokur dhe mban trupin e birit dhe dora tjetër që nderet në bosh, krejt e pafuqishme, e ndalur në prekje, për të mos zgjuar vuajtje më.Trupi i pajetë i birit që pushon mbi prehërin e nënës së cilës i ka ndalur fryma.

Nje dramë me shtrirje pa caqe!

Nuk ka lot, loti ka shterrë. Ajo vështron, por sytë e saj nuk kanë dritë. Do që t’i flasë birit, por buzët e saj janë mbyllur përgjithmonë. Asgjë tjetër. Asnjë ofshamë. Vetëm dhembje dhe heshtje, heshtje që të mpin. Është kjo gjendje e pezullt, që ka përjashtuar kohën! Sepse kjo dhembje eshtë e gjithkohëshme! Sepse është dhembje e përmasës mëmësore, daltuar mjeshtërisht në mermerin e bardhë.


Përballë kësaj kryevepre nuk sheh e nuk ndjen asgjë tjetër përveç një shqetësimi,që përsillet e të mbështjell duke të detyruar meditimin.


Keti Dibra

108 views0 comments

Comentarios


bottom of page