top of page

Albin, kjo është nje punë përgjysëm. Duhet votimi online

Albin, votimi i diasporës, që të mos jetë fallco, duhet bërë i kollajshem. Nuk do lerë punën emigranti kosovar, të marrë trenin apo aeroplanin, të shkojë në një metropol ku ka konsullatë, për të votuar. Në gjithë Shtetet e Bashkuara Kosova ka vetëm 3 konsullata; në Gjermani ka vetëm 7 .


Emigranti duhet të votoje nga celulari, njësoj si i bën pagesat nga celulari. Teknologjia qenka e sigurtë per paratë dhe nuk qenka e sigurtë per votën?! Eshte shumë e sigurtë, sidomos tani me teknologjine blockchain.


Dëgjuam se po flitet për modelin kroat, ku diaspora ka 20 vende të dedikuara në parlament. Ky është një model i vjetëruar. Diaspora nuk duhet të ndahet nga popullata ndenjëse. I gjithë populli global shqiptar duhet të votojë për të njëjtet kandidate, në zonat elektorale ku ka gjendjen civile.


Sidoqoftë përgëzime për këtë hap ne drejtimin e duhur. Jeni përpara Tiranës zyrtare.


(Koment nga Organizata e Qendres)



Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar të martën ndryshimin e Ligjit për diasporën, me qëllimin për ta lehtësuar votimin e mërgatës.


Realizimi i procesit të votimit në përfaqësitë konsullore e diplomatike të Kosovës, sipas kreut të Qeverisë, ka të bëjë me të drejtat politike të qytetarëve.


“Kjo Qeveri është e përkushtuar që të realizojë të gjitha të drejtat politike të mërgatës sonë, duke filluar nga e drejta e votës së lirë në misione diplomatike. Ne e shohim mërgatën si kapital njerëzor, para se ta shohim si kapital financiar. Për këtë arsye jemi duke punuar në programin nacional që në bazë ka transferimin e dijes dhe përvojës nga mërgata në Kosovë”, është shprehur kryeministri Kurti. Me ligj të ri, sipas kryeministrit Kurti, pritet të krijohen edhe mekanizma të tjerë institucionalë në të cilat hyjnë pjesëtarët e diasporës që i shtyjnë përpara interesat e Kosovës, si në nivelin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.

“Aktualisht jemi duke u angazhuar për zhvillimin e një dialogu të gjithanshëm me qytetarët tanë jashtë vendit, si dhe jemi duke punuar në një strategji të re për diasporën e një projektligj të ri. Po punojmë ta fuqizojmë rolin ndërmjetësues të diasporës në takimet e niveleve të larta me vendimmarrësit politikë dhe korporatat e mëdha në vendet ku ata jetojnë duke krijuar mekanizma për angazhim”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ministrja e punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kërkuar angazhim të diasporës në diplomaci, ndërsa ka theksuar se në mungesë të saj, diplomacia është vështirë të bëhet.

“Pa mërgatën tonë do ta kemi shumë të vështirë ta bëjmë atë që është shumë e domosdoshme për Kosovën. Pra, të kemi një diplomaci të mirëfilltë publike, kulturore dhe ekonomike. Pra një diplomaci e cila nuk flet gjysmën e kohës me partnerët tanë ndërkombëtarë rreth fqinjëve, rajonit dhe Serbisë, por e shfrytëzon kohën (një bisedë, një aktivitet) për të folur më shumë për Kosovën, për potencialin e saj të madh ekonomik”, ka thënë ajo.

Kryediplomatja ka thënë se ambasadat e konsullatat duhet të ofrojnë shërbim më cilësor dhe një qasje që e sheh mërgatën si pjesë të saj.

“Gjëja më e natyrshme është që shërbimi ynë konsullor, pra shërbimi që qytetarët, pra shtetasit tanë dhe të tjerët të cilët nëpër konsullatat e misione tona diplomatike, e para duhet të ballafaqohen me një shërbim më cilësor dhe e dyta me një qasje mërgatën e sheh si pjesë të këtij vendi”, ka deklaruar Gërvalla.

Në tryezën “Të drejtat e diasporës” e organizuar nga Zyra e kryeministrit, ku morën pjesë përfaqësues të organizatave të diasporës dhe deputetë të Kuvendit, është paralajmëruar ndryshimi i Ligjit për diasporën, të cilin Qeveria ka planifikuar ta kalojë deri më 30 qershor 2022. (Koha)

Marre nga diasporashqiptare.al

33 views0 comments

Comments


bottom of page